“Qëndrimi për një kohë të gjatë në pushtet kërkon…”- Ish-ministrja e qeverisë “Rama 1” flet për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe arrestimin e deputetit Alqi Bllako









KELMENT BAÇI/ Deputetja socialiste Ermonela Felaj e cilëson Kongresin e 9 prillit si të zakonshëm, por që do të sjellë ndryshime në mënyrën organizative të partisë, e cila vitin e kaluar fitoi për herë të tretë zgjedhjet e përgjithshme.

269853330_319905480135435_7687418744634227537_n

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Felaj u shpreh se qëndrimi për një kohë të gjatë në pushtet kërkon një ripërtëritje të forcave dhe energjive për të arritur objektiva të reja. Për ish-ministren e qeverisë “Rama 1”, në këtë kongres do të ketë ndryshime në Statutin e partisë, të cilat nuk lidhen me ndryshimin e simbolit, stemës dhe flamurin e partisë, pasi janë vetëm simbolet elektorale ato që ndryshojnë me vendim të kryesisë së partisë.

Sipas deputetes, ndryshimi në statut ka të bëjë me krijimin e një sekretariati ekzekutiv, i cili do jetë në qendër dhe në bazë.

Teksa komentoi situatën e krijuar për zgjedhjen e kreut te shtetit, Felaj u shpreh se PS është e angazhuar në gjetjen e një figure që gëzon mbështetje dhe respekt.

Ish-ministrja ka komentuar edhe arrestimin e ishdeputetit socialist Alqi Bllako, për të cilin tha se kjo është një çështje që duhet të flasë vetëm drejtësia.

Znj. Felaj, Partia Socialiste do të mbajë më 9 prill Kongresin e saj ku janë lajmëruar disa ndryshime. Çfarë pritet të ndodhë me organizimin e PS dhe pse tani këto ndryshime?

Partia Socialiste në 9 prill do të mbajë kongresin e saj. Nuk është një kongres i jashtëzakonshëm, po i zakonshëm i PS-së, por që vjen në një moment të veçantë, pasi PS vijon qeverisjen e vendit pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Kuptohet që qëndrimi për një kohë të gjatë në pushtet i Partisë Socialiste do t’i kërkonte një ripërtëritje të forcave dhe energjive, me qëllim arritjen e objektivave të ardhshëm, qofshin këto në zgjedhjet lokale apo zgjedhjet e përgjithshme. Ndryshimet në statut do jenë një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të punimeve të kongresit. Këto ndryshime në statut kërkojnë që të ripërtërijnë partinë në mënyrën e organizimit të veprimtarisë së saj. Kërkohet një hapje dhe gjithëpërfshirje.

Kjo ka qenë një kërkesë e vijuar brenda Partisë Socialiste, që do t’i propozohet Kongresit edhe si ndryshim në Statut, është pikërisht ai që ka të bëjë me krijimin e një sekretariati ekzekutiv, i cili nuk do të jetë vetëm në qendër, por do të jetë edhe në bazë. Pra, do jetë një linjë vertikale sekretarësh ekzekutivë, të cilët do të mundësojnë menaxhimin në pikëpamje administrative të çdo dege të Partisë Socialiste në secilën bashki.

Ato do të kenë një varësi nga sekretariati ekzekutiv në qendër, sekretari i përgjithshëm, por edhe kryetari i partisë së çdo bashkie, i cili zgjidhet sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”. Dokumentacioni që lidhet me anëtarësinë, me pagimin e kuotave dhe zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme partiake është shumë i rëndësishëm nëse duam të sigurojmë një funksionim real dhe të mirë të një partie politike. Ne e kemi parë të arsyeshme që, përmes këtij propozimi, të sjellim një frymë të re në organizimin e përditshëm të Partisë Socialiste dhe të gjitha degëve të saj.

Do jetë me shumë interes për publikun për të ditur të dhënat e Këshillimit Kombëtar. Një procesi i cili filloi me iniciativë të qeverisë dhe që realisht ka gjetur vëmendjen dhe përgjigjen e shumë qytetarëve shqiptarë. Mendoj që ka qenë një qasje e duhur për të realizuar atë që ne e kemi shpallur si bashkëqeverisje me njerëzit.

Në këtë Kongres, PS pritet të ndryshojë, përmes nenit 12 të Statutit të ri, simbolin, stemën dhe flamurin e partisë. A po rikthehet PS në identitetin e saj dhe po largohet nga “Rilindja”?

Nuk ndryshon as simboli dhe as stema apo flamuri i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ato ngelen të njëjta, sikundër kanë qenë që nga themelimi i PS-së. Ndërkohë që simbolet elektorale janë ato që ndryshojnë me vendim të kryesisë së partisë. Le të mos ngatërrojmë simbolet elektorale me simbolet që identifikojnë një parti politike.

Një deputet socialist, Alqi Bllako, u arrestua dhe akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, pas arrestimit të Lefter Kokës, në atë që quhet “afera e inceneratorëve”. Si ndiheni ju si socialiste kur kolegët dhe bashkëpunëtorët tuaj janë në qeli?

Unë nuk mendoj që ka rëndësi kompansioni ndaj dikujt që në një moment të caktuar i duhet të përballet me ligjin apo organet e drejtësisë, qoftë ky një funksionar politik apo shtetëror. E rëndësishme është që përgjegjësit mund të identifikohen qartë dhe kushdo mund të përgjigjet sipas ligjit.

Hetimi dhe gjykimi i çështjeve penale nuk mund të shndërrohet në një sport popullor, i cili të grumbullojë tifozë të ngjyrave të ndryshme. Këto janë procese që domosdoshmërisht duhet të zhvillohen nga organet përkatëse që parashikon ligji dhe Kushtetuta dhe në respekt të asaj që ne vetë kemi vendosur në ligjin themeltar të vendit.

Do duhet të jemi sa më shume nxitës, partitë politike, shoqëria, media në atë që organet e drejtësisë do duhet të realizojnë përgjegjësitë e tyre dhe gjatë gjithë kohës së funksionimit të vet, ato duhet të kenë ndjesinë e qartë të llogaridhënies.

Nëse ne ushtrojmë presionin në këtë mënyrë, unë jam e sigurt që do të kemi produktet që presim nga drejtësia e re, po aq sa jam e sigurt që kjo është mënyra e vetme për t’i bërë dinjitarë gjyqtarët dhe prokurorët e vendit.

A janë këto zhvillime në vitet e fundit brenda PS-së që kanë nxitur ndryshimet e sipërmenduara me qëllim rikthimin në elementet identitare të së shkuarës edhe për të mos humbur elektoratin e saj besnik?

Nuk ka asnjë lidhje mbajtja e kongresit me fakte që mund të ndodhi rrugës. Këto janë krejtësisht të ndara dhe nuk ka se si të shikohen si të njëjta.

Besoj se nuk ka nevojë për koment se mjafton të lexohen apo të shihen propozimet në Statutin e Partisë Socialiste për të kuptuar që nevoja e ndryshimeve – të cilat në fakt nuk janë të parat ndryshime që janë bërë në statut pasi të fundit janë bërë në vitin 2020- pikërisht për t’i dhënë një frymëmarrje të re të gjithë veprimtarisë organizative të Partisë Socialiste në vend.

Çdo parti politike e ka të nevojshme që të zgjerojë rrethin e mbështetësve të vet dhe të mos ngelet thjesht në pjesën tradicionale të saj. Sikundër e ka të nevojshme të prodhojë ide të reja në mënyrë që të ngelet atraktive për publikun në mënyrë që të konsolidojë besimin e publikut ndaj saj.

Si po qeveris Kryeministri Edi Rama në mandatin e tretë? A mendoni se duhen bërë ndryshime në qeveri?

Për sa kohë që qeveria e Edi Ramës ka pasur një përgjigje për pasojat e tërmetit e pandemisë dhe sa kohë që qeveria dhe e gjithë Partia Socialiste është përfshirë në adresimin e një pakete që mundëson një mbështetje sociale për kategorinë më të gjerë të qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, do të thotë se qeveria, mbi të gjitha, po qeveris me përgjegjësi dhe në transparencë të plotë dhe duke dëgjuar çdo shqetësim të qytetarëve.

Çdo vlerësim tjetër ka një koment dhe një kohë të caktuar ku ne do të marrim nga të gjithë. Për sa u përket ndryshimeve në qeveri, tagri i krijimit të qeverisë apo i ndryshimeve në të është një tagër që i takon Kryeministrit. Kushtetuta qartësisht ka caktuar përgjegjës Kryeministrin dhe është ai që duhet t’i zhvillojë këto përgjegjësi, sikurse ai i çmon gjatë kohëdrejtimit të qeverisë.

Partia Demokratike po kalon një krizë. A mendoni se rikthimi i Sali Berishës në krye të demokratëve, e rikthen PD në pushtet?

Atë konsideratë mund të ketë dikush që i përket Foltores, por jo dikush që është anëtar i PS-së. Unë mund t’ju siguroj që PS ka parasysh cilët janë kundërshtarët e saj politikë dhe është e gatshme të përballet me kundërshtarët dhe kundërshtarin politik, me qëllim për të fituar zgjedhjet.

Dhe përgatitja në kuadër të Kongresit të PS-së është një përgatitje që vjen në funksion të fushatave të ardhshme zgjedhore. Dhe në këtë rast, ka apo nuk ka krizë Partia Demokratike apo kushdo qoftë, kjo nuk përbën një çështje interesi, që ne nuk mund të çojmë përpara punët dhe objektivat tona.

Sigurisht, do të donim që vendi të kishte një opozitë të konsoliduar, por ne ndërkohë nuk mund të bëjmë asgjë për këtë, thjeshtë t’i sigurojmë qytetarët që e ndjejmë seriozitetin e përgjegjësisë si partia së cilës shqiptarët duhet realisht t’i besojnë drejtimin dhe qeverisjen e vendit.

Partitë politike kanë nisur diskutimet për zgjedhjen e Presidentit të ri? PS po angazhohet që ai të jetë konsensual, ndërsa në kampion opozitar ka paqartësi në qëndrimin mbi këtë çështje. A e keni ju si deputetë një emër konkret?

Çështja e zgjedhjes së kreut të shtetit, Presidentit të Republikës, është një çështje e cila definohet qartësisht në Kushtetutë. Mendoj që mbas kaq shumë eksperiencash politike dhe parlamentare të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, partitë politike të mund të jenë qartësuar për profilin e kryetarit të ri të shtetit. PS është e angazhuar në gjetjen e një figure që të gëzojë sa më shumë mbështetje, nderim dhe respekt dhe të jetë një figurë sa më e gjithëpranuar.

Ne po bëjmë çdo përpjekje në funksion të kësaj ideje, por ama nuk mund të lë pa theksuar që procesi i zgjedhjes së Presidentit është dizajnuar në mënyrë të tillë që ai të mos shndërrohet në një proces bllokues për vendin dhe politikën. E rëndësishme është që partitë që përfaqësohen në Parlament ta shohin me vëmendje këtë proces, t’i kushtojnë seriozitetin e duhur në funksion të një zgjedhje, e cila në çdo rast do të shkojë në interes të qytetareve dhe vendit.

Prej gati 1 muaji vendi po përballet me një rritje të çmimeve të karburanteve dhe produkteve të shportës. Sipas jush, si po e menaxhon qeveria këtë situatë?

Rritja e çmimeve të produkteve të shportës dhe karburanteve nuk është një situatë e prodhuar rastësisht, por një situatë e prejardhur nga lufta në Ukrainë. Pa asnjë diskutim që edhe qeveria shqiptare nuk kishte si të bënte përjashtim në kuptim që mund të ishte indiferente ndaj kësaj situate.

Paketa e rezistencës sociale, të cilën ne e shpallëm pak kohë më parë, tani ka hyrë në fuqi dhe nga 1 prilli ka nisur të zbatohet dhe qytetarët besoj do t’i ndjejnë efektet e mbështetjes së kësaj pakete. Është paketë e menduar që t’i shërbejë një kategorie të gjerë qytetarësh, duke nisur që nga pensionistët, mbi 600 mijë, personat me aftësi të kufizuara, familjet me ndihmë ekonomike, biznesin e vogël.

Qeveria sërish, jo prej asaj që ju e quani protesta qytetare, në fakt do të ishte mirë të kishim protesta qytetare, por në të gjitha rastet janë vjedhur dhe instrumentalizuar nga opozita dhe janë parë si mundësi për të krijuar rrëmuja dhe anarki në vend. Funksionimi i bordeve të transparencës, në bashkëpunim me biznesin, po siguron që të mos ketë spekulim. Është e rëndësishme të kuptojmë që nuk jetojmë në kohën e shkuar, kur për çdo gjë vendoste shteti, kemi ndryshuar sistemin e qeverisjes dhe natyrisht do duhet të respektojmë çdo sipërmarrje të lirë. Për këtë arsye, them që angazhimi i qeverisë në monitorimin e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve bazë është një angazhim i veçantë dhe jo i thjeshtë për t’u realizuar, sepse kërkon komunikimin e duhur me përfaqësuesit e biznesit. Jo më kot përfshirja ka qenë në radhë të parë e Kryeministrit, pastaj e të gjithë ministrave dhe deputetëve.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.