PREÇ ZOGAJ: Zgjedhjet pa debate, fyerje për qytetarët

PREÇ ZOGAJ

Prec-Zogaj

Ka një problem të madh me zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri. Me përjashtime shumë të rralla, nuk shohim të ketë debate ballë përballë mes palëve kundërshtare. Arsyeja numër një vazhdon të jetë vendimi i pashkruar i Partisë Socialiste rreth dy vjet më parë për të shmangur përballjet në studiot televizive me PD dhe LSI. “Përderisa braktisën Kuvendin, aulën institucionale të dialogut dhe debateve, s’kemi përse dalim me ta nëpër studio televizive”, ky ka qenë pak a shumë arsyetimi i kupolës qeveritare. Shumica dërmuese e ministrave dhe deputetëve socialistë i kanë qëndruar këtij ndalimi. Edhe kur ka ndodhur me të rrallë që ndonjëri të harronte vërtet, të hiqej sikur kishte harruar apo të mos i jepte rëndësi për momentin ndalimit në fjalë, dikush nga kupola e partisë ia ka kujtuar dhe “harraqi”, në mos është tërhequr në çast, nuk ka harruar më herë të tjera.

Si përfundim, për dy vite me radhë, kemi parë zëvendësimin e përballjes në arenë, nga afër, me përballjen hidh e prit në distancë, nga llogoret. Kjo nuk mund të mos shërbente mbajtjen në nivel të lartë të tensioneve politike në vend.

Tryeza e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore e tejkaloi pjesërisht këtë situatë. Kryeministri Rama, megjithatë, nuk ua hoqi ndalimin të vetëve. Ndërkohë që personalisht, është vetëndaluar të zhvillojë një debat në studio me kryetarin e PD-së, zotin Basha, shumë kohë përpara se opozita t’i jepte një justifikim me djegien e mandateve.

Shpërndarja e Kuvendit para fillimit zyrtar të fushatës për zgjedhjet e reja e rrëzon vetvetiu arsyen, justifikimin, pretekstin a çfarë ka qenë vendimi i PS-së për të refuzuar përballjet me opozitën. Partitë rivendosen në start nga e para. Hapet rruga e ballafaqimit të liderëve, kandidateve, programeve, një standard dhe detyrimin demokratik i subjekteve politike para zgjedhësve.

A do të ndodhë kjo kësaj radhe? Apo Rama e ka ndarë mendjen të shkojë në zgjedhje pa debate, duke i privuar kësisoj zgjedhësit shqiptarë nga një e drejtë dhe një standard që i ndihmon ata të gjykojnë sa më mirë për programet dhe kandidatët? Sepse dihet: debatet janë momente kulmore të çdo fushate. Janë kripa e fushatës, po të përdorim një shprehje të popullit; janë dueli në arenën e fakteve, argumenteve, kapaciteteve, logjikës, oratorisë e tjerë; janë peshorja më e mirë ku çdo gjë që thotë njëra palë vihet menjëherë në gjykimin e palës tjetër dhe nga kjo përplasje e vërteta është kurdoherë më e qëruar.

Fushata për zgjedhjet e 25 prillit ka shumë çështje për t’u debatuar, por tri janë themeloret: Bilanci i qeverisë, programi i opozitës dhe dosjet e korrupsionit, për aq sa mund të debatohet për to pa shkelur në sinorët e organeve të drejtësisë. Nëse Rama dhe qeveria e tij do të ishin të bindur në vërtetësinë e arritjeve që propagandojnë, ata do të ishin të parët që do ta sfidonin opozitën në debat. Ka gjasa që kjo të mos ndodhë dhe shumica aktuale të parapëlqejë deri në fund ta tregojë “të vërtetën” e saj si monolog, si ambalazh, pa kryqëzim ballë përballë të fakteve dhe argumenteve me përfaqësues të opozitës. Pretekste dhe alibi për të shmangur debatet mund të gjenden plot. Por shmangia tregon pasiguri, frikë. Çfarëdo që të thuhet.

Që ikja e palës qeveritare nga debatet të shkojë në favor të opozitës, duhet që opozita të ngulmojë në zhvillimin e tyre në disa nivele. Duke filluar në nivelin me të lartë mes Bashës dhe Ramës e duke vazhduar në nivelin e ministrave hije, në shembullin e debateve të famshme në zgjedhjet e vitit 2015, mes krerëve të qarqeve dhe kandidatëve për deputetë e deri në nivel specialistësh që debatojnë teknikisht e profesionalisht për bilancet dhe programet.

Ngulmimi në këtë rast nuk është shprehja standarde e gatishmërisë që nuk thotë ndonjë gjë, por janë ftesat zyrtare dhe një plan konkret për debat që opozita ia drejton palës qeveritare, teksa gjen mbështetje edhe te mediat dhe shoqëria civile. Ftesat dhe plani janë topi në fushën e qeverisë. Asgjë tjetër.

Në këtë kontekst, opozitës i shkon të kërkojë mbështetjen e misionit të OSBE-së gjithashtu. Në të kaluarën, OSBE ka marrë përsipër të organizojë debate të dobishme të kandidatëve në qarqe të ndryshme të vendit. OSBE besoj do të befasohej shumë nëse Shqipëria shkon në zgjedhje pa asnjë debat. Besoj gjithashtu se ajo do të shprehet publikisht për rëndësinë e debateve në zgjedhjet demokratike dhe do t’u bëje thirrje partive dhe mediave të angazhohen për zhvillimin e tyre.

E nëse Rama me të tijtë serish do të bëjnë sikur nuk do të dëgjojnë, pavarësisht kostos që do të kenë si shmangës të debateve të identifikuara qartë si të tillë, opozitës i duhet të ndërtojë forma të tjerë të debatit publik ku të përballet konkretisht me pyetjet, dyshimet, kundërshtimet e madje edhe me akuzat në qarkullim për premtimet e saj programore, duke i shteruar me përgjigje sa më bindëse nga profesionistët në radhët e saj. Opozita që beson në programin e saj nuk mund të ketë strategji tjetër, veçse të shpjegohet e të dëgjohet. Kjo është strategjia që shton vota.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *