‘Plas’ në Afganistan, talebanët vënë në shënjestër zonën ‘e hekurt’ që mposhti sovjetikët, udhëheqësit e rezistencës nuk zmbrapsen

Talibanët po dërgojnë me qindra luftëtarë në Luginën Panjshir, 150 kilometra në veri të kryeqytetit afgan, Kabulit, në një përpjekje për të shuar një qëndresë në zhvillim, të udhëhequr nga djali i një luftëtari, i cili i ka sfiduar ata herën e fundit kur morën pushtetin në Afganistan, 20 vite më parë.

Dislokimi vjen disa orë pasi forcat që bashkëpunojnë me Frontin Kombëtar të Rezistencës të Ahmad Massoudit, në përbërje të të cilit ka ish-anëtarë të njësive të rregullta të ushtrisë afgane dhe forcave speciale si dhe luftëtarë të milicisë lokale, u përleshën me talebanët në Andarab, një rajon në jug të vendit pjesë e provincës Baghlan.

Javën e kaluar, në lëvizjet e para të asaj që shihet si rezistencë serioze, luftëtarët antitalebanë arritën të marrin kontrollin e tre qarqeve fqinje të Andarabit, të gjitha pranë luginës Panjshir, bastion i Massoudit. Të hënën talibanët pretenduan se i kishin rimarrë të treja qarqet.

Babai i Ahmad Massoudit, Ahmad Shah Massoud, i mbiquajtur “luani i Panjshir-it”, pengoi forcat sovjetike në vitet 1980 dhe talebanët në vitet 1990 që të pushtonin luginën e ngushtë e pothuajse të padepërtueshme. Djali i tij 32 vjeçar, i cili është trajnuar në akademinë ushtarake britanike “Sandhurst” dhe ka kryer studime mbi strategjinë e luftës në King’s College në Londër, shpreson të ndjekë gjurmët e babait të tij.

“Talibanët kanë mbledhur forca pranë hyrjes së Panjshir-it një ditë pasi u zunë në pritë në zonat e luginës fqinje Andarab dhe mezi dolën prej andej”, shkruante në Twitter Amrullah Saleh, ish-Nënpresidenti i Afganistanit, i cili në mesjavë u vetëshpall udhëheqës i përkohshëm i vendit pas largimit nga Afganistani të Presidentit Ashraf Ghani. Saleh ka hyrë në Frontin Kombëtar të Rezistencës, megjithëse statusi i tij si president nuk njihet nga Fronti Kombëtar i Rezistencës, i thanë këshilltarët e Massoudit Zërit të Amerikës gjatë një bisede telefonike.

Gatishmëria për të luftuar

Talibanët i dhanë Massoudit katër orë afat të dielën për të dorëzuar Luginën Panjshir-it, duke thënë se ata po vendosnin forca “pasi zyrtarët shtetërorë vendas refuzuan ta dorëzonin atë në mënyrë paqësore”. Ahmad Massoudi kazhvilluar negociata me talebanët që kur lëvizja islamike mori pushtetin në Kabul një javë më parë, por një nga këshilltarët e tij i tha Zërit të Amerikës se bisedimet ishin bllokuar dhe duket se nuk kanë gjasa të përparojnë.

“Nuk ka pasur përparim”, tha Ali Nazari, zëdhënësi i Massoudit. Bisedimet janë zhvilluar kryesisht në Pakistan përmes emisarëve, përfshirë xhaxhain e Ahmad Massoudit. Talibanët thanë se do të krijojnë një qeveri të centralizuar dhe nuk do të zhvillojnë zgjedhje. Për t’i dhënë fund rezistencës së tij në lindje, Massoudi po kërkon në këmbim zhvillimin e zgjedhjeve, decentralizim të qeverisë, me rajone dhe krahina gjysmë-autonome, dhe që talebanët të garantojnë të drejtat civile.

Të dielën, Massoudi i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ai nuk donte luftë. “Ne duam t’i bëjmë talebanët të kuptojnë se e vetmja rrugë përpara është përmes negociatave”, tha ai gjatë një bisede telefonike. Por ai shtoi se luftëtarët e tij janë gati të luftojnë. “Ata duan t’i rezistojnë çdo regjimi totalitar”, tha ai.

Zëdhënësi i tij, Nazari, duke folur nga një vendndodhje që nuk donte ta bënte të ditur, i tha Zërit të Amerikës se rezistenca ka forcë të mjaftueshme për të mbajtur talebanët jashtë luginës, pranë Hindu Kush-it, ku banojnë më shumë se 100,000 njerëz. Ai tha se Massoudi kishte hapur negociatat me talebanët ashtu sikurse babai i tij në 1995 me shpresën për të shmangur gjakderdhjen.

Fahim Dashty ndodhet në rajonin Panjshir dhe punon ngushtë me Ahmed Massoudin.

“Paqja dhe negociatat janë përparësi për ne. I shohim si shumë të rëndësishme. Besojmë se e ardhmja e Afganistanit mund të ndërtohet vetëm përmes paqes dhe negociatave, një e ardhme që do të jetë e pranueshme për të gjithë afganët, një e ardhme që na mundëson të jetojmë brenda Afganistanit me njëri-tjetrin dhe të jetojmë me pjesën tjetër të botës, një e ardhme në të cilën do të krijohet një qeveri përfaqësuese e njerëzve nga i gjithë Afganistani, një e ardhme ku do të siguroheshin të drejta, siç janë ato të njeriut, të drejtat e grave e do të garantohej drejtësi sociale”, tha ai për Zërin e Amerikës.

“Ka disa mesazhe që po shkëmbehen mes talibanëve dhe frontit të rezistencës. Ne tashmë i kemi dërguar këto mesazh talebanëve. Ne mezi presim të shohim disa hapa seriozë prej tyre”.

I pyetur se çfarë konsideronte me hapa seriozë, ai u përgjigj: “Hyrja në negociata serioze dhe synimi për të arritur paqen dhe stabilitetin përmes negociatave”.

Javën e kaluar në një artikull në Washington Post, Massoud i bëri thirrje Perëndimit të mbështeste rezistencën e tij. “Talibanët nuk janë problem vetëm për popullin afgan. Nën kontrollin e talebanëve, Afganistani pa dyshim do të bëhet qendra e terrorizmit radikal islamik; komplotet kundër demokracive do të zhvillohen edhe një herë prej këndej”, paralajmëronte ai. Ai shtoi se materialet dhe pajisjet ushtarake që Fronti i tij ka grumbulluar mund të shterohen shpejt në mungesë të furnizimeve nga fuqitë e jashtme.

Massoud ka ruajtur armë dhe materiale gjatë dy viteve të fundit, që kur SHBA filloi bisedimet me talebanët. Milicia e tij lokale është rritur, thonë ndihmësit e tij, me një dyndje të disa mijëra ish-anëtarëve të ushtrisë afgane, përfshirë anëtarë të njësive të forcave speciale dhe vullnetarë nga milicitë e tjera nga Afganistani verior dhe perëndimor.

Ushtarët e mbetur të ushtrisë afgane sollën me vete 6 helikopterë dhe pajisje të tjera dhe Fronti Kombëtar i Rezistencës ka 12 tanke të epokës sovjetike, thonë burimet antitalebane. Ata gjithashtu kanë raketa hedhëse ruse BM-21 Grad.

Nazari i tha Zërit të Amerikës Massoudi është mjaft i sigurt se ai mund ta vazhdojë rezistencën deri në dimër, kur luftimet do të pakësohen dhe moti i keq sezonal do të ndalojë një ofensivë talebane. “Talibanët do të mund të bëjnë më pak lëvizje në dimër”, tha ai.

“Pra, ne besojmë se mund ta mbajmë rezistencën deri në dimër. Por përsëri, është e vështirë të thuhet. Intensiteti i luftimeve do të ulet”, shtoi ai. “Nëse luftimet intensifikohen në ditët ose javët e ardhshme, mund të ketë një dritare të shkurtër mundësish për Perëndimin për të mbështetur Frontin Kombëtar të Rezistencës dhe kjo dritare mund të mbyllet shumë më herët nga sa e prisnim”, pohon Nazari.

Duke parë drejt Perëndimit

Nazari tha se Massoudi nuk ka kërkuar asgjë nga vendet fqinje, përfshirë Taxhikistanin, i cili ndihmoi babanë e tij. Përqëndrimi i tij ka qenë tek fuqitë perëndimore. Ndërsa nuk kishte ende një përgjigje nga qeveritë perëndimore, ligjvënësit amerikanë kanë qenë në kontakt. Vitin e kaluar, Massoudi u takua në Paris me Presidentin francez Emmanuel Macron, një takim i organizuar nga filozofi francez Bernard-Henri Levy, një mik i vjetër i babait të tij.

Nazari thotë se: “ne besojmë se vendet perëndimore duhet të qëndrojnë të angazhuara për shkak të kërcënimit që vjen nga terrorizmi. Terrorizmi ende ekziston. Terrorizmi ndërkombëtar ende ekziston dhe ai do të forcohet vetvetiu dhe do të jetë më i fortë në krahasim me vitin 2001. Do të ketë një al-Kaidë të guximshme, ISIS-i gjithashtu (Shtetin Islamik). Do të ketë grupe të tjera të copëtuara. Aktualisht ekziston një grup taleban shumë i fuqishëm. Pra është shumë e rëndësishme të mbash një aleat brenda Afganistanit. Thjesht nuk ka kuptim që bota perëndimore të braktisë aleatët natyrorë të saj, njerëz që mund të luftojnë terrorizmin, të cilët mund t’i rezistojnë gjallërimit së terrorizmit”.

“E gjithë kjo është një jehonë e frikshme, por edhe e dhimbshme e situatës gjatë sundimit të talebanëve, para sulmeve terroriste të 11 shtatorit”, thotë Toby Harnden, autor i librit “Viktima e parë: Historia e parrëfyer e betejës që nisi luftën në Afganistan”.

“Lugina Panjshir ishte terreni i sigurt për CIA-n në Afganistan para 11 Shtatorit. Pjesa e saj malore së bashku me luftëtarët e Ahmad Shah Massoudit, shumë prej të cilëve veteranë të luftës kundër ushtrisë sovjetike, e bënë atë një terren të fortifikuar ku talebanët nuk mund të depërtonin”, shton Harnden.

Ekspertët ushtarakë thonë se pa mbështetjen e jashtme, është e vështirë të vlerësohet se sa kohë Massoudi mund t’i mbajë talebanët jashtë luginës dhe furnizimi do të jetë i vështirë gjithashtu. Panjshir nuk ka aeroport dhe talebanët teorikisht kanë rrethuar tashmë luginën dhe “askush nuk mund t’i përgjigjet pyetjes edhe për sa kohë?”

“Ka shumë elemente që duhen marrë në konsideratë” i tha Zërit të Amerikës një ish-oficer i CIA -s, i cili e njeh mirë luginën. “Sovjetikët kurrë nuk hynë aty realisht; dhe talebanët kanë bërë vetëm pak përparim në Panjshir”, thotë ai. Ai shton se nuk është e qartë, se sa shpejt talebanët do të jenë në gjendje të kryejnë një ofensivë të madhe.

Këshilltarët e Massoudit thonë se ata besojnë se talebanët kanë shumë dobësi. “Ata nuk janë një grup i fortë ushtarake siç po i shohim duke u portretizuar në media”, thotë Nazari. “Ata kanë mungesë njerëzish dhe janë të stërngarkuar. Atyre u mungon mbështetja popullore. Ata kanë vetëm 75,000 luftëtarë për të kontrolluar një vend prej 38 milionësh”, shton ai.

“Një rrezik kyç për talebanët në raport me rezistencën në Panjshir është prishja e pakteve lokale që islamistët arritën me pleqtë e fiseve dhe kryekomandantët lokalë” thotë një oficer tjetër i inteligjencës perëndimore që ka shërbyer në Afganistan. “Ata i hapën rrugën talebanëve deri në Kabul”, shton ai. Shumë prej pakteve u lidhën sepse pleqtë e fiseve e të tjerë supozuan se talebanët do të ishin fitimtarë dhe “nëse përshtypja fiton terren, ata mund të sfidohen, atëherë grupet e tjera mund të vendosin të rezistojnë. Mos harroni thënien afgane: mund të më punësosh, por nuk mund të më blesh”, shton ai./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *