Projektligji i basteve sportive shtyhet sërish në Komisionin e Ekonomisë, zbulohet shkaku

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shtyu të martën diskutimin për projektligjin shumë të kontestuar për rikthimin e basteve online me argumentin se po rishikohet nga Ministria e Financave dhe shërbimet juridike të Kuvendit.

Ky projektligj po diskutohet në Kuvend që prej korrikut të vitit të shkuar, ku është kundërshtuar nga opozita, nga grupet e interesit dhe nga vetë deputetë të mazhorancës. Pas kritikave, komisioni vendosi që të përpunojë draftin fillestar të qeverisë, mbi të cilin prej disa javësh diskutimet po bëhen larg syve të publikut.

Kryetari i Komisionit, Eduart Shalsi tha se arsyeja e shtyrjes ishte kërkesa për më shumë kohë për përpunimin e draftit final nga shërbimi juridik i Kuvendit.

“Shërbimet që po reflektojnë diskutimet që janë bërë apo disa përvoja tjera të BE, kërkuan pak më shumë kohë dhe nuk ishin të gatshëm sot që të na e vendosnin një material me pikat konkrete,” tha ai, duke shtuar se shërbimet e Kuvendit janë në kontakt edhe me Ministrinë e Financave.

Shalsi e quajti një ligj të rëndësishëm “për shkak të kaluarës” dhe e lidhi vonesën me nevojën për t’u shkëputur “nga aktorët e vjetër” të këtij sektori.

“Ndaj duhet të hedhim disa hapa që duhet të çojnë jo vetëm drejt formalizimit të tregut, por edhe drejt shkëputjes nga aktorë që duhet t’i lënë vendin aktorëve dhe kompanive serioze që kanë provuar që dinë të punojnë, të menaxhojnë tregun dhe kanë investimet e nevojshme,” tha ai.

Më herët në seancat dëgjimore, grupet e interesit paralajmëruan deputetët se projektligji nuk do ta ndalojë aktivitetin e paligjshëm, pasi penalizon kompanitë shqiptare me përvojë në treg.

Ish-kryetari i shoqatës së basteve, Artan Shyti tha se problemi kryesor i ligjit të ri ishte penalizimi i kompanive shqiptare me përvojë në këtë treg, duke vendosur kritere për aksionerë të huaj.

“Nëse nuk rikthehen kompanitë që ishin, do të dështojë ky proces,” u tha ai deputetëve.

Qeveria shqiptare e targetoi tregun e paligjshëm të lojërave të fatit përmes operacionit “Fundi i Marrëzisë” në vitin 2013, dhe në vitin 2015, miratoi një ligj që u komentua si radikal për frenimin e kësaj industrie.

Megjithatë, lojërat e fatit lulëzuan edhe më shumë pas miratimit të ligjit të ri, çka e shtyu qeverinë të vendoste ndalimin e plotë të tyre në vjeshtën e vitit 2018.

Sipas propozimeve të reja, bastet sportive do të lejohen vetëm online, e drejta për ta ushtruar këtë aktivitet do jepet vetëm për 10 operatorë dhe përzgjedhja e tyre do të bëhet nëpërmjet një komisioni të veçantë e kriteresh të forta./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts