Presidenti Meta pritet me ceremoni zyrtare në Siçili: Të vendoset një bashkëpunim i veçantë sipas modelit të ndjekur me Rajonin e Puljas








ilir meta ne siciliPresidenti i Republikës, Ilir Meta u prit sot me ceremoni zyrtare, në Pallatin Qeveritar, nga Presidenti i Rajonit të Siçilisë, Nello Musumeci. 

Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera dhe strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, duke vënë theksin në domosdoshmërinë e vendosjes së një bashkëpunimi të veçantë me Rajonin e Siçilisë, sipas modelit të ndjekur me Rajonin e Puljas.

“Së bashku ne ndajmë një vlerë të jashtëzakonshme, me peshë të rëndësishme edhe në historinë politike dhe shtetformuese italiane, Arbëreshët.

Falë statusit të veçantë autonom të Siçilisë, shpresojmë që të bëhet Rajoni i parë në Itali, që mund të miratojë një ligj të posaçëm për mbrojtjen e pakicave linguistike krahinore.

Për Shqipërinë dhe për shqiptarët, mbrojtja e gjuhës, kulturës, traditave dhe trashëgimisë së vyer arbëreshe është me shumë rëndësi.

Modeli i bashkëpunimit me Rajonin e Puljas mund të na shërbejë për të afruar më shumë Siçilinë me Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor”, – u shpreh Presidenti Meta.

Nga ana e tij, Presidenti i Rajonit të Siçilisë, z.Musumeci e priti me kënaqësi propozimin e Kreut të Shtetit shqiptar, duke garantuar se do të bëjë të gjitha përpjekjet për vendosjen e një bashkëpunimi konkret me Shqipërinë, si dhe për miratimin e një ligji të posaçëm për mbrojtjen e pakicave linguistike, me qëllim ruajtjen e gjuhës arbëreshe.

Musumeci e konsideroi Komunitetin Arbëresh dhe trashëgiminë e tij të pasur historike dhe kulturore, pjesë të rëndësishme, jo vetëm të identitetit kombëtar shqiptar, por edhe të popullit italian e në veçanti të Rajonit të Siçilisë.

Ndërkohë Presidenti Meta theksoi se: “Komuniteti arbëresh, të cilit Shqipëria dhe shqiptarët i detyrohen për hedhjen e themeleve të Lëvizjes Kombëtare, është projektimi ynë i përbashkët, i shkëlqyer, në Europën e Bashkuar. Ata mbeten modeli ekselent i të qenit pjesë përbërëse e së tërës të bashkuar, duke ruajtur dhe trashëguar karakteristika të identitetit të origjinës historike.”

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *