Putin thotë se Rusia do fundin e luftës, SHBA reagon me mosbesim

putin thote se rusia do fundin e luftes shba reagon me mosbesim
putin thote se rusia do fundin e luftes shba reagon me mosbesim

23:00 22/12/2022

Presidenti Vladimir Putin tha të enjten se Rusia do të donte t’i jepte fund luftës në Ukrainë dhe se një gjë e tillë do të kërkonte në mënyrë të pashmangshme një zgjidhje diplomatike.

Presidenti rus i bëri komentet, që ka shumë mundësi të priten me mosbesim nga Ukraina dhe aleatët e saj, një ditë pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden priti presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Shtëpinë e Bardhë dhe i premtoi atij mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të SHBA-së.

“Synimi ynë nuk është që të përshkallëzojmë konfliktin ushtarak, përkundrazi është t’i japim fund kësaj lufte”, tha zoti Putin. “Ne do të përpiqemi t’i japim fund dhe sigurisht sa më shpejt, aq më mirë.”

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se presidenti rus “nuk ka dhënë absolutisht asnjë sinjal se është i gatshëm të negociojë” për t’i dhënë fund të luftës.

“Përkundrazi,” u tha zoti Kirby gazetarëve gjatë një konference virtuale për shtyp. “Gjithçka që ai (Putini) po bën në terren dhe në ajër tregon se ai do që të vazhdojë dhunën mbi popullin ukrainas” dhe “të përshkallëzojë luftën.”

Ai përsëriti se zoti Biden ishte i hapur për bisedime me zotin Putin, por vetëm pasi udhëheqësi rus “të dëshmojë seriozitet për negociatat” dhe pas konsultimeve me Ukrainën dhe aleatët e SHBA-së.

Rusia ka thënë vazhdimisht se është e hapur për negociata, por Ukraina dhe aleatët e saj dyshojnë se kjo është një taktikë për të blerë kohë pas një sërë humbjesh dhe zmbrapsjesh ruse që e kanë ndryshuar kahjen e luftës 10-mujore në favor të Kievit.

“E kam thënë shumë herë: intensifikimi i konfliktit po çon në humbje të pajustifikuara,” u tha presidenti Putin gazetarëve.

“Të gjitha konfliktet e armatosura përfundojnë në një mënyrë ose në një tjetër me negociata në rrugën diplomatike,” shtoi ai. “Herët a vonë, të gjitha palët në konflikt ulen dhe bëjnë një marrëveshje. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë kundërshtarët tanë, aq më mirë.”

Rusia thotë se është Ukraina ajo që po refuzon të bisedojë. Kievi thotë se Rusia duhet të ndalë sulmet dhe të tërhiqet nga i gjithë territori që ka marrë nën kontroll.

Presidenti Putin minimizoi gjithashtu rëndësinë e sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot që zoti Biden ka pranuar të dërgojë në Ukrainë, duke thënë se Rusia do të gjente një mënyrë për t’u kundërpërgjigjur.

Ai tha se sistemi ishte “mjaft i vjetëruar” dhe nuk funksiononte aq mirë sa sistemi rus S-300, duke pretenduar se Rusia do t’i “mposhtte” sistemet Patriot.

“Kjo thjesht i shërben zgjatjes së konfliktit”, tha ai.

Presidenti Putin tha gjithashtu se tavani i vendosur për çmimin e naftës ruse nga vendet perëndimore, për të kufizuar aftësinë e saj për të financuar luftën, nuk do të dëmtonte ekonominë ruse. Ai tha se do të nënshkruante një dekret në fillim të javës së ardhshme për kundërpërgjigjen e Rusisë.

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts