
18:14 14/04/2022
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë thirrje për diversifikimin e eksporteve të energjisë ruse drejt Azisë. Putin paralajmëroi se vendet europiane po destabilizojnë tregun duke hequr gazin dhe naftën ruse.
“Tentativat për të hedhur jashtë furnizuesit rusë, zëvendësimi i resurseve tona energjetike me dërgesa shtesë, do të prekë në mënyrë të pashmangshme të gjithë ekonominë botërore”, tha ai.
Gjatë një fjalimi ditën e sotme, Putin tha se Rusia do të zhvendosë drejtimin e eksporteve të saj “hap pas hapi” në “tregjet me rritje të shpejtë të jugut dhe lindjes”.
Vitin e kaluar, rritja e çmimeve nënkuptonte se të ardhurat nga nafta dhe gazi përbënin 36% të shpenzimeve të qeverisë ruse.
Pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga Bashkimi Evropian, i cili importon rreth 40% të gazit dhe 27% të naftës nga Rusia./tvklan.al