Qeveria e talebanëve në pritje të njohjeve ndërkombëtare

22:20 24/08/2021

Pakistani, Irani, Rusia dhe Kina duken se janë gati të punojnë me qeverinë e re

Një javë pasi vendosën kontrollin e plotë mbi Afganistanin, udhëheqësit talebanë dëshirojnë që t’i sigurojnë vëzhguesit ndërkombëtarë se ata kanë në plan një sistem gjithëpërfshirës politik dhe se nuk do të lejojnë që vendi i tyre të bëhet sërish strehë e terroristëve. Ata janë shumë të etur për njohjen ndërkombëtare, sepse duan ta pastrojnë imazhin e tyre ndërkombëtar.

Regjimi i mëparshëm taleban, nga viti 1996 deri më 2001, është njohur vetëm nga Pakistani fqinj dhe nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Që nga dita kur talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit, Qeveria amerikane ka ngrirë miliarda Dollarë në rezervat e Bankës Qendrore Afgane, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se do t’i ngrijë 450 milionë Dollarët që do të dërgoheshin në Kabul.

I përballur me kritika për shkak të vendimit për tërheqjen e trupave nga Afganistani, presidenti amerikan, Joe Biden, ka lënë të kuptohet se Uashingtoni është duke punuar me aleatët perëndimorë, për t’u bërë presion talebanëve që të plotësojnë kushte të vështira, nëse duan njohje dhe legjitimitet.

Shkeljet e të të drejtave të njeriut nga ana e talebanëve dhe lidhjet e tyre të mundshme me militantët transnacionalë kanë bërë që Britania të paralajmërojë se do të bëjë presion për sanksione ndaj grupit militant.

Së bashku me Japoninë, Australinë dhe aleatët e tjerë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë qenë donatorët kryesorë në Afganistan. Ndihma e tyre ekonomike dhe humanitare do të jetë kyçe për parandalimin e krizës ekonomike.

Megjithatë, fqinjët me ndikim të Afganistanit, Pakistani dhe Irani dhe fuqitë globale, Kina dhe Rusia, po marrin qasje tjetër.

Pakistani për gati dy dekada ka qenë strehuesi i udhëheqësisë së lëvizjes talebane dhe ka financuar kryengritjen e saj.

Ashtu si Kina dhe Rusia, Irani ka kultivuar kontakte me talibanët për vite me radhë dhe po shikon me optimizëm kthimin e tyre në pushtet.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *