Protestuesit në Sudan kërkojnë rivendosjen e sundimit civil

Disa tubime protestuese u zhvilluan në zona të ndryshme anembanë Sudanit, duke përfshirë kryeqytetin e tij Kartum, për të kërkuar rivendosjen e sundimit civil.

Tubimet u zhvilluan në disa zona në Kartum, Kasala dhe Port Sudan në lindje të vendit, si dhe në qytetin verior Atbara.

Gjatë tubimeve, protestuesit bënë thirrje për sundim civil demokratik dhe dënuan marrëveshjen e fundit politike midis ushtrisë dhe kryeministrit Abdalla Hamdok.

Shërbimet e internetit nuk funksionuan në kryeqytet dhe zona të tjera përpara demonstratave, pasi ofruesit ndërprenë shërbimet celulare, kurse vetëm lidhjet fikse ishin në dispozicion.

As autoritetet, as ofruesit e internetit nuk kanë komentuar deri më tani lidhur me këtë çështje.

Të mërkurën, autoritetet e sigurisë mbyllën ura të shumta dhe rrugë tokësore, duke instaluar barriera betoni dhe tela me gjemba në rrugët që çojnë në pallatin presidencial.

Thirrjet për protestë u bënë nga Shoqata e Profesionistëve Sudanezë, e cila hodhi poshtë marrëveshjen e nënshkruar muajin e kaluar dhe bëri thirrje për sundim të plotë civil.

Sudani ka qenë në trazira që nga 25 tetori kur ushtria sudaneze shkarkoi qeverinë kalimtare të Hamdokut dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

Hamdok, megjithatë, u rikthye në detyrë më 21 nëntor sipas një marrëveshjeje me shefin e ushtrisë Abdel Fattah Al-Burhan, hap që u refuzua nga forcat politike dhe civile sudaneze si një “përpjekje për të legjitimuar grushtin e shtetit”.

Të shtunën, mijëra protestues dolën në rrugë në Kartum dhe qytete të tjera për të nxitur sundimin e plotë civil në vendin e Afrikës Veriore.

Përpara marrjes së pushtetit nga ushtria më 25 tetor, Sudani administrohej nga një këshill sovran zyrtarësh ushtarakë dhe civilë që mbikëqyrnin periudhën e tranzicionit deri në zgjedhjet e vitit 2023, si pjesë e një pakti të pasigurt për ndarjen e pushtetit midis ushtrisë dhe koalicionit Forcat e Lirisë dhe Ndryshimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.