Qeveria pranon “gabimet” para FMN-se, për ndryshimet e buxhetit me akt normativ dhe ekzagjerimin me projektet e investimeve









Buxhet-1-1004-scaled-e1637748472971Qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Financave i ka premtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) se gjatë vitit 2022 e në vijim buxheti i shtetit nuk do të ndryshojë me akt normativ dhe se gjithashtu do të rishikohet me ulje zëri i investimeve kapitale për financimin e projekteve të infrastrukturës, të cilat nuk përbëjnë as emergjencë dhe nuk janë pjesë e prioriteteve kombëtare.

Angazhimet e qeverisë u njoftuan në raportin e stafit të FMN që u publikua këto ditë.

Ministria e Financave i ka shprehur gatishmërinë Fondit se, ritmi i konsolidimit fiskal do të fillojë gradualisht, duke pasur parasysh rritjen e shpenzimeve dhe presionet që rrjedhin nga programi ekonomik i qeverisë dhe nevoja për t’u përballur me sfidat rritja e çmimeve të energjisë. Respektimi i rregullave fiskale do të nisë nga viti 2022 dhe për të arritur një bilanc primar prej të paktën, zero, nga viti 2024 e në vazhdim.

Stafi i FMN njoftoi se, qeveria shqiptare është angazhuar të ndalojnë përdorimin e akteve normative për rishikimet e buxhetit në vitin 2022 dhe ka siguruar që çdo ndryshim do t’i nënshtrohet miratimit normal parlamentar.

Sakaq qeveria e ka shndërruar në rutinë ndryshimin e buxhetit me akt normativ. Vetëm vitin e kaluar u lëshuan 6 akte normative për ndryshimin e buxhetit, ndërsa këtë vit 4 të tilla. Madje me akt normativ qeveria ndryshoi edhe ligjin organik të buxhetit duke rritur kufirin për borxhin publik.

Ministria e Financave ka premtuar miratimin e një kuadri fiskal afatmesëm, i cili ka tre vite që është sugjeruar dhe asistuar nga FMN . Ndryshimet, shumica e të cilave u miratuan së fundmi synojnë rritjen e të ardhurave shtesë prej 2.3-3 për qind të PBB-së gjatë katër viteve në vijim.

FMN tha se, qeveria shqiptare ra dakord për nevojën e pakësimit të shpenzimeve kapitale tepër ambicioze të financuara brenda vendit (jo tërmet), por sinjalizoi planet për të vazhduar ndjekjen e projekteve infrastrukturore tashmë në zhvillim.

Qeveria shqiptare gjithashtu është zotuar se do të forcojë më tej monitorimin e kontratave koncesionare. Deri më tani është respektuar kufiri i pagesave ndaj koncesioneve PPP prej 5 për qind e të ardhurave tatimore vjetorë, por respektimi i këtij rregulli rrezikohet në vitet në vijim.

Që nga fillimi i zbatimit, rreziku i pagesave është shtuar për disa kontrata, të cilat tashmë janë pranuar nga Ministria e Financave e cila ka premtuar forcimin e mëtejshëm të bazës ligjore sidomos kontrollin mbi pagesat./Monitor

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.