Prezantohet strategjia për mbrojtjen e viktimave të krimit, Manja: Ndihma deri në rehabilitimin e plotë

prezantohet strategjia per mbrojtjen e viktimave te krimit manja ndihma deri ne rehabilitimin e plote
prezantohet strategjia per mbrojtjen e viktimave te krimit manja ndihma deri ne rehabilitimin e plote

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja gjatë prezantimit të strategjisë për mbrojtjen e viktimave të krimit, deklaroi se do të ofrohet shërbim për këto raste, deri në rehabilitimin e plotë të viktimave.

Ai theksoi mes të tjerash se kjo strategji do të ketë masa shtesë për mbrojtjen e viktimave, edhe me kodin e ri penal.

FJALA E MANJES
Dëshiroj ta filloj këtë takim me një falënderim për praninë tuaj sot në këtë tryezë për prezantimin e një nisme tejet novatore: Të parën Strategji Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, e cila shtrihet për periudhën 2024-2030.
E ndërmorëm këtë angazhim që prej dhjetorit të vitit 2022, për të dëshmuar seriozitet maksimal për të gjitha zotimet tona në kuadër të procesit të negociatave. Strategjia Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit është i pari dokument ombrellë në këtë radhë mbajtjeje premtimesh. Kjo Strategji është hartuar plotësisht në përputhje me Strategjinë e BE-së për të Drejtat e Viktimave 2020-2025, si dhe ka marrë në konsideratë të gjitha rekomandimet e mekanizmave kombëtarë dhe ndërkombëtarë në këtë fushë. Shqipëria është vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor që do të ketë një Strategji të posaçme dedikuar viktimave të krimit. Qartësisht, Shqipëria, në misionin e saj për aderim, nuk është një kandidat modest, por një vend i përkushtuar ndaj parimeve të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut si boshte identitare të Unionit.
Në kuadër të Reformës në Drejtësi, pozita e viktimës në proces penal ka njohur përmirësime të ndjeshme. Krahas përmirësimit të kuadrit ligjor dhe nënligjor, vecanërisht ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, përgjatë këyre 7 viteve janë krijuar dhe konsoliduar strukturat përgjegjëse që punojnë me viktimat dhe për viktimat, si dhe rritjes së fuqizimit të kapaciteteve të profesionistëve, përfshirë krijimin e aksesit në drejtësi për çdo viktimë.
Të gjitha shërbimet e ndihmës juridike në shkallë vendi kanë pasur nga ne direktiva të qarta për të shtuar fokusin ndaj viktimave të krijimit, si dhe fuqizimin me mjetet e duhura ligjore në mbrojtje të pozitës së tyre.
Objektivi madhor i kësaj strategjie është: adresimi i fragmentimit të mbrojtjes së viktimave të veprave penale në tërësi, si dhe viktimave me nevoja specifike mbrojtjeje. Kjo strategji qartëson zinxhirët e përgjegjësisë dhe mjetet për realizimin eficent të të gjithë procesit të trajtimit dhe mbrojtjes së viktimës, duke nisur nga informimi i viktimës, trajtimi me dinjitet i saj, parandalimi i viktimizimit dytësor dhe riviktimizimit, mbështetja dhe mbrojtja për viktimat në çdo fazë të procesit dhe kur është e nevojshme, edhe pas përfundimit të procesit penal.
Një prej prioriteteve tona kyçe është rritja e besimit të viktimave te drejtësia, si lajtmotivi që shoqëron të gjithë masat tona në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi.
Masat e parashikuara në Strategji synojnë pikërisht krijimin e një mjedisi miqësor për raportimin e krimit, heqjen e barrierave për raportimin e krimit, shtimin e procedimeve penale, hetime më efektive dhe dënime penale proporcionale me rrezikshmërinë e veprave penale, dhe një sistem që garanton siguri për viktimën.
Strategjia prioritizon drejtësinë restauruese dhe ndërmjetësimin autor – viktimë, si mjete që kanë potencialin të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie të paqshme.

Meqenëse sapo përmbyllëm edhe 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës Gjinore, duhet theksuar se perspektiva gjinore zë një rol kyç në dokument, si mjet drejt korrigjimit të fenomeneve kriminale që shoqërojnë agjendën tonë kombëtare drejt barazisë gjinore.

Për të arritur këto qëllime, Strategjia kërkon energji të shtuara për bashkëpunim ndërinstitucional nga të gjithë ne aktorët e përfshirë, duke nisur nga policia, prokuroria, gjykata, shërbimet e ndihmës juridike, sistemi penitenciar dhe shërbimet për viktimat. Këto qëllime dhe masa të Strategjisë për forcimin e shërbimeve mbështetëse dhe mbrojtëse të viktimave që në kontaktet e para me sistemin e Drejtësisë ne i kemi degëzuar edhe në nivel vendor. Për këtë është qartësuar detyrimi për bashkëpunim mes strukturave në Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore për individët e të gjitha kategorive sociale që janë viktima të krimit. Ky plan lokal është parashikuar si një projekt pilot në bashkinë e Tiranës, si bashkia më e madhe. Duke vëzhguar ecurinë e zbatimit të Strategjisë, do ta shtrijmë më tej edhe në njësitë e tjera vendore.

Në të gjitha këto aspekte, rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve në luftën kundër fenomeneve shkaktare dhe mbrojtjen e viktimave të krimit mbetet jetike; ndaj duke nisur nga viti i ardhshëm do të fillojmë me organizimin e javës së dedikuar në mbrojtjes të viktimave të krimit, përkatësisht në shkurt të çdo viti, nën udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Më lejoni ta mbyll shkurtimisht me një seri falenderimesh. Dëshiroj të falenderoj kolegët Ministra, Ministrin Balla dhe Ministren Koçiu si dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Prezenca juaj sot këtu, është provë e qartë e dedikimit në këtë proces. Kemi hedhur bashkërisht themelet e këtij vizioni me në qendër viktimën, tani na mbetet vetëm të sigurojmë zbatim cilësor të cdo mase të kesaj strategjie.
Mirënjohje për partnerët tanë, vecanërisht BE që na asistoi përmes projektit JustAL që të hartojmë një strategji cilësore, duke certifikuar kështu përputhshmërinë e standardeve të këtij dokumenti me ato të BE-së.
Dëshiroj veçanërisht të falenderoj të gjitha qendrat që ofrojnë asistencë ndaj viktimave, për kontributin e tyre të vyer, dhe formësimin e këtij dokumenti strategjik në një plan të qartë dhe realist pune.

E fundit nga rradha, por jo nga rëndësia, falenderoj stafin e Ministrisë së Drejtësisë që ka punuar përgjatë këtij viti me shumë profesionalizëm dhe ritëm të lartë pune për ta përmbushur këtë detyrë, madje edhe para afateve që kishim përcaktuar. Së bashku jemi duke ndërtuar një përditshmëri ku drejtësia cilësore nuk është privilegj, por e drejtë e pamohueshme për të gjithë. Uroj të kemi një takim sa më të frytshëm sot, si dhe takime të tjera në vijim, ku të ndajmë lajme të mira për zbatimin e kësaj Strategjie.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts