Presidenti Meta përuron bustin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut në Budapest: Hungaria mbetet mbështetëse e palëkundur e integrimit evropian të Shqipërisë








pjimage - 2021-07-05T130518.783

Presidenti Ilir Meta ka përuruar bustin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu të vendosur në parkun qendror Városliget të Budapestit.

Kreu i shtetit theksoi se “nuk ka figurë historike, e cila simbolizon dhe mishëron më shumë rrënjët e miqësisë dhe të aleancës midis dy popujve tanë, se sa Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Presidenti Meta dhe Presidenti i Hungarisë János Áder, pas prerjes së shiritit përurures dhe zbulimit të veprës së skulptorit shqiptar Agim Rada, si dhe fjalimeve përshëndetëse, vendosën kurora në shenjë nderimi pranë bustit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe kryebashkiaku i Budapestit Gergely Karácsony si dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Siç shihet nga fotot, në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Fjala e kreut të shtetit duke përshëndetur autoritetet e pranishme në përurimin e bustit të Heroit tonë Kombëtar:

“I nderuar Shkëlqesia Juaj, President Ader,

I nderuar Kryetar i Bashkisë së Budapestit Karacsony,
Të nderuar autoritete të pranishëm,
Të dashur miq!

E prita me kënaqësi dhe emocion të veçantë, ftesën e Shkëlqesisë së Tij zotit President Ader, për të qenë i pranishëm në ceremoninë e vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Budapest.

Nuk ka figurë historike, e cila simbolizon dhe mishëron më shumë rrënjët e miqësisë
dhe të aleancës midis dy popujve tanë, se sa Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Lidhjet dhe aleanca e heroit tonë kombëtar me Prijësin ushtarak dhe drejtuesin e spikatur politik të Hungarisë, por dhe të mbarë Evropës Qendrore, Janosh Huniadi, janë legjendare.

Lidhjet dhe bashkëpunimi njëzetvjeçar midis familjeve fisnike të Kastriotëve dhe prijësit të tyre Skënderbe me familjen fisnike të Huniadëve dhe prijësit të tyre Janosh, janë dëshmia e rrënjëve të thella dhe solide të miqësisë midis popullit shqiptar dhe atij hungarez.

Kjo miqësi dhe aleancë u ngjiz, farkëtua dhe u sprovua që në fillimet e vitit 1440, kur dy prijësit tanë morën pjesë në një operacion të përbashkët ushtarak në Transilvani dhe që më pas u kthye në një aleancë të vërtetë dhe të fortë ushtarake kundër pushtuesit të përbashkët otoman duke vazhduar përtej edhe në vitin 1448.

Kjo aleancë strategjike e Gjergj Kastriotit dhe e Janosh Hunyadit shkëlqeu me sukseset e betejave antiosmane të periudhës 1443-1444, dhe e shpëtoi Europën nga valët shkatërrimtare.

Dy Prijësit tanë legjendarë, u shndërruan në mburoja të vlerave dhe të traditave të qytetërimit evropian.

Por jehona e kësaj aleance i kapërceu shekujt dhe u materializua më pas edhe në krijimin e Mbretërisë Shqiptare, sepse fisnikëria hungareze e përfaqësuar nga Mbretëresha me prejardhje hungareze Geraldine Apponyi në krah të mbretit Zog, hodhën themelet e kurorës mbretërore shqiptare

Për të cilën të gjithë ne, shqiptarët, jemi krenarë sepse e konsiderojmë mbretërinë një moment të rëndësishëm në historinë shtetformuese të vendit.

Ne i jemi mirënjohës Hungarisë që, si pjesë e Perandorisë Austro- Hungareze, ishte ndër të vetmet vende ndër Fuqitë e Mëdha që ishte pro krijimit të shtetit shqiptar pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane.

Edhe sot, ashtu si në kohën e aleancës së Kastriotit dhe të Huniadit, Hungaria mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit evropian të Shqipërisë.

I jemi mirënjohës Hungarisë për mbështetjen e pakursyer për popullin shqiptar edhe në momente të rënda të fatkeqësive natyrore. Vlerësojmë veçanërisht shumë kontributin e saj në përballimin e pasojave të tërmetit dhe luftën me pandeminë.

Jemi krenarë që vitin që vjen do të kremtojmë së bashku 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.

Në fund, më lejoni që të falënderoj Shkëlqesinë e Tij Presidentin Ader, Kryetarin e Bashkisë Karacsony dhe autoritetet e larta që mundësuan vendosjen e bustit të heroit tonë legjendar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në zemër të Budapestit!

Me këtë rast, shpreh bindjen time se fryma e miqësisë dhe e bashkëpunimit historik midis dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohet pa ndalur në të ardhmen.”

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *