Qindra palestinezë strehohen në shkolla për shkak të sulmeve të Izraelit

Teksa shumë civilë janë detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve joselektive që Izraeli ka kryer në Gaza që prej 10 majit, disa familje të Gazës janë strehuar në shkolla me mendimin se atje do të jenë më të sigurtë.

Një shkollë pranë Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) është bërë strehë për qindra palestinezë që janë larguar nga sulmet.

12-vjeçarja Lina el-Attar, një nga fëmijët që u strehuan në shkollë me familjen e saj, foli ndërsa buzëqeshte nga dritarja e një klase duke shikuar palaçon i cili argëtonte fëmijët në përpjekje për t’i mbrojtur ata nga ndikimi psikologjik i luftës.

“U desh t’i linim shtëpitë tona dhe të iknim për shkak të sulmeve izraelite”, tha Attar.

Duke deklaruar se u larguan nga shtëpia gjatë bombardimeve dhe raketave dhe se ishte mrekulli që mbijetuan në mes të atyre shkatërrimeve, Attar tha se nuk e di as nëse shtëpia e tyre është qëlluar pas largimit të tyre.

“Jemi fëmijë”

Vexhdan Musa, 11 vjeçe, vrapoi jashtë nga klasa me familjen e saj sapo dëgjoi tingujt e këngëve dhe të qeshurat në kopsht.

“Jam shumë e lumtur me këtë shfaqje, kam luajtur, jam e lumtur dhe shpresoj që këta palaço të vijnë në shkollë çdo ditë”, tha Musa, duke harruar më pas gëzimin e shkurtër që e kishte dhe duke kujtuar përjetimet e saj.

“Ne duhej të dilnim nga shtëpia. Lëmë rrobat dhe lodrat tona të bukura atje. Nuk e di se çfarë ka ndodhur”, tha ajo.

“Pushtuesi na shënjestroi me bomba dhe raketa. Ne nuk kemi bërë mëkat. Jemi fëmijë”, shtoi Musa.

Për një çast, zhurma e bombave të hedhura nga avionët luftarakë izraelitë shuan këngët dhe qeshjet e fëmijëve.

Argëtim në kopshtin e shkollës për mbështetje psikologjike për fëmijët

Muhammed Saad, i cili erdhi në shkollë për të argëtuar fëmijët, tha se puna e tyre ka për qëllim lehtësimin e barrës psikologjike për fëmijët në mjedisin e luftës.

“Ka dhjetëra njerëz këtu që humbën të afërmit e tyre dhe shtëpitë e tyre u shkatërruan, dhe është detyra jonë të ngremë moralin e fëmijëve”, tha Saad, duke theksuar se fëmijët janë thellësisht të tronditur nga bombardimet dhe se po përpiqen t’u ndihmojnë ta kapërcejnë këtë përvojë me argëtim në mënyrë që t’ua japin mesazhin, siç tha ai, “Jemi më të fortë se Izraeli”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *