Propozimet për rithemelimin e partisë, Tritan Shehu: Më duken ide revolucionare, PD s’ka bërë asnjë turp që të kompleksohet nga vetvetja! Analiza e zgjedhjeve s’ka përfunduar, por…








MARIGLEN KUME/ Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, hedh poshtë akuzat e kritikëve të Lulzim Bashës për procesin e zgjedhjes së Këshillit të ri Kombëtar.

basha shehu kuvendi kombetar

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Shehu thotë se procesi i përzgjedhjes ishte i pastër dhe gjithsecili duhet të respektojë votën e demokratëve. Ndërkohë, sa i përket idesë së hedhur nga drejtuesi politik i Lezhës Mark Marku, Shehu ndonëse ia njeh si të drejtë për të shprehur mendimet e tij, propozimin ia hedh poshtë.

Ish-ministrit demokrat, idetë e Mark Markut i duken revolucionare, ndërkohë vetë Shehu beson te përmirësimi dhe jo rithemelimi. Sipas tij, PD-ja nuk ka bërë asnjë turp në politikë që të ketë komplekse nga historia e vetë. Në vend të rithemelimit, Shehu thotë se duhet të vazhdojë deri në fund analiza e zgjedhjeve në mënyrë që të hartohen strategji për t’u përballur me Edi Ramën për t’ia pamundësuar përfundimin e mandatit të tretë të sapofituar.

Z. Shehu, si i komentoni zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike. Kam fjalën për Kuvendin që u mblodh të shtunën dhe zgjodhi Këshillin e ri Kombëtar. Vlen të theksohet se ka pasur mjaft kritika për procesin?

Mendoj se ky Kuvend ishte një mbledhje pune me një rëndësi të madhe, që u mblodh pas atyre zgjedhjeve të 25 prillit ku vërtet nuk u realizuan aspiratat tona, por dhe pritshmëritë e shumicës së shqiptarëve për ndryshim. Si i tillë, është e kuptueshme të ketë dhe kritika, sugjerime e zhvillime të ndryshme. Dikush mund të thotë që gjithë ky proces u zhvillua shpejt, mund të qëndrojë kjo, por kështu u vendos nga instancat përkatëse të PD-së, gjë që tashmë nuk lë vend më për kontestim. Ky kongres kishte tri kolona, vazhdimi i analizës së rezultatit të 25 prillit, analizë që do të vazhdojë, ndryshimet statuore dhe zgjedhja e Këshillit Kombëtar.

Një nga detajet që shkaktoi pakënaqësi ishte çështja e analizës së zgjedhjeve. Në mbledhjen e kryesisë së PDsë ajo u përmend sikur u përdor për të sulmuar dikë.

Mua më duket se këto nuk janë elemente thelbësore, veçanërisht përderisa kjo analizë është në vazhdim. Ajo nuk ka mbaruar, por vetëm sapo ka filluar realisht. Për të qenë më transparent në këtë fazë, kjo analizë është e fokusuar më tepër në faktorët që lidhen me masakrën zgjedhore, deformimin e vullnetit të elektoratit e realisht të votës së tyre, ndërsa më tej do të fillojë pjesa e dytë e analizës, që do shkojë në çdo seksion dhe në çdo grupseksion, degë, qark e në tërësi, që do analizojë punën tonë. Pra, sapo u analizua një proces në vazhdim, por procesi i parë u bë më shpejt, sepse ai material iu dërgua dhe po i dërgohet edhe partnerëve ndërkombëtarë. Ishte emergjente dhe padyshim kjo masakër ishte jo vetëm një shkelje e rëndë e demokracisë e lirive, por dhe kishte influencë të madhe në deformimin e rezultatit, ndaj e nisëm këtu.

Prandaj unë them se nuk duhet parë me dyshime ajo që u realizua deri tashti. Pa dyshim ka pasur pasaktësi, por mendoj se në fazën e dytë janë të gjitha mundësitë që gjërat të shkojnë në vendin e tyre. Pra e përsëris, nuk shoh që ka një arsye që të mendojmë në këtë mënyrë. Rëndësi ka që në fund të ketë një analizë të plotë dhe të nxirren konkluzionet. Këto janë të domosdoshme edhe për përmirësimin e punës sonë, duhen për të ardhmen, nuk na duhen vetëm për sot. Sepse lufta e ardhshme politike është shumë e fortë.

Sipas këndvështrimit tuaj faktori kryesor i humbjes së zgjedhjeve ishte masakra zgjedhore apo problemet e brendshme?

Faktori i madh i humbjes mendoj se është masakra, është presioni, blerja e votës, droga, kërcënimi i njerëzve. Pati vende ku nuk funksionoi mirë edhe bashkëpunimi me aleatët. Për mua aleatët në disa qarqe nuk ishin racional për të pranuar mënyrat më efikase të bashkëpunimit me ne, duke humbur shumë vota. Marr shkas nga qarku i Gjirokastrës këtu, ku shkuan dëm rreth 10500 vota, sepse nuk ishte në një listë me ne dhe kandidati i LSI-së. Pra, ka shumë elementë për të diskutuar e konkluduar dhe këto do të na ndihmojnë edhe për të sqaruar pozicionet tona me mirë. Por, analiza vazhdon dhe do vazhdojë menjëherë pas kongresit, besoj nga fundi i gushtit për të evidentuar më shumë problemet tona, defektet e mangësitë tona.

Ju mendoni se betejave tuaja të ardhshme i ndihmojnë edhe ndryshimet që u bënë në Këshillin Kombëtar?

Absolutisht po, janë një faktor pozitiv edhe ato, pjesë e një zhvillimi të përgjithshëm në PD, qoftë edhe në këtë Kongres. Këshill Kombëtar i dalë ka prurje të rinjsh, grash dhe kjo është shumë pozitive, ka një bazë sociale më të gjerë. Gjithmonë duhet që të afrohen edhe të rinjtë. Po kështu, i kombinon këto me vlerat historike të PDsë. Ky është kombinim i domosdoshëm dhe që ndiqet me kujdes në çdo parti demokratike. Dua të them se z. Basha këtë bëri në kongres dhe e bëri mirë mendoj unë.

Z. Shehu, kritikë të kryedemokratit Basha mbetën jashtë Këshillit Kombëtar. Nga vetë ata që mbetën jashtë ka akuza se lista u bë nga numri dy i PD-së në direksionet e kreut të PD-së, ju si e keni parë?

Unë nuk gjykoj kështu. Lista ishte e gjatë. Më tej, disa nuk u zgjodhën. Mund të ketë pasur edhe vlerësime subjektive gjatë votimit, por u votua në mënyrë të lirë e demokratike. Pra, nuk do të komentoj gjëra që zgjidhen me votën e atyre që votuan. Kjo është demokracia. Pavarësish se më pëlqen apo s’më pëlqen. I pëlqen dikujt apo jo, vota respektohet. Vota ishte e fshehtë dhe e qartë dhe u votua me votim të fshehtë. Kongresi ishte normal edhe në këtë aspekt. Kadilli foli në kongres, edhe dikush tjetër foli, kritikoi fort. Pra, çdo gjë ishte e hapur, por në fund ne duhet të respektojmë votën e hedhur. Megjithatë, kjo nuk do të thotë aspak se ata që nuk u zgjodhën nuk janë pjesë aktive, e rëndësishme, e domosdoshme e PD-së.

Po për ndryshimet në statut çfarë mund të na thoni?

Ndryshimet në statut ishin pjesë e kolonave kryesore të kongresit. Për një hapje më të madhe të PD-së, për të afruar më shumë të rinj, gratë, shtresa të ndryshme, si dhe duke ruajtur raportet me vlerat historike të PD-së me prurjet e reja. Po kështu, ishin një hap që i jep më shumë kompetenca bazës, duke thelluar decentralizimin e ulur kompetencat e qendrës në favor të periferisë, synojnë t’i bëjnë ato më të zhdërvjellëta. Sidoqoftë, mund të ketë edhe mendime të tjera, sugjerime për të ardhmen, por në kongres edhe në këtë pikë u respektua një procedurë. Gjithmonë ka vend për ndryshime të mëtejshme. Unë nuk mendoj se gjërat ndryshojnë në një ditë. Por, në tërësi ishte një kongres pune pozitiv, që arriti disa objektiva të rëndësishme, një hap drejt drejtimit të duhur, qoftë me ndryshimet në statut, qoftë me rikonsolidimin e parimeve kryesore të qendrës së djathtë, të vlerave të PPE-së aty.

Z. Shehu, në kongres u dëgjua edhe një propozim për një rithemelim të PD-së, ju si do ta gjykoni këtë?

E kam ndjekur me vëmendje këtë tezë. Por të them të drejtën, unë nuk besoj se kjo është një gjetje e dobishme për PD-në, detyrat e saj, opozitën shqiptare që ka motorin kryesor PD-së, në përballjen e domosdoshme me këtë regjim. PD-ja është e duhet të jetë krenare për historinë e saj, kontributet e saj thelbësore për demokracinë shqiptare, integrimin europian e perëndimor, zhvillimet ekonomike e sociale të vendit e shumë e shumë tjera. PD-ja nuk ka bërë ndonjë turp. Edhe nëse kemi bërë gabime taktike, turp s’kemi bërë. Edhe gabimet taktike i kemi bërë për ta zhveshur kundërshtarin nga “gjethet e fikut, për ta luftuar më fort atë, duke sakrifikuar edhe nga vetja jonë. Kështu ishte dalja nga Parlamenti, n.q.s. do ta quajmë të pa përshtatshme, por turp s’ka bërë. Pra, PD-ja s’ka pse të ketë komplekse me veten e vetë për të bërë shpërndarje, rithemelime etj. Ju mendoni vërtet se po të ndryshojmë emrin, simbolet, flamurin, qoftë edhe selinë do jemi më rezultativë? Po të ishte kështu n\ rregull, por nuk është kështu, PD-ja është një simbol, emër i madh, shpresë për njerëzit, është shtëpia e të gjithë atyre që aspirojnë në ndryshimin e shpëtimin e vendit. N.q.s. bëhet fjalë për ndryshime në statut, brenda parimeve tona, ndryshime të drejtuesve, i bëmë në këtë kongres, disa e mund të bëhen edhe në të ardhmen. Unë e shikoj PD në një proces përsosje të vazhdueshme, kolaudimi, përmirësimi të vazhdueshëm. Dhe kongresi unë mendoj se kontribuoi në disa të tilla.

Dhe më tej?

Pikërisht edhe për më tej, ne nuk kemi kohë e energji të tepërta të shpenzojmë me eksperimente, që normalisht i kanë realizuar partitë komuniste të lindjes mbas rënies së komunizmit, ose shumë rrallë ndonjë parti tjetër si pasojë e problemeve të mëdha të brendshme. Ne nuk jemi aspak në ato situata, prandaj me duken si gjetje artificiale. Ne duhet të përgatitemi menjëherë për ditët që vijnë, javët që vijnë. Përballë kemi një regjim, edhe sado ndryshime të bëjmë në statut, në Këshillin Kombëtar, në seksionet, këto janë vetëm ndihmuese.

Regjimet përmbysen në një realitet ku asgjë nuk dhurohet, por fitohet me luftë, përpjekje, punë, e ky regjim duhet përmbysur. Dhe për këtë unë jam dakord edhe me atë qe tha Basha në Kongres, duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi, në institucione e jashtë, në salla, rrugë e sheshe, në Shqipëri e me partnerët tanë. Por këtu duhet organizim, ide të qarta, dialog me njerëzit edhe për të vrarë frikën që sot ky regjim e ka përhapur kudo. Duhet qëndresë e rezistencë. Dhe këtu nuk e kam fjalën për dhunë. Jam krejt kundër dhunës. Rezistenca e qëndresa janë tjetër gjë, të domosdoshme përballë regjimeve. Dhe PD-ja i ka provuar jo vetëm një herë me sukses në historinë e saj, këto mjete lufte demokratike. Ka ardhur koha të vëmë në lëvizje me realizëm të gjitha potencialet tona, të mësojmë nga të gjitha eksperiencat tona të suksesshme. Vetëm kështu do të arrijmë të mobilizojmë jo vetëm ata mbi 700 mijë, që na votuan, por shumë më tepër për të përmbysur regjimin, që po shkatërron të sotmen e të nesërmen e shqiptarëve, edhe jashtë Shqipërisë kjo

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *