Plani për ndërtimin e një fabrike kineze shkakton debate në Miçigan

plani per ndertimin e nje fabrike kineze shkakton debate ne micigan
plani per ndertimin e nje fabrike kineze shkakton debate ne micigan

00:03 08/10/2023

Firma Gotion Inc. është degë në Shtetet e Bashkuara e një prodhuesi kinez të baterive të makinave. Ajo planifikon të ndërtojë një fabrikë në një pjesë toke bujqësore në qytetin Green Charter të Miçiganit. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Calla Yu, kjo ka ndarë banorët e qytetit.

Kompanitë kineze kanë pasur fabrika në Miçigan për dekada, kryesisht në industrinë e prodhimit të makinave. Sipas Korporatës së Zhvillimit Ekonomik të Miçiganit, këto investime kanë arritur në miliarda dollarë dhe kanë hapur mijëra vende pune.

Pra, njoftimi se firma Gotion, një degë e firmës Gotion High Tech Co Ltd. në Kinë, do të ndërtonte një fabrikë në qytetin Green Charter për të prodhuar pjesë të rëndësishme për bateritë e makinave elektrike, dhe për të ofruar vende të punës, që janë shumë të nevojshme për rajonin, nuk pritej të ishte i debatueshëm.

Por rritja e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, përfshirë incidentet si ai rrëzimit të një balone spiune kineze mbi territorin amerikan, kanë bërë që shumë banorë të qytetit Green Charter të kundërshtojnë hapjen e fabrikës. Jason Kruse, një banor vendas, thotë se është i shqetësuar se kinezët mund të bëjnë përgjime në një bazë të ushtrisë amerikane aty pranë.

“Kemi një bazë ushtarake, në të cilën ne po trajnojmë ushtarët tajvanezë tani, jo më shumë se 160 kilometra nga kjo zonë. Pra, është shumë e lehtë për të shkuar atje”, thotë ai.

Kina e konsideron ishullin vetëqeverisës të Tajvanit pjesë të territorit të saj. Kjo nuk është çështja e vetme që e shqetëson banorin Kelly Cushway.

“Kemi shqetësime që lidhen me mjedisin dhe ato me veprimet e Partisë Komuniste Kineze”, thotë ai.

Chuck Thelen, nënpresident i operacioneve të firmës Gotion në Amerikën e Veriut, tha në një takim publik në prill se nuk do të ketë prani kineze në fabrikë dhe pak ose aspak ndikim për mjedisin. Por kjo nuk mjafton për banoren Corri Riebow.

“Edhe nëse do të ishte pronë e një kompanie amerikane, unë nuk do të dëshiroja të jetoja 4,8 kilometra pranë një fabrike”, thotë ajo.

Firma Gotion nuk i është përgjigjur kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.

Zyrtari i qytetit Green Charter, Jim Chapman thotë se e kupton që njerëzit nuk duan të shohin një fabrikë në mes të një toke bujqësore. Por, ai thekson se ndërtimi një fabrike me vlerë mbi dy miliardë dollarë do të sillte përfitime të shumta për banorët e zonës.

“Ata kanë premtuar investime prej 2,3 miliardë dollarësh dhe 2350 vende pune. Këto para janë parashikuar të shpenzohen këtu”, thotë ai.

Sipas zotit Chapman, kudërshtimi i fabrikës së firmës Gotion do të mund të kërcënonte një paketë financiare prej 175 milionë dollarësh që shteti i Miçiganit i ka dhënë qytetit dhe bashkia e ka miratuar atë në fillim të gushtit.

“Do të kalojnë edhe 20 vite të tjera para se të shohim dikë që dëshiron të investojë këtu në komunitetin tonë. Pse do ta bënin? Pse do të shpenzonin gjithë ato përpjekje dhe para në një qytet që ka refuzuar investitorët në të kaluarën? Ata nuk do ta bënin këtë. Ata do të largoheshin”, thotë zoti Chapman.

Nëse miratohet studimi për mjedisin, zoti Chapman tha se firma Gotion mund të fillojë ndërtimin e fabrikës vitin e ardhshëm dhe mund të fillojë prodhimin pas dy vitesh./VOA


plani per ndertimin e nje fabrike kineze shkakton debate ne micigan

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts