Pse vendimi për Berishën nuk mund të hidhej në votim? Grida Duma zbulon prapaskenat: ShBA-të kërkuan takim kofidencial. Nuk mund të hapej informacioni me anëtarësinë e partisë








Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, përmes një interviste të dhënë në emisionin “Breaking”, foli mbi prapaskenat e vendimit për pezullimin ish-kryeministrit Berisha nga grupi parlamentar i PD-së, si dhe arsyet pse vendimi i kryedemokratit Lulzim Basha nuk mund të hidhej në votim.

grida duma

Duma teksa vlerësoi aleatin e Shtetetve të Bashkuara të Amerikës për procesin e formimit të shtetit të shqiptar, por edhe të Kosovës, theksoi rëndësinë jetike të Partisë Demokratike për të pasur marrëdhënie të mira me një aleat të tillë.

Deputetja, u shpreh se vendimi për pezullimin e Berishës u mor pas takimit mes Lulzim Bashës dhe ndihmës sekretarit Reeker në selinë blu, ku me kërkesë të SHBA-ve, informacioni i kësaj bisede mbetet tepër konfidencial. Sipas Dumës, kryedemokrati Basha nuk mund ta marrë këtë informacion tepër konfidencial dhe ta bëjë publik në anëtarësinë e Partisë Demokratike, duke cënuar marrëdhënien me aleatin strategjik.

Pra në këto kushte sipas saj, nuk mund të ketë një votim, pasi nuk mund të votohet për ato që nuk dihen nga vendimi i DASh për Sali Berishën.

“Votimi në demokraci është themel pa asnjë diskutim. Të votohet, të merret opinioni i mazhorancës, gjithmonë është një rrugë që në parim është aprovuar. Është marrë një vendim mbi vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

ShBA-të janë shteti që krijoi Shqipërinë. Ne numërojmë sot 100 vite sepse ShBA-të, në një moment të caktuar të historisë së Ballkanit, vendosi që Shqipëria të ishte dhe të krijonte shtetin. Këtu nisi krijimi i shtetit shqiptar.

Sot Kosova e gëzon shtetin e Kosovës, sepse ShBA-ja, Britania janë aty. Pa i hequr asnjë rol Austrisë e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në shtetformimin e Shqipërisë.

Unë e kam quajtur akt vendimarrës politik aktin e kryedemokratit Basha për një arsye dhe për këtë flitet pak. Çfarë do të hidhej në votim? Ka ardhur përfaqësuesi i DASh dhe ka kryer një takim me dyer të mbyllura me kryetarin e opozitës dhe dy përfaqësues të partisë.

Le ta themi në mënyrë metaforike që perandoria i kërkoi një partie në Ballkan një takim konfidencial mbi vendimin e Departamentit të Shtetit.  Shpalosja e bisedave konfidenciale që janë kryer aty që ka qenë me dyer të mbyllura, ta hapësh këtë takim t’ia çosh anëtarësisë dhe grupit parlamentar, kur nuk ke mundësi të tregosh konfidencialitetin e informacionit që të ka kërkuar ShBA-ja, do të votohet mbi cilin informacion? Kur kryetari i Partisë Demokratike e ka pasur të pamundur për ta shpalosur këtë vendim me dyer të mbyllura

Ky është raporti që ka kërkuar ShBA-ja. Nëse Shtetet e Bashkuara do ta bënte publike informacionin për këtë vendim, shumë gjëra do të ishin më të thjeshta dhe për vetë liderin historik të PD-së do të ishin më të qarta.

Ky vendim është marrë në këto kushte. Konfidencialiteti i asaj bisede ka mbetur ashtu siç është raporti mes një partie politike dhe një aleati strategjik, se ti nuk mund ta shkelësh atë marrëdhënie.

Nuk mund të jesh i përgjegjshëm politikisht nëse këtë informacion konfidencial e merr dhe ja jep anëtarësisë së partisë.

Për çfarë do të votonim ne atëherë, për atë që nuk dinim apo për respektin që kemi për liderin historik.

Kjo ngjarje ka pasur disa procedura dhe në këto kushte nuk mund të ketë një votim, mbi cilat informacione do votojmë, që dhe vetë lideri historik kërkon t’i qartësojë dhe t’i ankimojë në Departamentin e Shtetit”, tha Duma.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *