Qeveria shtyn moratoriumin me 5 vite të tjera, gjuetarët kundër! Kreu i Shoqatës: Po persekutohemi, i shërben vetëm një pakice









VALENTINA MADANI/ Qeveria, përmes ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, njoftoi dje se është zgjatur me 5 vite të tjera moratoriumi i gjuetisë. Sipas saj, ky projektligj është vazhdim i dy ligjeve që u kishte mbaruar afati.

gjuetia

Kumbaro theksoi se vendimi për zgjatjen me 5 vite të moratoriumit u bë pasi janë parë efekte pozitive nga dy ligjet e mëparshme. Sipas ministres, është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të shpendëve të egër dhe një ndërgjegjësim shumë më i madh i popullatës.

Por, shoqata e gjuetarëve “Blerimi” në Lushnje kundërshton vendimin e qeverisë duke akuzuar se i shërben një pakice dhe se po rrezikon faunën e zonës. Z. Gjyla deklaroi dje për Gazetën “Panorama.al” se duhet të ndëshkohen abuzuesit dhe se gjuetia të bëhet mbi bazën e disa kritereve. Kjo është hera e tretë që qeveria kërkon një moratorium gjuetie në vend.

Z. Gjyla, si e konsideroni vendimin e qeverisë për moratorium gjuetie edhe për 5 vite të tjera?

Ligji i qeverisë nuk ka të bëjë fare me ne shoqatën e gjuetarëve. Ky ligj i intereson vetëm një pakice. Për ne, nuk ka asgjë të mirë. Madje bëhet vetëm për keq. Këto që bën qeveria me moratoriume janë gënjeshtra. Nuk kanë të bëjnë me ne, por vetëm me një pakicë. Ky vendim nuk është për ne. Është shumë i gabuar. Jo vetëm që nuk na mbështet, por na dëmton.

Kush është kjo pakicë…?

Nuk dua të flas me emra, por është një pakicë e vogël. Janë disa drejtorë që bashkëpunojnë me disa ambjentalistë dhe marrin para. Nuk e kam me ministren në këtë rast, por me këtë pakicë. I bëj thirrje Kryeministrit që të shikojë situatën ku ndodhemi dhe të mbajë premtimet, sepse ne po persekutohemi më keq se në kohën e diktaturës.

Çfarë ju shqetëson konkretisht…?

Po ndodh ajo që nuk duhet të ndodhë. Shteti e ka në dorë dhe duhet të ndërhyjë. Po bëjnë masakër. Gjahu është zhdukur. Gjahu mbrohet vetëm nga ne. A e dini ju që gjuhet ditë natë? Gjuetia bëhet pa kriter. Kjo ka bërë që shumë shpendë të rrallë të vendit tonë, të zhduken. Kryesisht fazani dhe thëllëza janë zhdukur krejtësisht nga zonat në rrethin e Lushnjës. Gjuetia e paligjshme nuk po njeh ndalim dhe kontrollet nga instancat përkatëse duhet të shtohen. Po bëhet gjueti pa asnjë kriter, duke u shfrytëzuar për qëllime personale duke shkaktuar dëmtime në popullata kafshësh e shpendësh. Ky abuzim duhet të ndalojë.

Kush është zgjidhja sipas jush?

Zgjidhja është hapja e gjuetisë, duke vendosur disa kritere. Situata është alarmante. Të vijnë këtu dhe të shohin situatën. Shoqata jonë e ka mbrojtur pelikanin. Ne kemi bërë të mundur popullimin e zonës. Jam angazhuar personalisht për ruajtjen e thëllëzave dhe fazanëve. Edhe në ‘97-‘98 kur të gjithë vrisnin sa mundnin unë kam shkuar personalisht për t’i mbrojtur. Kam lëshuar rreth 1700 thëllëza fushe dhe 500 fazanë, sepse po zhduken. Dua të ngre zërin fort, sepse situata është shumë e keqe.

Duhen marrë masa të forta. Jemi vetëm ne që po bëjmë të mundur popullimin e zonës. Duhet forcim i ligjit dhe ndëshkim i abuzuesve. Të bëhen kontrolle rigoroze ndaj çdo abuzuesi. Nuk mund të vazhdohet më në këtë mënyrë, por duhet të mbrohet fauna jonë. Këtë e ka shteti në dorë dhe duhet t’i japë zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.