
13:51 13/10/2022
Arritja e paqes Kiev-Moskë, jo në fokus të takimit me Erdoganin
Pritej të ishte një takim ku do të diskutohej mundësia që Turqia të ndërmjetësonte bisedime paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë. Por në Kazakistan, Rexhep Taip Erdogan dhe Vladimir Putin u përqëndruan më shumë tek thellimi i bashkëpunimit mes vendeve të tyre. Tani që eksportet ruse drejt Europës janë vështirësuar, për shkak të sanksioneve perëndimore, Putin i propozoi Erdoganit të shndërrohet në një qendër të shpërndarjes së gazit rus.
Vladimir Putin:Turqia është bërë një rruga më e sigurt për transportin e gazit në Europë sot. Ne mund ta shndërrojmë Turqinë në një qendër për shitjen dhe përcaktimin e çmimit të gazit në vende të tjera, para së gjithash në Europë.
Diskutimet përfshinë edhe centralin energjitik bërthamor që po ndërtohet në brigjet turke të mesdheut lindor me ndihmën e Rusisë. Erdoan ofroi bashkëpunim edhe për grurin dhe plehun kimik rus.
Rexhep Taip Erdogan:Jemi të vendosur të vazhdojmë eksportin e grurit sipas marrëveshjes së Stambollit dhe për të transferuar përmes Turqisë, grurin dhe plehun kimik rus drejt vendeve më pak të zhvilluara.
Ankaraja megjithatë ka qëndrim të prerë kundër aneksimit të territorit ukrainas nga Moska dhe kundër luftës ruse në Ukrainë.
Tv Klan