“Pse s’e panë shqiptarët golin e 4 të Gjermanisë më ‘97-ën”- Gazetari rrëfen prapaskenat: Të gjithë menduan se mbaroi 3 me 3! Si i regjistronim ndeshjet e kombëtares në transfertë

NGA JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

Flitet shumë për golin e rregullt të Sulejman Demollarit që iu mohua në “Uembli” kundër Anglisë, por në fakt atë ndeshje shqiptarët nuk e kanë parë fare në televizor. Nuk kanë parë as shumë të tjera, ndërsa disa prej tyre i kanë parë të regjistruara vetëm një apo dy ditë më pas. 

zalla

Natyrshëm lind pyetja: sa ndeshje të Kombëtares kanë parë shqiptarët kur ajo luante jashtë para viteve 1990-të? Dikur kishin frikë të ngrinin zërin se përse nuk transmetohej ndeshja, ndërsa sot një pjesë e mirë prej nesh nuk e dinë fare që shumica e takimeve që Shqipëria apo klubet tona luanin jashtë nuk transmetoheshin fare. Pothuajse terr televiziv… Arsyet? Ishin disa, por mbi të gjitha financiare.

Gazetari i njohur sportiv Lirim Zalla shpjegon në intervistën për “Panorama Sport”, se përse nuk transmetoheshin ndeshjet që luheshin jashtë dhe çfarë “shpikjesh” bënte ai me kolegët e atyre viteve për t’u ofruar shqiptarëve kënaqësinë e të parit kombëtaren e tyre edhe në transfertë.

Lirim, kur keni filluar punë në “RTSH”?

Më 1 shkurt të vitit 1988.

Me kohë të plotë?

Po, me kohë të plotë se “i jashtëm” kisha filluar që në vitin 1986.

Pse nuk transmetoheshin ndeshjet e Kombëtares shqiptare kur ajo luante jashtë?

Për cilën ndeshje e keni fjalën?

Për shumë prej tyre, por meqë është Anglia ende temë e nxehtë, as ajo e vitit 1989 kur jemi mundur 5-0 nuk është transmetuar…

Po, për fat të keq shumica e ndeshjeve që luheshin jashtë, si Kombëtarja, por edhe klubet tona nuk transmetoheshin në vendin tonë. Madje edhe ato të rrallat që transmetoheshin ndonjëherë, komentoheshin nga Tirana, sepse nuk kishte komentator në shtetin ku luhej. Kjo është arsyeja që shpeshherë, në ndeshjet e atyre viteve, nuk kishte zë tjetër veç komentatorit dhe nuk kishin pikë atmosfere.

Po pra, por pse nuk transmetoheshin?

Kishte disa arsye. Së pari, sepse Shqipëria ende nuk ishte regjistruar në EBU dhe pa qenë i regjistruar aty nuk mund të transmetoje me lehtësi ndeshjet që luheshin jashtë. Së dyti, kishte vende ku luanin skuadrat tona, të cilat gjithashtu nuk ishin të regjistruara në EBU. Pra, ne edhe të donim ta merrnim sinjalin, nuk e merrnim dot sepse ato nuk e prodhonin ndërkombëtarisht sinjalin. Nuk ishin në platformë.

Dhe problemi i tretë ishte edhe financiar. Që të transmetoje një ndeshje të rëndësishme me një kundërshtar të madh, duhet të paguaje dhe tarifat shpesh ishin të larta për realitetin tonë. Pastaj mund të ketë pasur edhe arsye të tjera me prapavijë politike, por unë kam informacion rreth kësaj.

Cila është ndeshja e parë, që ju si gazetar i asaj kohe keni transmetuar nga një vend i huaj?

Ka qenë ndeshja me Moldavinë më 6 qershor 1995, që për koincidencë korrespondon edhe me fitoren tonë të parë historike në transfertë me rezultatin 3-2. Trajner ka qenë Neptun Bajko. Madje, ajo ndeshje ka edhe një kleçkë, një “shpikje” e imja do të thosha…

Çfarë shpikjeje…?

Duke parë vështirësitë që ju përmenda më lart, vendosa t’i transmetoj ndeshjet me një kamera. Pra merrnim një kamera me vete, e regjistronim ndeshjen dhe më pas vinim e transmetonim për publikun shqiptar.

Po ky quhet ritransmetim, apo jo?

Sepse jepej me vonesë… Po, e vërtetë është, por më mirë ta shikonin ndeshjen sesa të mos e shihnin hiç.

pjimage (43)

Edhe me Moldavinë kështu ndodhi?

Po, e regjistrova ndeshjen me një kamera dhe e transmetuam kur u kthyem nga Moldavia. Ishte edhe hera e parë që në atë ndeshje shkuam me një avion çarter. Më besoni, ishte arritje e madhe për kohën.

Sa kushtonte që të blije kohën satelitore për të transmetuar një ndeshje në ato vite?

Nuk di ta them me saktësi. Me këto merrej Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë dhe në krye të saj ka qenë Mira Blushi, nëna e Ben Blushit. Por, cilado që të ishte shuma kalonte për miratim te financat dhe më pas te Drejtoria e Përgjithshme. Kishte një mori hallkash.

Si mund të transmetosh një ndeshje me një kamera?

Ja ashtu me vështirësi. Nuk dilnin keq, ndonëse kishte probleme me plandetajet, apo me elementë të tjerë. Megjithatë, duhet të llogarisni që kishim dy rrugë: ose nuk transmetohej fare, ose e jepnim ashtu. Mua më dukej më e drejtë që të paktën të shihnin shqiptarët se çfarë kishte ndodhur.

Po në Shqipëri a kishte vështirësi me transmetimin e ndeshjeve të Kombëtares?

Kishte, por në krahasim me ato që luheshin jashtë ishte “lule”…

Pse?

Sepse këtu kishte dy autobusë transmetimi dhe përdoreshin 3 kamera. Por, duhet t’i njohim meritën ish-drejtorit të RTSH-së, Marash Hajatit, i cili bëri një revolucion duke filluar nga ndeshja me Belgjikën më 1984, ku ne fituam me rezultatin 2-0.

Për çfarë revolucioni bëhet fjalë?

Për faktin që nga 3 kamera i bëri 5 të tilla për transmetimin. Ngriti një kullë çeliku enkas për të filmuar prej aty, instaloi dhe vendosi kabujt nëntokësorë për të pasur lehtësi. Për kohën ishte lëvizje e rëndësishme dhe i jepte tjetër dimension transmetimit.

Ju si gazetar çfarë vështirësish keni hasur?

Po ja kisha probleme me atë kamerën time të famshme. Shpesh federatat i kishin shitur të drejtat e transmetimit dhe nuk të lejohej kurrsesi të filmoje. Unë përpiqesha me vështirësi t’i bindja organizatorët se ishin filmime për federatën dhe për analizën e stafit teknik, jo për transmetim. Kishte nga ata që befasoheshin nga “zhvillimi” ynë edhe më thoshin: “Bravo federata shqiptare, filmoka me ‘Betacam’”, që ishte një kamera e prodhimit të fundit për kohën.

Nuk e dinin ata se ne po filmonim për të parë ndeshjen një popull i tërë. Por, kishte edhe nga ata që e bënin problem këtë punë, sepse ndeshja filmohej dhe transmetohej vetëm nga televizioni publik, jo nga platforma të tjera, siç ndodh këtu tek ne sot, që është unike me thënë drejtën…

97-2

Kur u bë ndryshimi i madh, pra ndeshjet transmetoheshin pa këto vështirësi ekstreme?

Mendoj kur ndërhyri UEFA dhe vendosi që transmetimi i ndeshjeve të kombëtares do të bëhej unanimisht në të gjitha televizionet kombëtare të çdo vendi. Aty më pas shumë gjëra u thjeshtuan. Ju keni qenë në transmetim edhe te ndeshja e famshme kundër Gjermanisë në Hanover më 1997 që përfundoi 4-3, por shqiptarët menduan se mbaroi 3-3… Unë kam qenë në Gjermani duke filmuar me kamerën time, por në transmetim ka qenë Vladimir Grillo.

gjermani-shqiperi 4-3

Mund të na thoni çfarë ndodhi?

Fillimisht u nisëm me idenë e zakonshme për ta regjistruar ndeshjen me një kamera dhe më pas ta transmetonim kur të kthehesha unë së bashku me kameramanin. Mirëpo, kur ndodheshim në Gjermani më njoftuan se ishte gjetur një mundësi që transmetohej ndeshja direkt. Unë gjithsesi po e regjistroja me kamera sepse për atë punë kisha shkuar. Vetëm kur u ktheva në Shqipëri mora vesh që nuk e kishin parë golin e fundit, atë të Bierhofit.

1997-2

Dakord, por çfarë ndodhi që nuk u ndërpre sinjali?

Kishte qenë rrebesh i madh në Tiranë dhe ishin fikur dritat. Kishte pasur probleme edhe në transmetim dhe goli i Bierhofit në minutën e 90-të, pak pasi kishte barazuar Rudi Vata rezultatin në 3-3, nuk ishte transmetuar fare. Kur erdha nga Gjermania më pyetën menjëherë nëse e kisha regjistruar ndeshjen të plotë dhe u thashë që “po”. U vendos që të transmetohej edhe një herë ndeshja sepse nuk e kishin parë golin e Oliver Bierhof.

1997-1

ÇFARË ËSHTË EBU?

EBU (Bashkimi Europian i Transmetimit) është një Aleancë e Organizatave të Mediave të Shërbimit Publik, e themeluar në 12 shkurt 1950. Organizata përbëhet nga 115 organizata anëtare në 56 vende dhe 34 anëtarë të asociuar nga 21 vende të tjera. EBU është më së shumti i njohur për prodhimin e festivalit të këngës, Eurovision. Ai gjithashtu priti debate midis kandidatëve për presidencën e Komisionit Evropian për zgjedhjet parlamentare 2014 dhe 2019, por vetë nuk ka lidhje me Bashkimin Evropian. Shqipëria, me anë të radio televizionit publik (RTSH) është pjesë e këtij unioni me të drejta të plota që nga viti 1999. Anëtarët e EBU janë transmetues të mediave të shërbimit publik, prodhimi i të cilave bëhet, financohet dhe kontrollohet nga publiku, për publikun.

Çfarë përfitojnë anëtarët e EBU-së:

1-Aksesi në aktivitet e klasit botëror duke filluar nga të drejtat ekskluzive sportive deri te shkëmbimet për lajme, muzikë dhe programe për fëmijë.

2-Një zë në Bruksel dhe në platformat ndërkombëtare që lobon për PSM (mediat e shërbimit publik) dhe siguron kornizën optimale ligjore dhe teknike.

3- Mundësi për ndarje, mësim dhe bashkëpunim përmes konferencave, grupeve të punës, trajnimeve dhe këshillave dhe udhëzimeve të dedikuara.

4-Një qendër për mësimin dhe ndarjen e teknologjisë së re dhe inovacionit me një ekip ekspertësh që ofrojnë këshilla dhe udhëzime strategjike.

PANORAMASPORT.AL

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *