“Po përgatisim investime masive në energji”- Rama në Londër flet për projektet infrastrukturore me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut






Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër, në samitin e BERZH për investimet në Ballkanin Perëndimor, nga ku tha se prioritet kryesor i qeverisë është energjia dhe turizmi.

rama

“Besoj që tashmë jemi në një fazë të re e është shumë e qartë për njerëzit që vizitojnë Shqipërinë se është një parajsë e turizmit dhe për investimin në turizëm.

Nuk do ju bezdis me shifrat se në Ballkan kemi një shtysë të brendshme të themi ne kishim numrin më të lartë por dua t’iu them që ne edhe gjatë momenteve më të vështira të pandemisë kemi parë një rritje shumë të dukshme të industrisë sonë të turizmit.

Nga ana tjetër në sektorin energjitik që është strategjik jo vetëm për ne por dhe kohët që po jetojmë, po përgatisim investime masive në energji natyrisht me kompani të huaja.

E njëjta gjë falë qëndrimit të Varhelyi e nxitjes së tij për ta sjellë BE më pranë Ballkanit në terma reale kemi parë një sërë shtigjesh të reja që po hapen për infrastrukturën dhe rrjetin hekurudhor.

Shpresoj aqë do jemi në gjendje të bëjmë më shumë e të vazhdojnë me Kosovën hekurudhën Durrës- Prishtinë e nga ana tjetër me investimet për “Korridorin e 8″ me Maqedoninë e Veriut që do i japë nxitje shtesë ekonomisë sonë të Kosovës e rajonit”, u shpreh Rama.

Duke folur për prioritetet e qeverisë, kryeministri Rama tha se ato jane energjia turizmi dhe digjitalizimi:

“Energjia është shndërruar në pikë qëndrore për të gjithë e po punojmë për të. Tani po ecim drejt realizimit të objektivit për të pasur një vend të pavarur nga pikëpamja energjitike me investime që janë në proces.

Kemi problemin e të qenit tërësisht të varur nga energjia hidrike, që na bën me energji 100% të ripërtëritshme por kjo bashkëshoqërohet me dobësinë e varësisë thjesht nga një burim. Do diversifikojmë, për energjinë diellore, atë të erës por dhe hidrik.

I dyti turizmi, i lidhur fort me infrastrukturën. Këtu flas për “Korridorin blu” që është pjesë e rrjetit evropian, pjesë e procesit të Berlinit.

Kemi nisur po kështu investimet në portet e reja turistike dhe në portin e ri tregtar në Durrës që do transformojmë tërësisht tablonë e vendit si vend turistik me 4 porte të reja turistike”.

-Zoti Rama, pse duhet që investuesit t’i hedhin paratë në vendin tuaj? Pse duhet të angazhohet sektori privat?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, më lejoni t’i bashkohem, duke shprehur edhe në këtë vend solidaritet dhe mbështetje të plotë me popullin e Ukrainës.

Më lejoni të nis, duke thënë se besoj fort që investimi në Shqipëri apo në vendet e tjera këtu të pranishme është më shumë se të investosh në një vend. Është të investosh në një rajon me një potencial të pabesueshëm ende të pashfrytëzuar.

Besoj se Ballkani Perëndimor është kufiri i ri i investimeve në Europë, saktësisht për shkak të asaj çka për shumë vite e ka bërë këtë vend një destinacion të paarritshëm.

Nga ana tjetër, falë faktit që të gjitha vendet e rajonit po përmirësohen dhe po bëjnë maksimumin e tyre për të bërë më shumë. Sa për Shqipërinë individualisht, besoj se tashmë jemi në një fazë të re dhe është shumë e qartë për njerëzit që vizitojnë Shqipërinë se Shqipëria është një parajsë e turizmit dhe për investimin në turizëm.

Nuk do t’iu bezdis me shifra sepse në Ballkan kemi këtë shtysë të brendshme të themi “Ne kishim numrin më të lartë, numrin më të madh, numrin më të pabesueshëm”. Nuk do t’i bashkohem këtij kori të të jashtëzakonshmeve, por vetëm dua t’iu them që ne, edhe gjatë momenteve më të këqija të pandemisë, kemi parë rritje shumë të dukshme të industrisë sonë të turizmit.

Po shohim nga ana tjetër, gjithmonë e më shumë, të ndodhin gjëra në sektorin energjetik që është strategjik, jo vetëm për ne, por edhe për kohët në të cilat jetojmë.

Jemi tashmë duke përgatitur investime masive në energji, natyrisht me kompani të huaja. e njëjta gjë, falë qëndrimit të Komisionerit Várhelyi dhe falë nxitjes së tij për ta  sjellë Bashkimin Europian më pranë Ballkanit në terma reale.

Kemi parë një sërë shtigjesh të reja që po hapen për infrastrukturën tonë dhe sidomos për rrjetin hekurudhor. Shpresoj që do jemi në gjendje të bëjmë më shumë, sidomos që do jemi në gjendje të vazhdojmë nga njëra anë me Kosovën, me hekurudhën Durrës- Prishtinë dhe nga ana tjetër, për Korridorin 8 me Maqedoninë e Veriut, që janë në thelb dy drejtimet që do t’i japin një nxitje shtesë ekonomisë, jo vetëm tonës por edhe të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit.

Pak a shumë kjo është tabloja dhe siç iu thashë, nuk do iu jap të dhëna dhe shifra sepse ne jemi të gjithë të jashtëzakonshëm.

-Cilat janë përparësitë që keni? Mund të përmendni tri prej tyre në mënyrë të përmbledhur?

Kryeministri Edi Rama: Energjia, sigurisht, është shndërruar në një pikë qendrore për të gjithë dhe ne po punojmë për të qysh prej ditës së parë që kam ardhur në qeveri. Tani po ecim drejt realizimit të objektivit për të pasur një vend të pavarur, nga pikëpamja energjetike, duke përmbushur investime, të cilat janë tashmë në proces. Ne kemi problemin e të qenit tërësisht të varur nga energjia hidrike, që na bën një vend me energji 100% të ripërtëritshme, por në të njëjtën kohë, kjo bashkëshoqërohet me dobësinë e varësisë thjesht nga një burim. Ajo çfarë po bëjmë tani është të diversifikojmë. Ndaj kemi investime në energjinë diellore, po përgatisim investime për energjinë e erës, por përpjekja më e madhe sërish drejtohet për nga energjia hidrike, për të plotësuar të gjithë sistemin në mënyrë të tillë që do të na bëjë ne të pavarur në aspektin energjetik.

I dyti është turizmi, por natyrisht i lidhur fort me infrastrukturën dhe këtu po flas për Korridorin Blu, pjesë e rrjetit europian, pjesë e Procesit të Berlinit e po kështu, pjesë e asaj çka ne kemi gatuar, po themi, së bashku me komisionerin Varhelyi dhe tashmë do të nxisim realizimin e tij, sa i takon autostradës e po kështu, në të njëjtën kohë, jemi shumë të lumtur që në të njëjtin korridor do kemi dhe hekurudhën, duke qenë se është miratuar tashmë.

Kemi nisur, po kështu, investimet në porte, në portet e reja turistike dhe po ashtu në portin e ri tregtar në Durrës, që do të transformojë të gjithë tablonë e vendit si vend turistik, me 4 porte të reja turistike. Ndërkohë që, porti tregtar do nxirret jashtë nga qyteti i Durrësit, do të ndërtohet jashtë.

Po kështu dhe aeroportet e reja. Kemi përfunduar tashmë aeroportin e ri në verilindje dhe kemi nisur tjetrin në jug, ndërkohë që po bëjmë përgatitjet që të nisim me aeroportin e katërt, thellë në jug, në kufi me Greqinë, me Korfuzin.

Përparësia e katërt është digjitalizimi i plotë dhe investimi më shumë për të afruar sa më shumë rininë me teknologjinë.

Kemi tashmë 95% të shërbimeve për njerëzit në mënyrë të plotë digjitale, pra kemi ndryshuar tërësisht marrëdhënien midis qytetarëve dhe shërbimeve të shtetit, duke i shndërruar në shërbime tërësisht, jo në letër.

Ka disa shërbime, të cilat kërkojnë kontakt fizik, si për shembull kur duhet të marrësh një pasaportë apo dokument identifikimi apo kur duhet të merren shenjat e gishtërinjve.

Në muajt në vijim do të mbyllim të gjitha zyrat ku qytetarët merrnin shërbime dhe praktikisht, gjithçka do jetë online.

Në të njëjtën kohë, po bëjmë shumë përpjekje, në raport me arsimin, për të sjellë sa më shumë fëmijë në këtë botë të re të teknologjisë. Faleminderit.

–      Faleminderit vërtetë Edi Rama. Shoqata e Biznesit Lindore e Gjermanisë pyet se ku i shihni sfidat më të mëdha, por dhe mundësitë për rajonin kur vjen fjala për zbatimin e objektivave të klimës, të paracaktuara nga pakti i Gjelbërit i Bashkimit Europian dhe deklarata e Sofjes për agjendën e gjelbër të Ballkanit Perëndimor. Sa kanë nisur planet për zbatimin e agjendës së gjelbër në secilin prej vendeve dhe çfarë roli shihni të luajnë investimet e huaja të drejtpërdrejta?

Kryeministri Edi Rama: Mendoj që jemi prej shumë pak vendeve që vijojnë të ruajnë të njëjtin çmim energjie për konsumatorët, sidomos ata familjarë dhe bizneset e vogla, si përpara krizës. Po bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme për ta mbajtur në këtë linjë edhe pse trendi po shkon krejt në krah të kundërt të këtij drejtimi dhe natyrisht edhe në linjë me parashikimet e vitit të kaluar. Kemi hyrë tashmë në një fazë të re, duke ndryshuar tërësisht modelin e sistemit tonë energjetik, kur vjen fjala për shitjen dhe blerjen, duke futur pjesën e ruajtjes, që duam ta rrisim shumë më tepër, pra rezervat. Pas dy tenderave të suksesshme për energjinë fotovoltaike dhe nisjes së punës përgatitore, pas gjithë punës paraprake të kryer nga Voltalia, kompania e famshme franceze. Në të njëjtën kohë, ne po ecim përpara dhe kemi shkuar përtej studimeve paraprake për energjinë e erës. Besojmë që ka një potencial të madh për ne që të përftojmë sasi të konsiderueshme shtesë energjie të përtëritshme nga prodhimi në det dhe në të njëjtën kohë po eksplorojmë dhe prodhimin e hidrogjenit përmes parqeve fotovoltaike.

Ne besojmë se e gjithë kjo do të rritë dhe do të diversifikojë prodhimin tonë të energjisë, sidoqoftë energjia hidrike mbetet burimi ynë më i rëndësishëm, prandaj po investojmë tashmë në një projekt mjaft të madh, i cili praktikisht do të na lejojë të kemi më së fundi elementin që i mungon sistemit tonë, që është diga ekuilibruese, për këtë ne po punojmë shumë ngushtë me amerikanët, sëbashku me prodhimin e gazit të lëngshëm natyror, që do të nisë shumë shpejt, për pak javë ndoshta, falë bashkëpunimit dhe marrëveshjes me amerikanët dhe me anijet që do t’i afrohen brigjeve tona.

–      Pyetjet vijnë nga Federata e Punëdhënësve Francezë. Ata pyesin çfarë lloj turizmi parashikoni të zhvilloni si pjesë e strategjisë ekonomike?

Kryeministri Edi Rama: Për turizmin, mes të jashtëzakonshmëve ne jemi më të jashtëzakonshmit sepse jemi të bekuar me det, me mal, me lumenj, me liqene. Praktikisht kemi shumë mundësi edhe pse tradicionalisht ne jemi mësuar të eksplorojmë vetëm bregdetin dhe ndryshe nga disa të tjerë, nuk kemi zhvilluar ende diçka serioze në aspektin malor, por ka nisur. Në të njëjtën kohë po shtojmë për shembull, dhe jam i sigurt që të gjithë jeni të njohur me lumin Vjosa, lumi i fundit në gjendje natyrore, pra i egër në Europë, e po bëjmë një plan transformimi për ta transformuar Vjosën, jo vetëm siç është sot, një zonë natyrore plotësisht e mbrojtur, por për ta bërë një park kombëtar, çka nënkupton shumë dhe në fakt kur them pjesërisht, nuk them që është diçka e vogël. Është një hapësirë e jashtëzakonshme e ka një potencial të jashtëzakonshëm për të zhvilluar këtë lloj turizmi.

Ne jemi të bekuar me të gjitha këto dhe siç erdhi pyetja në frëngjisht, do të thoja që kemi një prani shumë aktive të grupi Accor, i cili disa vite më parë do të ishte e paimagjinueshme të ishte aty, ndërkohë që Accor-i po punon vit pas viti me më shumë kontrata për të vendosur brandin e vetë. Kjo punë po vazhdon dhe me brande të tjera. Mendoj që po ecim në një drejtim të mbarë këtu.

–      Pyetja e fundit nga audienca, e cila po pyet lidhur me ekonominë digjitale dhe kalimin drejt ekonomisë digjitale dhe sa e rëndësishme do të jetë kjo në të ardhmen për vendet?

Kryeministri Edi Rama: Mendoj që e ceka digjitalizimin më parë, kështu që nuk besoj se do të përsëris që praktikisht kemi digjitalizuar të gjithë sistemin e shërbimeve për qytetarët. Në të njëjtën kohë, ne kemi vendosur një theks të ri tek edukimi me teknologjinë e re. Dua vetëm të shtoj që tashmë jemi në proces për të miratuar shumë shpejt në parlament një legjislacion mjaft revolucionar për start-up dhe nomadët digjitalë që do ta bëjë Shqipërinë vendin më të jashtëzakonshëm dhe liberal që nuk do të ketë rregullime për startup-et dhe nomadet digjital, jo vetëm në rajon, por në të gjithë botën e ndoshta në mbarë planetin. Faleminderit!

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.