“PS do vazhdojë të rrisë mbështetjen buxhetore për Gramshin”- Ironia e Ballës: Luli emisionet e mëngjesit i xhiron në darkë se nuk zgjohet dot!



Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me banorët e Njësisë Pishaj, në Bashkinë e Gramshit, ku në fokus ishin punët e kryera, por edhe për investimet në mandatin e ri.

balla

Balla tha se PS do të vazhdojë ta rrisë mbështetjen buxhetore për këtë bashki teksa theksoi se ekipi i PS është i duhuri për të shëruar të gjitha problematikat e mbartura ndër vite në këtë njësi administrative.

“Unë dua t’i kërkoj ndjesë banorëve të njësisë administrative Pishaj, që ne nuk i kemi pasur mundësitë të investojmë sa duhet në ato që vazhdojnë të mbeten problematika të asaj zone, edhe pse mesa mbaj mend bëmë një punë të shkëlqyer për të lobuar për të sjellë fondet në një prej zonave të Pishajt sikurse ishte rruga e Çekinit, por Pishaj është shumë i madh në hapësirë. 20 fshatra duan një fond të posaçëm për mirëmbajtjen e rrugëve dhe investimeve të tjera.

Gjej rastin të them se ne do të vazhdojmë ta rrisim mbështetjen buxhetore përkundrejt Bashkisë së Gramshit dhe jam shumë i sigurt që me Klodianin në krye të Bashkisë, me Besjanin, me Dr. Enverin, me mua dhe me Edi Ramën, është ekipi i duhur për të shëruar gjithë problematikat e mbartura në vite në këtë njësi administrative dhe në këtë Bashki”, tha Balla.

Ai shtoi se pas transformimit që PS u bëri qyteteve, tashmë radhën e kanë zonat rurale.

“Ne duhet të kuptojmë që PS pasi investoi në transformimin e qyteteve, tashmë radhën e kanë zonat rurale. Të gjithë e dimë që Gramshi në vitin 2013 ishe tërësisht për Sali Berishën dhe PD, fut këtu edhe Ilir Metën, një xhep i harruar që për të ardhur në Gramsh duhet të të lidhte vetëm një arsye halli. Me përfundimin e pjesës tjetër të rrugës që e lidh Gramshin me zonën e Koprçës, tashmë Gramshi bëhet një nyje e rëndësishme në kuadër të lëvizjeve nga lindja në perëndim apo nga perëndimi në lindje në kuadër të lëvizjeve brenda Shqipërisë tonë të përbashkët”, u shpreh Balla.

Në fund nuk mungoi as një ironi nga Balla ndaj kryedemokratit, Lulzim Basha.

“Edi Rama, PS, SHBA dhe BE kanë investuar dhe kanë dhënë mbështetjen e tyre për ta çuar përpara këtë Reformë. Ata e dinë që me Edi Ramën, punët ecin më mirë, më shpejt ndërsa me Lulin, shikojeni se kishte qenë të Bashkimi, edhe emisionin te Bashkimi e kishte regjistruar se nuk çohet dot në mëngjes, nuk e kap dot ai 7 e 15 në mëngjes. Kemi ne kohë për të humbur me një njeri që nuk çohet dot në mëngjes? I vetmi njeri që ka bërë diçka të dukshme në këto 30 vite për Gramshin quhet Edi Rama”, përfundoi  Balla.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *