Prapaskenat e përplasjes në PS për tenderat e Fierit, SPAK gati të hetojë. Ish-kreu i Kadastrës përgjigje Koçit: Më vjen ndot








MARIGLEN KUME/ Pas qarkut të Vlorës ku strukturat qendrore të Partisë Socialiste nuk janë të kënaqura me institucionet lokale, edhe qarku i Fierit ka hyrë në të njëjtën vorbull.

koci-spak-rama

Ishte deputeti i sapozgjedhur dhe njëkohësisht kryetari i PS-së në Fier, Petro Koçi, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale hodhi akuza ndaj institucioneve lokale në Fier se bashkëpunojnë me krimin, duke kontribuar kështu sipas tij, në pastrimin e parave dhe forcimin ekonomikisht të fortët e Fierit. Koçi shkoi më tej, duke i bërë thirrje SPAK-ut që të zbarkojë në qarkun e Fierit për të ndarë përfaqësuesit e krimit të organizuar nga përfitimet e taksapaguesve shqiptarë përmes tenderëve.

“Efektet e SPAK-ut dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndiejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier, ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tenderë publikë. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh, ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtareve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet, si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit, duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke larë paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”, shkroi Koçi.

Denoncimin e tij Koçi e shtjelloi edhe në një intervistë për “News 24”, ku sqaroi se si përfitojnë grupet kriminale nga paratë e taksapaguesve. “Në çdo qytet gjen raste kur pallatet i kanë ndërtuar disa të fortë. Fieri ka protagonistë kriminalë, ndaj duhet t’i bashkohemi këtij optimisti për të luftuar krimin. Ata futen në lloj-lloj tenderësh. Kanë bërë subjekte legale. Kudo futen. Mekanizmi është ky: ose kanë lidhje drejtpërdrejtë me një zyrtar që administron financat publike, ose kërcënon zyrtarët, ose anëtarët e komisioneve që bëjnë tenderë, njerëz të thjeshtë. Ata janë njerëz të zakonshëm që ndoshta kërcënohen. Dhe e treta, duke kërcënuar rivalët, konkurrentët e së njëjtës natyrë biznesi. Kjo mendoj se është si mekanizëm. Nuk është se këta dominojnë në gjithçka, por kapin dhe fonde publike. Megjithëse ligji është forcuar, ka manovra që edhe ky ligj nuk i parashikon. Ka subjekte që janë indirekt të tyre dhe është e vështirë që të interpretosh. Thirrja ime është që kjo teknologjia e luftës ndaj krimit të përforcohet”, tha kreu i PS-së së Fierit.

AKUZA

Në thirrjen që i bëri SPAK-ut, kryetari i PS-së së Fierit nuk përmendi emra. Por vetëm 4 ditë më vonë, Petro Koçi në rrejtët sociale ka publikuar një analizë paraprake të zgjedhjeve të 25 prillit, ku në këtë postim duket se Koçi njëkohësisht përmend institucionet që mund të kenë bashkëpunim me përfaqësuesit e krimit, por që edhe nuk kanë kontribuar pozitivisht në zgjedhjet e kaluara. “Administrata me përformancën e saj nuk ndihmoi. Ndërkohë, imazhi i saj ne disa sektorë, si kadastra apo arsimi, kishin vlerësim negativ, duke u kthyer ne kosto politike për PS-në. Ndryshimet e bëra para fushatës sollën një qasje të re. Me vjen çudi sesi këto ditë kadastra i është rikthyer konjukturës së vitit të kaluar”, shkroi Petro Koçi në postimin e bërë publik më datë 20 korrik, pikërisht tri ditë më përpara.

PËRPLASJA

E ndërsa deri ditën e djeshme nuk kishte asnjë kundërpërgjigje nga socialistët e Fierit ndaj Petro Koçit, dje iu kundërpërgjigj ish-drejtori socialist i Kadastrës në Fier. Përmes një shënimi në “Facebook”, ish-drejtori i Kadastrës në Fier, Ervin Bushi, akuzon deputetin e zgjedhur se po përçan Partinë Socialiste në atë qark. Sipas Bushit, ish-ministri i Mbrojtjes u delegua në Fier që të bënte punë të mira, por në fakt ai e akuzon atë se po bën të kundërtën. “Se pari, mendoj qe nuk eshte serioze per familjen politike shkrimi i statuseve te tilla prej tij, ne te cilat fyhen figura e baltosen personalitete duke venë si kriter vlerësimi interesat personale dhe duke shkelur me te dy kembet parimet mbi te cilat mbeshtetet forca jone politike. Sa keq keshtu, kur kryesia e PS-së te sjell per te bere pune te mira dhe t’i s’mundesh te besh asgje! Sa keq keshtu, kur kryesia te sjell per te punuar e bashkepunuar dhe ti vetem perc’an dhe njollos! Sa keq qe ne vend te shohesh se sa shume eshte rilindur e lulezuar qyteti yne ti deshiron te shohesh vetem njolla te erreta”, shkoi Bushi.

Ndërkohë, sa i përket përmendjes së institucionit që drejtonte ai në analizën e zgjedhjeve, Bushi refuzon duke u shprehur se i vjen ndot. “Me vjen ndot kur thua se indikator per humbjen e mandateve apo rezultatin e arritur ne zgjedhje ka qene performanca e ASHK-se Fier! Turp per ty te mohosh rezultatet e punes kolosale te ish-Drejtorisë se Aluiznit dhe ASHK-se aktuale Fier! Sa keq me vjen kur mohon totalisht te verteten dhe thua qe ASHK-ja Fier ka pasur performance te ulet!

Ti zotëri i sjell ne krye te partisë ne Fier dhe e di mire qe ne 2013 Aluizni ka filluar punen vetem me 800 dosje te legalizuara nga paraardhësit dhe tani meqenëse nuk e di, po ta them se e kemi c’uar ne 21.000 numrin e banesave te legalizuara”, vijoi Bushi teksa akuzoi Koçin se nxjerr vrerë ndaj socialistëve, sepse mori shumë pak vota preferenciale në Fier. Ndërkohë, përmes burimeve mësohet se SPAK-u nis verifikimin e deklaratave të ish-zëvendësministrit të Mbrojtjes, Petro Koçi.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *