Prapaskenat e dorëheqjeve në PS, pas Çomos edhe Braçe flet për ‘fundin’- Pse mandati i Shefes së Infektivit nuk i kaloi Pandeli Majkos! Si bëhet zëvendësimi i vakancës së deputetit










ARISTIR LUMEZI/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka njoftuar se i ka ardhur fundi karrierës së tij 24- vjeçare në politikë.

Përmes statusit më konciz të shkruar prej tij në llogarinë e “Facebook”-ut, Erion Braçe bën bilancin e aktivitetit të tij politik që nga viti 1997, kur u bë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për herë të parë.

Nëse do t’i qëndrojë këtij vendimi, Erion Braçe do të duhet të dorëzojë mandatin e deputetit, duke ndjekur shembullin e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, i cili pasi rezultoi më i votuari në qarkun e Fierit, u shpreh publikisht se do të tërhiqej nga politika tashmë në moshën 70-vjeçare. “Ka një fund! I nderuar që shërbeva për njerëzit në nevojë! Në ditët e tyre më të vështira në 24 vitet e fundit. Pas çdo pune të kryer, vepre të ndërtuar nuk jam unë, janë punëtorët! Mijëra që punuan, ndërtuan, ndryshuan Divjakën dhe fshatrat”, shkruan Braçe.

Ky vendim i zëvendëskryeministrit, erdhi pak orë pas bilancit që kreu i qeverisë i bëri kabinetit të tij gjatë mandatit të dytë. Kryeministri Rama vlerësoi ministrat më të suksesshëm, por shprehu dhe rezervat që kishte për disa prej tyre, për të cilët kishte pritshmëri më të larta. Nuk pati një vlerësim për zëvendëskryeministrin Braçe, dhe pse ai e ka zëvendësuar Ramën në shumë mbledhje qeverie, kur janë miratuar vendime shumë të rëndësishme dhe të debatueshme.

Mungesa e këtij vlerësimi përkthehet në lënien jashtë kabinetit të ri qeverisës të Erion Braçes nga ana e Kryeministrit Rama. Përmes statusit të tij në “Facebook”, Braçe nuk flet për “një fund” në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në qeverinë e ardhshme, por fund të shërbimit ndaj njerëzve në nevojë në 24 vite të karrierës së tij politike. Gazeta “Panorama” e pyeti zëvendëskryeministrin nëse përmes këtij njoftimi po dorëzon dhe mandatin e deputetit të fituar në zgjedhjet e 25 Prillit, por Braçe nuk preferoi të jepte asnjë shpjegim.

Statusin në “Facebook”, Erion Braçe e shoqëron me një video kur ai bashkë me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, vizitonin zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, një ditë pas tragjedisë kur lëkundjet e tërmetit ishin ende aktive. Erion Braçe u bë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste në vitin 1994. Midis 1997-2001, ai ishte anëtar i Komisionit për Ekonomi, Financa dhe Privatizim. Braçe është zgjedhur si anëtar i Kuvendit shqiptar për gjashtë legjislatura dhe më parë ka shërbyer si kryetar i Komisionit për Ekonomi dhe Financa, teksa u emërua zëvendëskryeministër më 28 dhjetor 2018 dhe u konfirmua me një dekret presidencial në 4 janar 2019.

NAJADA ÇOMO

Shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, ka preferuar të qëndrojë në krye të detyrës duke refuzuar mandatin e deputetit. E renditur e dyta në listën e kandidatëve për deputet në qarkun e Tiranës, pas inxhinieres Luljeta Bozdo, dy nga risitë e listës Rama për të maksimalizuar votat për Partinë Socialiste. Lajmin e ka bërë publik Kryeministri Rama, i cili gjatë fjalës së tij në mbledhjen e fundit të qeverisë tregoi se përse zonja Çomo kishte kërkuar të dorëhiqej nga mandati i deputetit.

“Jam sinqerisht i prekur nga komunikimi me doktoreshë Najada Çomon, e cila u bë simbol i rezistencës së mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë. Ajo më kërkoi para pak kohe të pranoja tërheqjen e saj nga roli i ri i deputetes së sapozgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë, duke e ndierë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj fantastik, pikërisht në momentin kur varianti ‘Delta’ i virusit nisi të mbushë shtretërit e pavijonit të terapisë intensive. E falënderoj Najadën edhe publikisht, siç bëra edhe personalisht, për këtë shembull kuptimplotë të ndjenjës së lartë të detyrës ndaj atyre më në nevojë se askush tjetër. I them sot një faleminderit shumë të madh, me përulje dhe me gjithë zemër, të gjithë atyre që deri këtu na kanë nxjerrë me kokën lart përballë armikut të padukshëm”, tha Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij.

MIMI KODHELI

Mandatin e doktoreshë Najada Çomos do ta marrë ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e renditur në vendin e 21 në listën e PS-së për Tiranën. Zonja Kodheli mori vota preferenciale, por jo mjaftueshëm për të thyer herësin dhe për të marrë mandatin e deputetit. Si një nga gratë më të votuara në listën e PS-së për Tiranën, znj. Kodheli u rirendit në vendin e 20 në këtë listë në bazë të votave preferenciale. Në bazë të Kodit Zgjedhor, një deputet që i përket shtresës më pak të përfaqësuar në Parlament (në këtë rast gratë) lë mandatin për një arsye të caktuar, ky mandat i shkon një tjetër kandidati të po kësaj shtrese, në bazë të votave të mbledhura. Burime nga Partia Socialiste thanë se Luljeta Bozdo do të jetë deputetja më e vjetër që do të hapë seancën e parë të kësaj legjislature, si deputetja më e moshuar, ndërsa Mimi Kodheli është një nga kandidatet për të drejtuar Kuvendin e Shqipërisë.

Kodi Zgjedhor, përse mandati i Çomos nuk i kaloi Majkos

Në bazë të Kodit Zgjedhor, një deputet që i përket shtresës më pak të përfaqësuar në Parlament (në këtë rast gratë) lë mandatin për një arsye të caktuar, ky mandat i shkon një tjetër kandidati të po kësaj shtrese, në bazë të votave të mbledhura. Pandeli Majko është deputeti më i votuar poshtë listës preferenciale të PS-së, por mandati i zonjës Çomo i kalon Kodhelit. Neni 164 i Kodit të ri Zgjedhor, ku flitet për ndërprerjen e mandatit dhe zëvendësimin e vakancës, saktëson se si kalon mandati nga një deputet te një tjetër brenda së njëjtës forcë politike. “Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të Këshillit të Bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar. Në këtë rast, plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i 116 gjinisë së nënpërfaqësuar pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”, thuhet në pikën 2 të nenit 164 të Kodit Zgjedhor.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *