
11:07 29/08/2021
Presidenti Biden ka paralajmëruar se mund të ndodhë brenda 24-36 orëve të ardhshme
Ka gjasa aeroporti i Kabulit të sulmohet sërish nga terroristët. Ky paralajmërim ka ardhur nga vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Presidenti amerikan ka paralajmëruar se një sulm i ri në aeroportin e Kabulit mund të ndodhë në orët në vijim. Sipas Biden ka shumë të ngjarë që sulmi të ndodhë brenda 24-36 orëve të ardhshme.
Në një deklaratë, pas takimit me këshilltarët e tij të sigurisë, ai tha se komandantët ushtarakë e kishin informuar për mundësinë e një sulmi të tillë në orët e ardhshme dhe se ai i ka udhëzuar të marrin të gjitha masat e mundshme, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së trupave amerikane.
Presidenti i SHBA kujtoi se situata në terren në Afganistan është ende jashtëzakonisht e rrezikshme dhe siguroi se goditja kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik të Khorasan do të vazhdojë.
Ky paralajmërim për një tjetër sulm terrorist vjen pasi amerikanet kanë konfirmuar vrasjen e dy prej krerëve të grupimit të luftëtarëve të Shtetit Islamik të Khorasan, për të cilët besohet se ishin përgjegjës për planifikimin e sulmit vdekjeprurës ndaj Shteteve të Bashkuara në Kabul.
Vrasja e tyre u krye me dron të ushtrisë amerikane dhe erdhi si një kundërpërgjigjeje pas shpërthimit vdekjeprurës pranë aeroportit të Kabulit, si pasojë e të cilit u vranë mbi 200 persona. 13 prej tyre ishin ushtarë amerikanë, ndërsa mbi 150 persona mbetën të plagosur.
Grupi ISIS-K ose Provinca Khorasan e Shtetit Islamik, është grupi më ekstrem dhe më i dhunshëm nga të gjitha grupet militante xhihadiste në Afganistan. Ai ka marrë përgjegjësinë për të dyja sulmet jashtë aeroportit të Kabulit.
Klan News
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al