Preç Zogaj përkujton “8 Dhjetorin” dhe flet mbi situatën aktuale në PD: Kjo që ka ndodhur ka hequr dualizmin e kryetarit dhe na ka afruar më ShBA-të, dy premisa fituese









Publicisti Preç Zogaj, gjatë organizimit të mbajtur nga Partia Demokratike në lidhje me pasqyrimin e ngjarjeve të “8 Dhjetorit”, u ndal dhe tek zhvillimet aktuale në këtë forcë politike.

prec zogaj

Zogaj u shpreh se zhvillimet e fundit kanë pasur dy anë pozitive të cilat mund t’i vijnë në ndihmë së djathtës për tu rikthyer në pushtet. Sipas tij pezullimi i liderit historik Sali Berisha bëri që të hiqet dualizmi mbi kryetarin real të PD-së, si dhe e afroi partinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Analisti thekson se këto janë dy premise që të çojnë në fitore.

“Unë jam pranë PD, kam shprehur shqetësim për dy gjëra, së pari PD nuk mund të shkojë në fitore, duke mos zgjidhur problemin e dualizmit në drejtimin e saj. Nuk ka parti të djathtë që s’dihet kush është kryetari, nuk mund të ndodhë. Dualizmi që as kryetari s’bëhet kryetar dhe as ish-kryetari që nuk ikën nga kryetar, nuk ka. Dualizmi nuk çon në fitore dhe po t’i kesh të tëra letrat në rregull.

E dyta, prej disa vitesh ka pasur një pengim nga SHBA për PD. Arsyet janë bërë të qarta në zhvillimet që kanë ndodhur, do ndodhin të tjera më vonë. Ajo është fuqi e madhe, ne nuk mund të bëjmë dot asgjë. Nuk ka të ardhme PD, që ka lindur si oksidentale, që të rithemelohet si oksidentale dhe të fitojë zgjedhjet, është pa sens.

Kjo krizë që ndodhi ka zgjidhur dualizmin dhe ka hequr pengesën amerikane. Pas 30 vitesh, unë konstatoj se për herë të parë SHBA kthehen dhe deklarohen për një bashkëpunim të ngushtë me PD dhe shprehin dëshirën të festojnë pranë saj fitoren, sic ka ndodhur më 1992. Heqja e dualizmit dhe rivendosja e marrëdhënieve të ngushta me SHBA janë dy premisa të fuqishme, pa të cilat nuk fiton, edhe po t’i kesh të tjerat në rregull. Prandaj them se duhet që, së paku, përtej shumë dallimeve e ndryshmeve, që ekzistojnë në PD, në 2-3 gjëra duhet të bashkohemi, së pari të bashkohemi tek euroatlantizmi, tek ai euroatlantizëm që e njohin dhe ata si të tillë, jo të themi jam pro amerikan, po kur ata s’më njohin për të tillë, s’jam; të bashkohemi rreth vetëdijes se përballë PD ka vetëm një kundërshtar, që është qeveria e Edi Ramës”, tha  Zogaj.

Gjithashtu gjatë fjalës së tij publicisti rikujtoi dhe fillimet e pluralizmit në Shqipëri, si një prej themeluesve të Partisë Demokratike. Sipas tij pluralizmi në Shqipëri u fitua nga lëvizja e Dhjetorit, ndërsa PD ishte produkti politik i saj.

“Unë jam Preç Zogaj, jam shkrimtar dhe poet, publicist për të gjithë që nuk më njohin. Jam një nga themeluesit e parë të Partisë Demokratike, së bashku me studentët e dhjetorit, Azem Hajdarin, Sail Berishën, Gramoz Pashkon dhe Arben Imamin. Unë kam shkruar gjerë e gjatë për lëvizjen e dhjetorit dhe për tranzicionin. Por libri më i dashur është Fillimet që ka në fokus zhvillimet 1990-1992. Faqet që me emocionojnë dhe mua janë orët e një ngjarjeje ku unë nuk kam qenë pjesë, që janë ngjarjet e mbrëmjes së 8 Dhjetorit deri në mesnatë. Ishte një ngjarje që i dha betejën më ballore regjimit komunist. Ata u nisën natën nga një qytet pa drita drejt të panjohurës, drejt shkopinjve të gomës, aty është momenti kur një grup studentësh që nuk kanë shumë njohje por i dhanë drejtim vendit.

Unë atë ngjarje e kam bërë duke u konsultuar dhe me Azem Hajdarin. Ne nuk ishim student, ne u bashkuam me lëvizjen të pasnesërmen dhe pas tre ditësh.

Çfarë është një gjë që na bashkon të gjithë neve që kemi shkruar për atë ngjarje, është që demokracia dhe pluralizmi janë vepër e rinisë në Shqipëri.

E dyta sërish është që lidhet po me rininë, kthimi i Shqipërisë për herë të parë me fytyrë nga perëndimi është vepër e rinisë. Kjo ndodhi atë ditë, çdo gjë që erdhi më pas, edhe Partia Demokratike erdhi për t’i dhënë shprehje politike asaj që studentët vendosën, kthimin e Shqipërisë drejt perëndimit. Nuk është asnjëherë e tepërt të përkulemi përballë studentëve që u përballën me Ramiz Alinë. Janë emra konkret që u përballën me Ramiz Alinë dhe ja morën pluralizmin. Kjo është Shqipëria, Shqipëria demokratike është identiteti i rinisë.

Demokracia nuk është pronë, lidershipi nuk është pronë. Prona janë në sisteme të mbyllura. Në sisteme të hapura ato lihen me stafetë. Shqipëria ka rininë, lëvizja studentore e rinisë është monumenti më i madh i ngjarjeve që e parapërgatitën duke filluar me 14 Janarin, ku një grup studentësh në Shkodër projektuan rrëzimin e bustit të Stalinit, më pas kemi ngjarjen në Kavajë, kemi hapjen e ambasadave”. tha Zogaj.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *