Pro dhe kundër, reagime pas dorëheqjes së Guvernatorit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo

Pas një dekade në krye të shtetit të Nju Jorkut, Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo njoftoi se po jep dorëheqjen, pas akuzave se kishte ngacmuar seksualisht të paktën 11 gra. Më parë zoti Cuomo u kishte rezistuar thirrjeve për dorëheqje, edhe pasi Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut publikoi një javë më parë rezultatet e një hetimi që konfirmonin se ai ishte sjellë në mënyrë të papërshtatshme.

Dorëheqja e zotit Cuomo është një rënie spektakolare për dikë që vjen nga një dinasti politike amerikane dhe kishte ambicje edhe më të mëdha. Vetëm një vit më parë ishte fytyra e luftës ndaj Covidit në Nju Jork. Dorëheqja e tij ishte nxitur jo vetëm nga kundërshtarët e tij por edhe nga aleatët politikë. Ai tha se po tërhiqej për të mirën e Nju Jorkut.

“Mendoj se duke pasur parasysh rrethanat, mënyra më e mirë se si mund të ndihmoj tani është të largohem dhe të lejoj qeverinë t’i kthehet qeverisjes. Dhe këtë do të bëj”, tha zoti Cuomo.

Disa njujorkezë u kapën në befasi nga vendimi i tij edhe pse legjislatura shtetërore po ushtronte haptazi presion për ta hequr atë nga detyra përmes procedurës së shkarkimit.

“Sinqerisht, jam tepër i befasuar, por nga ana tjetër kjo tregon mungesën e transparencës në qeverisjen tonë. Jam po aq i habitur sa edhe i tronditur me vendimin që ai mori. Them se ndoshta mund të ishte përpjekur ta luftonte, por unë mendoj se u tërhoq me fisnikëri”, thotë Miguel Jurado, banor i Nju Jorkut.

“Po u befasova pak, sepse mendoj se ai edhe me ngacmimet seksuale, do të vazhdonte akoma. Pra, jam e kënaqur që të paktën dha dorëheqjen”, thotë Brenda Zimmer, banore e Nju Jorkut.

Pavarësisht dorëheqjes zoti Cuomo vazhdoi të mohonte se ai nuk i kishte respektuar gratë me qëllim dhe tha se akuzat ishin sulme “të motivuara politikisht” kundër tij.

“Unë përqafoj dhe puth njerëz kur i takoj, qofshin gra dhe burra. E kam bërë atë gjithë jetën time. Kështu kam qenë gjithmonë. Në mendjen time, kurrë nuk kam e kaluar kufirin me askën. Por nuk e kisha kuptuar se si kanë ndryshuar normat. Ka ndyshime brezash dhe kulturore që thjesht nuk i vlerësova sa ç’duhej dhe duhet ta kisha bërë. Nuk ka justifikim”, tha zoti Cuomo.

Avokatja e njërës prej akuzueseve, Gloria Allred tha se ai kishte bërë mirë që dha dorëheqjen.

“Nuk është më e pranueshme të prekësh gratë në asnjë pjesë të trupit të tyre, fytyrë apo në pjesët private. Nuk është e pranueshme në vendin e punës, dhe as jashtë vendit të punës. Ai e dinte këtë, kur e bëri një gjë të tillë. Ishte marrje në sy e rrezikut në nivelin më të lartë “, tha ajo.

Presidenti Biden tha se e respektonte vendimin e Guvernatorit Cuomo dhe se megjithëse mendonte se kishte bërë punë të mirë në drejtime të tjera, ishte vendimi i duhur.

“Gratë duhet të besohen kur bëjnë akuza që janë të mbështetura me fakte dhe të vërtetuara nga hetimi. Ata u hetuan dhe u përcaktua se ajo që ato thanë ishte e saktë”, tha ai.

Prokurorja e Përgjithshme e Shtetit të Nju Jorkut Letitia James tha javën e kaluar se gratë që kanë akuzuar akuzuar zotin Cuomo ishin punonjëse dhe ish -punonjëse të shtetit të Nju Jorkut.

Falë dorëheqjes së zotit Cuomo, shteti i Nju Jorkut do të drejtohet për herë të parë nga një grua, zëvendës guvernatorja Kathy Hochul, një 62-vjeçare ish-anëtare e Kongresit.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *