Prapaskenat e “Defender 21”/ Ambasadorja Kim fton Metën dhe Bashën, kreu i PD mungon! Rama i ‘heq fjalën’ Presidentit






ARISTIR LUMEZI/ Ditë e hapur për të gjithë qytetarët me Forcat e Armatosura shqiptare dhe amerikane pjesëmarrëse në stërvitjen “Defender Europe 21” u zhvillua dje në sheshin “Nënë Tereza”.

Defender-ne-shesh-32

Ky aktivitet ishte një mundësi për të parë bashkë presidentin Meta dhe kryeministrin Rama. Por për shkak të masave COVID, ata ishin ulur larg njëri-tjetrit, ndërsa u shmang dhe përshëndetja mes tyre, për shkak se menjëherë pas fjalëve solemne, kreu i qeverisë u largua. Gjatë aktivitetit të djeshëm, kryeministri Rama e shkëputi sinjalin e ERTV gjatë momentit kur presidenti Meta mori fjalën. Kreu i shtetit pati një shtrëngim duarsh me ambasadoren Kim, me të cilën ai shkëmbeu në distancë replika të forta para ditës së zgjedhjeve të 25 prillit. “Zëri i Amerikës” shkruan se ambasadorja Kim kishte kërkuar që në ceremoninë e sotme të ftoheshin Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili nuk ishte dje i pranishëm. Në aktivitetin inaugurues të kësaj stërvitjeje, protokolli i ministrisë së Mbrojtjes nuk kishte ftuar kreun e PD-së, Lulzim Basha, ndërsa ambasadorja Yuri Kim tha se do ta kishte ftuar nëse do ta bënte ajo protokollin e aktivitetit.

Në këtë stërvitje marrin pjesë më shumë se 28 mijë trupa nga 26 shtete. Shqipëria ka rol kryesor në këtë stërvitje si vend mikpritës dhe stërvitor, duke vënë në dispozicion disa baza ushtarake ajrore, detare dhe tokësore.

PRESIDENTI

Presidenti i Republikës Ilir Meta gjatë fjalës së tij vlerësoi lart nismën, organizimin dhe zhvillimin e kësaj stërvitjeje të rëndësishme në vendin tonë. “Mbështetja dhe shkëmbimi i eksperiencës mes Forcave tona të Armatosura dhe Forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera aleate dhe mike do të shërbejë për rritjen e aftësive dhe kapaciteteve tona të mbrojtjes në të ardhmen.

Jam i lumtur që pushteti lokal dhe popullsia e zonave të përfshira brenda rajoneve të zhvillimit të stërvitjeve kanë shpalosur dhe një herë mikpritjen dhe bujarinë tonë tradicionale. Kam bindje e besim të plotë se dhe pjesa e mbetur e finalizimit të kësaj stërvitjeje të madhe me trupa do të vazhdojë të jetë e suksesshme me angazhim të plotë të të gjithë aktorëve në arritjen e objektivave të përbashkëta.

Shpreh falënderimet më të përzemërta për kontributin dhe mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve tjera aleate dhe partnere që zgjodhën vendin tonë si vend pritës, për organizimin dhe zhvillimin e kësaj stërvitjeje tepër të rëndësishme. Si vend anëtar i NATO-s, ne ndjehemi të vlerësuar për këtë fakt. Sikundër kam theksuar dhe në hapje të kësaj stërvitjeje, NATO është aleanca më e madhe e lirisë dhe besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj saj është unanime, ashtu sikundër edhe vokacioni ynë europian.

Përgëzoj Forcat tona të Armatosura për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar dhe i inkurajoj për të vazhduar me përgjegjshmëri në drejtim të rritjes së aftësive trajnuese dhe kapaciteteve operacionale për të qenë gjithmonë të gatshëm dhe në përgjigje të situatave dhe detyrave, që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si edhe të angazhimeve në kuadër të NATO-s”, u shpreh Presidenti Meta. Më pas, kreu i shtetit së bashku me personalitetet e tjera të pranishme në këtë aktivitet, ndoqi demonstrimet e kryera nga trupat ushtarake të pranishme në “Ditën e Hapur” në Tiranë, vizitoi stendat informuese dhe mjetet ushtarake të vendosura në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe bashkëbisedoi me burrat dhe gratë në uniformë, pjesëmarrëse në stërvitjen e përbashkët “Defender Europe 21”.

RAMA

Kryeministri Rama vlerësoi dje aktivitetin e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, për cilësinë e re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

Rama ishte dje në “Ditën e Hapur” që stërvitja ushtarake “Defender Europe 21” zhvilloi në sheshin nënë Tereza në Tiranë, pas një seri veprimtarish profesionale në pothuaj gjithë territorin e vendit. Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij edhe për të gjithë ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje nga SHBA-ja dhe vendet e tjera.

“Dua t’i bëj një falënderim të posaçëm përfaqësues së qeverisë së SHBA-së në Shqipëri, ambasadores Yuri Kim, e cila me përkushtimin e saj mbresëlënës i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve duke u përfshirë në vetë të parë në mbështetjen e kërkesave dhe të nevojave të vendit tonë, qoftë në drejtim të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse, qoftë në drejtim të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona të drejtësisë”, deklaroi Kryeministri.

“Besimi që SHBA-ja ka treguar në vijim te ky partneritet dhe aleancë e madhe strategjike me Shqipërinë e vogël kulmon me këtë stërvitje ushtarake ‘Defender Europe 21’, e cila jo rastësisht është stërvitja më e madhe me përfshirjen më domethënëse që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e rajonit tonë”, tha Rama.

“Unë kam shumë besim, edhe bazuar në bisedat me gjeneralët që na nderuan me praninë e tyre me hapjen e kësaj stërvitje, por edhe në bashkëveprimin e vazhdueshëm me ambasadoren e SHBA-së se ne do të mund të hedhim hapa të tjerë në rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore të FA-së, duke krijuar kështu një hapësirë shumë tërheqëse edhe për të materializuar atë thirrje të ministrit të Mbrojtjes për të rinjtë, të cilët gjithnjë e më shumë do e shohin adresën e FA-së, si një mundësi të artë për formimin e jetën dhe për jetën e tyre pas shkollimit.

“Unë jam shumë falënderues dhe mirënjohës për të gjithë sa janë përfshirë në këtë proces të jashtëzakonshëm aspak të lehtë të Forcave tona të Armatosura dhe me bindjen e plotë që kjo stërvitje nuk mbaron në aspektin e influencës së saj në FA–të tona me mbarimin e afatit të përcaktuar, por do vazhdojë të influencojë moralisht të gjithë ushtarakët tanë, uroj që miqësia e madhe mes Shqipërisë dhe SHBA-së të jetë e përjetshme dhe ashtu siç tha ambasadorja ne të vazhdojmë të jemi krah për krah sot, nesër dhe gjithmonë”, përfundoi Rama.

YURI KIM

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, tha dje gjatë fjalës së saj se “Defender 21” hap një rrugë të re entuziazmuese për një bashkëpunim më të madh strategjik. “Kjo rrugë do të shohë që ushtarët amerikanë do kthehen në Shqipëri për të stërvitur, për të ndërtuar partneritete dhe për të bërë miq për jetë. Unë besoj se suksesi i ‘Defender 21’ pasqyron angazhimin e udhëheqësve dhe të popullit të Shqipërisë”, tha Kim.

“Ne e vlerësojmë që pavarësisht nga dallimet që mund t’i ndajnë njerëzit kohë pas kohe, ju e pranoni që gjendemi në një moment të rëndësishëm në histori dhe të gjithë jeni të bashkuar në marrëveshjen tuaj me ne të gjithë, mbi vlerën dhe rëndësinë e një marrëdhënieje edhe më të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, midis amerikanëve dhe shqiptarëve.

“’Defender 21’ vjen ndërsa festojmë 30-vjetorin e përfundimit të diktaturës komuniste, fillimin e demokracisë në Shqipëri dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Vjen gjithashtu njëqind vite pasi Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju në kërkesën tuaj të drejtë për një Shqipëri të pavarur. Ne qëndrojmë me ju sot, në mbështetje dhe solidaritet të fortë për një Shqipëri demokratike, të pavarur, të fortë. Do të vazhdojmë të qëndrojmë me ju, ndërsa ndërmerrni detyrat e vështira, tashmë të nevojshme, për të arritur potencialin e plotë të Shqipërisë. Këto detyra janë të vështira, por nuk janë të pamundura. Edhe nëse do ishin të pamundura, nëse dikush mund të sfidojë vështirësitë, ai është populli shqiptar. Ju e keni bërë këtë herë pas here përgjatë historisë dhe më duhet të them se jam vërtetë e prekur që jam këtu, në Shqipëri, dhe të shoh drejt sheshit ‘Skënderbej’, statujën e heroit tuaj, i cili duhet të jetë një hero për të gjithë ne si një simbol i bashkimit, këmbënguljes dhe vizionit. Jam krenare që jam sot këtu me ju, jemi krenarë që jemi me ju si aleatë këtu sot, nesër, krah për krah, përgjithmonë”, tha ambasadorja Kim.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *