PRAPASKENAT/ Pa kontakt nga PD, aleatët e vegjël nisin takimet për të formuar grup parlamentar! Ja vështirësitë që kanë





MARIGLEN KUME/Kur na ndajnë edhe tri ditë nga seanca e parë plenare e kësaj legjislature, aleatët e vegjël të Partisë Demokratike e kanë të paqartë bashkëjetesën e tyre politike me selinë blu.

aleatet e pd

Në këto kushte duket se kryetarët e partive që garuan në një listë me PD-në në zgjedhjet e 25 prillit, do të takohen më vete për të gjetur dakordësinë për të formuar grupin e tyre parlamentar.

Gazeta “Panorama” mësoi përmes burimeve se kreu i PAA-së, Agron Duka, ai i PR-së, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi i LZHK-së dhe Vangjel Dule do të takohen ditën e sotme për të vendosur mbi të ardhmen e tyre politike në Parlament. Sipas rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, për të krijuar një grup parlamentar, duhen të paktën 7 deputet në përbërje.

“Brenda 5 ditëve nga data e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit ose e marrjes së mandatit gjatë legjislaturës, çdo deputet deklaron me shkrim se në cilin grup parlamentar bën pjesë ose deklarimin si deputet i pavarur ose jashtë grupeve parlamentare.

Grupi parlamentar formohet nga jo më pak se 7 deputetë. Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm në një grup parlamentar”, thuhet në pikën 5 dhe 6 të nenit 16 të rregullores së Kuvendit.

NEGOCIATAT

Por duket se nuk është shumë e lehtë për aleatët që të krijojnë grupin e tyre parlamentar. Në zgjedhjet e 25 prillit, me logon e Partisë Republikane, por në listën e PDsë dolën tre deputetë: një në Tiranë që ishte z. Mediu dhe dy në Lezhë; Elda Hoti që mori mandatin e Mark Markut dhe Lindita Metalija. Ndërkohë, edhe PDIU mori tri mandate, dy në Tiranë dhe një në Qarkun e Fierit.

Ndërsa LZHK, PAA, PBDNJ morën nga një mandat. Në përllogaritjen e parë duket se aleatët i kanë deputetët për të formuar grupin parlamentar, por në thelb hasen probleme. Problemi i parë është që në të vërtetë me logon e PR-së janë tre deputetë, por në fakt vetëm një është i Partisë Republikane.

Pasi dy të tjerët, Elda Hoti dhe Lindita Metalija, janë demokrate, të cilat u vendosën nga Basha në pozicionet që kishte parashikuar në marrëveshje me aleatët për pozicionet e tyre. Kështu, automatikisht në Partinë Republikane mbetet vetëm një deputet.

Ndërkohë, në PDIU, edhe pse Mesila Doda u kandidua si deputete e PD-së, ajo është në Partinë e Çamëve dhe PDIU i ka funksional të vetët tre deputetë. Me këtë llogari, nëse të gjithë aleatët e vegjël, nëse bashkohen e krijojnë grupin parlamentar. Por ka edhe një pengesë. Bërja bashkë e PDIU-së së çamëve me PBDNJ-në e minoritetit grek. Kjo është edhe negociata më e vështirë që kryetarët e partive të vogla do të diskutojnë në takimin që pritet të zhvillohet sot.

Kjo situatë edhe mund të lehtësohej nëse aleatët do të kishin kontakt me kryedemokratin Lulzim Basha, pasi ky i fundit t’i jepte ndonjë nga deputetët e PD-së në grup, por sipas burimeve të gazetës “Panorama”, aleatët nuk kanë pasur kontakte me kreun e PD për t’u takuar teksa na ndajnë edhe 3 ditë nga mbledhja e parë.

Po kështu, nuk ka kontakte as mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike, të cilat hynë në zgjedhje si aleate, por duket se nuk dolën të tilla.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.