Prokurori i Përgjithshëm i SHBA zotohet të luftojë përpjekjet kundër të drejtës së votës

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland paralajmëroi të premten se Departamenti i Drejtësisë do të kundërshtonte me forcë përpjekjet e shteteve amerikane për të vendosur kufizime të reja në të drejtat e votës për shumë amerikanë, veçanërisht afrikano-amerikanët dhe pakicat e tjera.

“Jemi duke shqyrtuar ligjet e reja që kërkojnë të frenojnë qasjen, dhe aty ku shohim shkelje, nuk do të hezitojmë të veprojmë”, tha zoti Garland në një fjalim në Departamentin e Drejtësisë në të cilin ai njoftoi se agjencia e tij do të dyfishojë stafin e saj për zbatimin e të drejtave të votimit gjatë 30 ditëve të ardhshme.

“Ne po shqyrtojmë gjithashtu ligjet dhe praktikat aktuale për të përcaktuar nëse ata diskriminojnë votuesit afrikano-amerikanë dhe votuesit e tjerë me ngjyrë”, tha zoti Garland, duke shtuar se shqetësim i veçantë është hulumtimi që tregon se votuesit jo të bardhë presin “shumë më gjatë” sesa homologët e tyre të bardhë për të hedhur votat e tyre.

Zoti Garland kritikoi kontrollet e fundit republikane të votave të numëruara dhe të çertifikuara në mënyrë të përsëritur të hedhura në zgjedhjet e nëntorit 2020, duke thënë se ato rrezikojnë integritetin e procesit të votimit dhe minojnë besimin e publikut në zgjedhje.

Departamenti i Drejtësisë së fundmi i dërgoi një letër një ligjvënësi të lartë republikan në Arizona duke i shprehur shqetësim në lidhje me ligjshmërinë e një kontrolli pas-zgjedhor në qarkun më të madh të shtetit, tha zoti Garland. Si përgjigje, republikanët pezulluan planet për të rikonfirmuar votat si pjesë e procesit të auditimit.

Prokurori i përgjithshëm gjithashtu shprehu shqetësim në lidhje me një “rritje dramatike të kërcënimeve të dhunshme” kundër administratorëve dhe punonjësve zgjedhorë, duke u zotuar që Departamenti i Drejtësisë do të hetojë dhe ndjekë penalisht çdo shkelje të ligjit federal.

Zyrtarët zgjedhorë republikanë dhe anëtarët e familjeve të tyre në Xhorxhia, për shembull, janë sulmuar me mesazhe kërcënuese nga mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump, muaj pasi ai humbi këtë shtet dhe gjithashtu zgjedhjet.

“Kërcënime të tilla dëmtojnë procesin tonë zgjedhor dhe shkelin një mori ligjesh federale”, tha zoti Garland.

Fjalimi i zotit Garland sinjalizon shkallën në të cilën Departamenti i Drejtësisë nën Presidentin Joe Biden ka ngritur rëndësinë e të drejtave civile dhe të drejtat e votës, pasi ish-Presidenti Trump për vite me radhë denoncoi sistemin zgjedhor si të manipuluar dhe këmbënguli se e vetmja mënyrë për të humbur zgjedhjet ishte nëse manipulohej.

Zoti Garland u tha ligjvënësve këtë javë se kërkesa për buxhetin e departamentit për vitin fiskal 2022 përfshin rritjen më të madhe ndonjëherë në fonde për përpjekjet e të drejtave civile: 177.2 milionë dollarë mbi nivelin e shpenzimeve të vitit 2021, sipas shifrave të Departamentit të Drejtësisë.

Fjalimi vjen ndërsa ligjvënësit republikanë në të gjithë vendin kanë prezantuar qindra projektligje këtë vit që kritikët thonë se e bëjnë më të vështirë për shumë votues të hedhin votat e tyre – veçanërisht votuesit nga pakicat dhe të moshuarit – dhe mund të ndikojë negativisht në perspektivat e demokratëve për të mbajtur kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në vitin 2022.

Shumë nga këto dispozita – të projektuara për të kufizuar votimin me postë, votimin e hershëm dhe risitë e tjera që rezultuan në pjesëmarrje rekord gjatë pandemisë së koronavirusit – u nxitën nga ligjvënësit republikanë që i bëjnë jehonë pretendimeve të pabazuara të ish-Presidentit Trump se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin vjedhur përmes manipulimit të gjerë.

Që nga fundi i majit, ligjvënësit kanë paraqitur të paktën 389 projekt-ligje kufizuese në 48 shtete në seancat legjislative gjatë vitit 2021, me 14 shtete që kaluan 22 ligje të reja këtë vit, sipas qendrës së drejtësisë Brennan, me prirje të majtë, në Universitetin e Nju Jorkut.

Me 61 projektligje që po kalojnë përmes legjislaturave të shteteve, Qendra Brennan paralajmëroi muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara “janë duke tejkaluar periudhën më të fundit të shtypjes së konsiderueshme të votuesve – vitin 2011”.

Republikanët kanë mbrojtur ligjet e reja si të nevojshme për t’i bërë zgjedhjet më të sigurta dhe transparente. Hans von Spakovsky, një bashkëpunëtor i vjetër ligjor me Fondacionin konservator Heritage, tha se ligjet e fundit që zoti Garland kritikoi kërkojnë të “rregullojnë dobësitë që ekzistojnë në sistemin tonë zgjedhor”.

“Nuk janë diskriminuese dhe, në kundërshtim me keqinterpretimet e tij, mbrojnë drejtësinë dhe integritetin e procesit zgjedhor për të gjithë votuesit”, tha zoti Spakovsky në një email.

Demokratët i shohin masat si përpjekje të fshehura jo mirë për të shtypur të drejtat e votës së pakicave, duke u kushtuar ndoshta atyre vota në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022. Dhe ata kanë dyfishuar përpjekjet në javët e fundit për të kaluar dy projektligje për të drejtat e votimit në Kongres.

I pari është një projektligj gjithëpërfshirës reformues i njohur si “Ligji për Njerëzit”. Paketa gjithëpërfshirëse kërkon një seri reformash, duke përfshirë të drejtat e zgjeruara të votimit, krijimin e komisioneve të pavarura të rindarjes së zonave, zgjedhjet e financuara me fonde publike dhe rregullat e reja për mbajtësit e posteve federale.

Projekt-ligji i dytë, Ligji i Përparimit të të Drejtave të Votimit John Lewis, rikthen një dispozitë kryesore të Ligjit të të Drejtave të Votimit të vitit 1965, i cili zgjeroi shumë të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje dhe vlerësohet gjerësisht si një ligj monumental për të drejtat civile.

Kjo dispozitë u kërkonte shteteve me një histori diskriminimi kundër afro-amerikanëve që të merrnin miratimin nga Departamenti i Drejtësisë ose gjykata federale në Uashington përpara se të ndryshonin procedurat e tyre të votimit. Por Gjykata e Lartë e hodhi poshtë këtë dispozitë në vitin 2013, duke çuar në atë që zoti Garland e quajti një “rritje dramatike të përpjekjeve legjislative” që e bën më të vështirë për miliona amerikanë të votojnë.

Zoti Garland, një ish-gjyqtar federal emërimi i të cilit në vitin 2016 në Gjykatën e Lartë u bllokua nga republikanët në Senat, tha se vendimi i gjykatës së lartë i vitit 2013 eliminoi “mjetin më efektiv të departamentit për të mbrojtur të drejtat e votës gjatë gjysmës së shekullit të kaluar”.

Ai i kërkoi Kongresit të miratojë Ligjin e Përparimit të të Drejtave të Votimit John Lewis, duke thënë se ai do t’i jepte departamentit mjetet e nevojshme për të zbatuar ligjet e të drejtave të votimit.

Projekt-ligji, i emërtuar sipas Ligjvënësit të ndjerë John Lewis, ikonë e të drejtave civile, do të vendoste kritere të reja për të përcaktuar se cilat shtete duhet të marrin miratimin nga Departamenti i Drejtësisë përpara se të ndryshojnë ligjet e tyre të votimit.

Por legjislacioni, si “Ligji për njerëzit”, mbetet i bllokuar në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, me vetëm një republikan deri më tani që mbështet masën. Për të kaluar, projektligji kërkon mbështetjen e të paktën 10 republikanëve për t’i dhënë fund një procesi bllokimi të votimit.

Javën e kaluar Presidenti Joe Biden, duke shënuar 100 vjetorin e një masakre racore në Tulsa, Oklahoma, i bëri thirrje Kongresit të kalojë masat e të drejtave të votimit, duke thënë se Ligji i Përparimit të të Drejtave të Votimit John Lewis ofron “mjete të reja ligjore për të luftuar sulmin e ri mbi të drejtën për të votuar”.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *