Prokurorët italianë hetojnë zyrtarin e OBSH

15:05 10/04/2021

Dr. Ranieri Guerra akuzohet për dëshmi të rreme

Prokurorët italianë po hetojnë një zyrtar të lartë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë pasi pretendojnë se ai i’u dha dëshmi të rreme gjatë hetimit për menaxhimin fillestar të pandemisë së Covid-19 nga qeveria italiane.

Ata kanë zbuluar disa komunikime private të Dr. Ranieri Guerra, që gjatë kohës së hetimit ishte ndihmës drejtor i Zyrës Ndërlidhëse të OBSH-së në Itali. Komunikime, që pritet të turpërojnë agjencinë e shëndetësisë së Kombeve të Bashkuara.

Deri tani nuk është konfirmuar ende asnjë akuzë ndaj Dr. Ranieri Guerra, ndërsa mësohet se emri i tij ishte përfshirë në një dokument të brendshëm që prokurorët ja dërguan Ministrisë së Jashtme të Italisë.

Hetimi fillestar ishte në lidhje me përgatitjet që kishte bërë qeveria italiane për t’i paraprirë një pandemie të mundshme. Ai u nis pas bilancit tragjik të viktimave në Bergamo. Rajoni verior i Lombarisë ishte më i goditur nga vala e parë e pandemisë.

Një hetim i pavarur zbuloi se plani i gatishmërisë për t’i bërë ballë pandemisë nuk ishte përditësuar që nga viti 2006. OBSH-ja e publikoi raportin hetimor më 13 maj të vitit të kaluar dhe e hoqi një ditë më pas pa e ripublikuar, veprim që mendohet se u bë për të mos turpëruar publikisht qeverinë italiane.

Sipas televizionit publik RAI, dokumentet e prokurorëve tregojnë se Guerra manovroi heqjen e raportit pasi Roma zyrtare ishte zëmëruar me gjetjet. Fillimisht Guerra u përpoq të bindte Dr. Francesco Zambon, një prej autorëve të raportit të manipulonte të dhënat, por pasi ky refuzoi ndikoi për heqjen e raportit nga website i OBSH-së.

Prokurorët po kërkojnë ndihmën e Ministrisë së Jashtme për të koordinuar hetimin e OBSH, që vetë ka mohuar përfshirjen në këtë skandal të sekretarit të përgjithshëm Tedros Adhanom.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *