Plani i Sigurimit dhe këshilltarëve sovjetikë për të hedhur në erë sallën ku mblidheshin disidentët në Paris, Llambi Peçini: Agjenti na vuri kusht për…

Gjyqi ndaj Kadri Hazbiut, Feçor Shehut dhe disa krerëve të tjerë të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurimit në gusht 1983, do të nxirrte në dritë edhe një tjetër aventurë të pakuptimtë.

Llambi Peçini, ish rezident i Sigurimit në Francë rrëfen me hollësi një tentativë fatmirësisht të parealizuar të një akti terrorist në Strasburg. Krerët shqiptarë të Ministrisë së Brendshme dhe sidomos këshilltarët sovjetikë të atashuar pranë kësaj ministrie ishin treguar tepër të zellshëm për të hedhur në erë sallën ku do të zhvillohej konferenca e radhës e ACEN (e vendeve të robëruara) ku aderonin kundërshtarë politikë, përfaqësues nga shtetet e lindjes komuniste.

Llambi Peçini: Kadri Hazbiu tha se ai veprimi terroristik kundër Sadik Premtes u dënua si veprim terrorist nga udhëheqësi i partisë. Mirëpo unë dua ti them trupit gjykues që në vitin 1956 jam thirrur në Francë ku isha rezident në Francë- përgjegjës i zbulimit. Edhe më thirri Zoi Themeli në emër të Kadri Hazbiut. Vajta te Kadri Hazbiu. Atje ishte kryekëshilltari, se kush ishte kryekëshilltar atëherë në 1956 nuk më kujtohet emri. Por ishte një i madh, i gjatë, gjeneral me dorë të madhe. nuk e di si e quanin. Në 1956 bëhej mbledhja e Asamblesë së Kombeve të Robëruara, siç e quanin ata, vendet ish socialiste në atë periudhë. ACEN bëhej në Strasburg. Ne kishim një agjent që na informoi për këtë punë, na informoi edhe për rendin e ditës që do të kishte konferenca e ACEN. Edhe njoftuam neve lart, mbasi njoftova unë lart për këtë datën e mbledhjes së konferencës më thërret që të vij shpejt.

Kishte kohë, kishte dy muaj afat si ai kishte marrë më përpara agjenti jonë. Vij këtu dhe më thotë që është një mendim që ta hedhim në erë konferencën e ACEN. Kemi mundësi tha dmth ta bëjmë në Francë? i thashë kemi, kemi një agjent të mirë që jo vetëm njihet në Strasburg por njihet dhe me krerët e emigracioneve të tjerë të ACEN. Midis krerëve reaksionarë të tjerë që njihte ky ishte edhe Abaz Ermenji që njihej dhe me një Gemeto Dimitrov, që ishte një nga krerët e emigracionit bullgar reaksionar. Po mund ta bëjë, tha. Ta pyesim njëherë. Studioje dhe njëherë dosjen e agjentit se e ke këtu tha dhe hajde të më informosh nesër. Vajta e studiova dhe njëherë dosjen e agjentit.

Të nesërmen raportova para Kadri Hazbiut, kryekëshilltarit dhe Zoi Themelit, cili ishte ky agjent, nga ishte, nga s’ishte, si kish ardhur në Francë e të gjitha këto. Edhe i thashë që ka mundësi ta bëjë ky. Mirë tha, të shkosh. Mirë i thashë unë por duhet një eksploziv i fortë për këtë dhe unë nuk kam ku ta gjej i thashë. Do vijnë dy sovjetikë tha Kadriu ose kryekëshilltari nuk më kujtohet në ambasadën tonë në Paris dhe do të sjellin atë lëndën eksplozive, është një lëndë e fortë dhe e paketuar pak me volum të vogël dhe me efektivitet të madh dhe do ta japin. Por tha më parë duhet biseduar me agjentin. Atëherë unë i propozova vetë Kadri Hazbiut dhe Zoi Themelit dhe kryekëshilltarit që unë do t’ia propozoj atij, por do t’ia propozoj si mendim timin personal. Mirë tha kështu bëje, e pëlqyen këta që mos të dalë këtu që e interesuar është partia jonë.

Pra që e kam unë një mendim të tillë. Edhe kështu e bëra. U nisa për në Francë, mora kontakt me agjentin. i thashë si mendim tim personal këtë për të hedhur në erë konferencën e ACEN, ai ishte dakord. Por më tha me një kusht. Që të kthehem sa më parë me gruan dhe fëmijët në Shqipëri dmth e bëra tani këtë dhe ti kem gati pasaportat. i bëjmë i thashë unë, por megjithatë i thashë unë do të pyes qendrën dhe njëherë dhe pastaj të lajmëroj do të them duhet ta bëjmë apo jo se duhet të marrim dhe materialin eksplozitv. Më vonë erdhi telegram nga…u thashë këtyre i njoftova që agjenti është gati të bëjë por me këtë kusht. Atëherë këta më kthyen përgjigjen. Më tha që të lihet kjo.

Aranit Cela: Pse u la kjo?

Llambi Peçini: Nuk e di, nuk u interesova më.

ABC STORY

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts