Qeveria e re e Kosovës, Kosnett: Inkurajova Haradinajn dhe Hoxhajn të veprojnë me konstruktivitet

Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett ka thënë të enjten se është takuar ndaras me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli për t’i inkurajuar që të veprojnë me konstruktivitet në rolin e opozitës.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Kosnett ka thënë t’iu ketë kërkuar atyre që, të punojnë së bashku me qeverinë në synimet e përbashkëta dhe të vendosin nevojat e qytetarëve mbi qëndrimet politike.

Më herët gjatë ditës, Hoxhaj ka thënë se qëndrimi i partisë së tij, në raport me votimin e Vjosa Osmanit për postin e presidentit, është i qartë. “Nuk e mbështesim kandidaturën e saj”. Mes tjerash ai e ka konsideruar Osmanin figurë “përçarëse”. “Ju e dini që, a qëndron apo nuk qëndron në sallë, nuk ka kurrfarë vlere. Vlera është, a merr pjesë apo nuk merr pjesë në votim, dhe qëndrimi jonë është që kandidatura e zonjës Osmani është e papranueshme, nuk e reflekton vullnetin, më së paku të elektoratit të PDK-së, por nuk e reflekton edhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës, meqë ka qenë një figurë më shumë polarizuese, përçarëse, në raport me qytetarët e Kosovës, por edhe në raport me ish-subjektin e saj politik, të cilin subjekt e ka shndërruar në viktimë në këto zgjedhje”, ka thënë ai.

Po të enjten, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se partia që drejton ai, do të jetë pjesë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Për secilën seancë tjetër, Haradinaj ka thënë se grupi parlamentar i AAK-së do të diskutojë veç e veç. Ditë më parë, Haradinaj ka thënë se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i sigurojë votat e nevojshme në kuvendin e ri, për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, më 22 mars është caktuar të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ku pritet që 120 deputetët e rinj të bëjnë betimin dhe të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni. Konstituimi i kuvendit i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *