
16:06 13/12/2021
Në kulmin e rrezikut të një ndërhyrjeje ushtarake ruse në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin nuk heziton të shprehë publikisht keqardhjen e tij për shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Shefi i Kremlinit foli në një intervistë për një dokumentar të ri të medias shtetërore ruse transmetuar mbrëmjen e të Dielës, ku siç komenton BBC, me deklaratat e tij mund të ushqejë spekullimet për qëllimet që ka ndaj Ukrainës, një ish-Republikë Sovjetike.
“Rënia e Bashkimit Sovjetik përfaqësonte shkatërrimin e asaj që konsiderohet si Rusi historike. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjektik, ne kemi humbur 30 – 40% të territorit, e po aq edhe të popullsisë që është përfshirë në vendet e tjera. Kemi humbur pjesën më të madhe të asaj që krijuam në 1 mijë vjet”.
Në fillim të këtij muaji, ministri i mbrojtjes i Ukrainës Oleksi Reznikov paralajmëroi se ushtria ruse mund ta sulmojë vendin e tij në Janar të vitit të ardhshëm. Dyshimet i bazoi tek të dhënat e shërbimeve ukrainase të zbulimit, teksa mbi 95 mijë trupa ruse zhvillojnë prej kohësh stërvitje të vazhdueshme përgjatë kufirit me Ukrainën. Shkak i tensioneve është kërkesa e presidentit ukrainas për t’u anëtarësuar në NATO, çka për Moskën është një vijë e kuqe që nuk duhet kaluar.
Tv Klan
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al