Protesta e 8 janarit, Basha: Të hetohen përgjegjësit që nxitën dhunë








Për gati dy orë dje në Prokurorinë e Tiranës, kryedemokrati Lulzim Basha kërkoi që organi i akuzës të vërë para drejtësisë organizatorët e protestës së 8 janarit, që ishte thirrur nga ish-Kryeministri Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit.

Lulzim-Basha-del-Prokuroria-kreu-PD-Imeraj-protesta-8Janari (6)

Në një deklaratë për mediat pas deponimit, Basha u shpreh se kërkesa e tij para prokurorit që e pyeste, ishte që të hetohen që të gjithë, nga i pari tek i fundit, i atyre që nxitën dhunën në protestë.

“Kërkesën që u kam drejtuar organeve të ligjzbatimit që të zbardhin menjëherë përgjegjësit dhe t’i vënë para përgjegjësisë ligjore. Dhuna u orkestrua, u organizua dhe u urdhërua nga Sali Berisha dhe një grup mercenarësh dhe kriminelësh që përbëjnë një organizatë kriminale, demokratët u thirrën të përdoren si fasadë dhe një pjesë shumë e vogël iu përgjigj thirrjes, por u distancuan nga dhuna. Dhe dua t’i përshëndes. Dua t’u drejtohem të gjithë demokratëve dhe t’iu them që është një ditë në të cilën nuk do të kishim ardhur kurrë, për interesat e askujt dhe ky është një nga dëmet më të mëdha që po i shkaktohet familjes sonë politike, për shkak të egoizmit pa kufij të Sali Berishës dhe të mbivendosjes së hallit të tij personal, interesave të demokratëve dhe të shqiptarëve”, tha kryedemokrati Basha.

Teksa dy ditë më parë Berisha nga i njëjti vend akuzoi Bashën se kishte në seli mercenarë dhe fundamentalistë, Basha akuzoi dje ish-Kryeministrin se përdori kriminelë për të dhunuar selinë e PD-së dhe për të vendosur në rrezik jetën e deputetëve dhe anëtarëve të tjerë të PD-së që ndodheshin në mbledhje. Por nga ana tjetër, Basha tha se demokratët janë të gatshëm të shkëputen nga e kaluara dhe këtë e treguan më 8 janar, kur nuk pranuan, sipas tij, të bëheshin fasadë për interesin e Berishës dhe nuk iu përgjigjën kërkesës së tij për të dhunuar selinë.

“TREKËNDËSHI I BERMUDËS”

Më tej, në prononcimin për mediat pas deponimit në Prokurori, kreu i opozitës akuzoi Kryeministrin Rama dhe ish-Kryeministrin Berisha se po përçajnë opozitën. Sipas tij, qëllimet e tyre janë të ndryshme, por i bashkon i njëjti akt. “Këta valltarë të tranzicionit, sot kanë një pengesë të patejkalueshme, që është Partia Demokratike dhe pa diskutim, axhenda e tyre dhe kryesore është ta përçajnë Partinë Demokratike, ta shkatërrojnë Partinë Demokratike dhe kjo nuk mund të bëhet pa larguar kryetarin e zgjedhur të Partisë Demokratike. Të qëndrosh në krye ta Partisë Demokratike sot, do të thotë t’i qëndrosh fjalës që u kam dhënë demokratëve.

Nuk është privilegj, është sakrificë, por një sakrificë, por një sakrificë të cilën me ndërgjegje të plotë dhe që do ta çoj deri në fund me vendosmërinë më të madhe. Sepse është një mision që nuk mund ta braktis më shumë sesa ç’mund të braktis fëmijët e mi apo nënën time, apo fëmijët tuaj, apo prindërit tuaj”, vijoi kreu i PD-së. Ndërkohë, vendosja e dyerve prej hekuri në shkallët që të çonin në katin e dytë, sipas tij, ishin masat e duhura për të shmangur ngjarjet e rënda.

“Partia Demokratike, siç e kam thënë gjithmonë, ishte e përgatitur për çdo skenar dhe ne kishim një qëllim: të shmangnim me çdokush atë që po kërkohej më çdo kusht: gjakderdhja më 8 janar. Dhe dua të falënderoj të gjithë ato zonja, midis tyre edhe gra shtatzëna, dhe zotërinj që ishin brenda ndërtesës. Por edhe ata demokratë që nuk e pranuan dhe nuk iu bindën skenarit ogurzi që orkestroi Sali Berisha për përplasjen mes demokratëve në 8 janar, që pa diskutim do të përfundonte me viktima”, tha Basha.

Megjithatë kreu i PDsë u shpreh dje se vëmendja dhe energjia e PD-së nuk duhet të përqendrohet te çështja “Berisha”, por te maxhoranca, e cila sipas tij, e ka kaluar tashmë vijën e kuqe, që nënkupton limitin e mundshëm të veprimeve të padrejta. “Vija e kuqe është kaluar prej kohësh. Ajo është instrumenti i vetëm për ndryshim që ishte 25 prilli dhe është kaluar prej kohësh, ndaj ne duam një orë e më parë të kthehemi me të gjithë energjinë tonë në betejën që kemi nisur për t’i rikthyer Shqipërisë legjitimitetin dhe demokracinë, për të mundësuar një drejtësi që nuk mbron, por ndëshkon politikanët e korruptuar dhe krimin e organizuar, që janë ndër aktorët kryesorë të masakrës zgjedhore të 25 prillit, që janë dhe e vetmja mënyrë për t’u kthyer Shqipërinë shqiptarëve”, vijoi Basha.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.