20:10 23/04/2022
Zelensky: Rusia nuk do ndalet me pushtimin e Ukrainës
Të paktën pesë persona, mes të cilëve edhe një fëmijë 3 muajsh, mbetën të vrarë, ndërsa 18 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me raketa që Rusia ndërmori pasditen e së shtunën në qytetin port të Odesas.
Lajmin e konfirmoi kreu i zyrës së Presidentit Zelensky, i cili tha se raketat përveç dy objektivave ushtarake goditën edhe një bllok pallatesh.
Ndaj sulmit reagoi edhe ministri i Jashtëm ukrainas Dimytro Kuleba i cili tha se qëllimi i sulmit me raketa në Odesa është terrori.
Në Luhansk u shënuan dy viktima të tjera nga bombardimet që kanë shkatërruar edhe linjat e energjisë elektrike.
Ndërkohë që pas Buçës, trupat e civilëve të vrarë nga bombardimet ruse kanë mbushur edhe rrugët e Mariupolit.
Këtë të shtunë janë publikuar pamje të tjera që tregojnë trupat e më shumë se 20 civilëve të pajetë. Uzina metalurgjike Azovstal e cila është edhe fortesa e fundit e rezistencës ukrainase në Mariupol vijon të mbetet e rrethuar, ndërkohë që evakuimi i planifikuar i të shtunës i civilëve përmes një korridori humanitar dështoi.
Në një deklaratë më herët Presidenti Volodymr Zelensky tha se Moska nuk do ndalet në Ukrainë dhe se ka ambicie për të pushtuar vende të tjera të Europës.
Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill teksa spërkati me ujë të bekuar bukën e Pashkëve, tha se ato do të dërgoheshin në Dombas për të ndihmuar ata që janë përfshirë në këtë konflikt të qetësojnë zemrat dhe mendjet e tyre, në mënyrë që grindjet e brendshme të marrin fund sa më shpejt dhe të mbretërojë paqja.
Por ndërsa foli për nevojën e pajtimit, ai nuk e vuri në dyshim apo kritikoi fushatën ushtarake ruse në Ukrainë.
Tv Klan