Rama në Milano foli në… “edramisht”!

rama ne milano foli ne edramisht































NGA XHEVAT MUSTAFA Xhevat Mustafa

Shumëkush nga shqiptarët, në Shqipëri dhe Itali, duke e njohur mirë Edi Ramën si njeri “mendjethellë e largpamës edhe më shumë se Enveri”, të parashikueshëm apo manierist edhe në veshje, mund të ketë menduar si urim të parë që ai të vishej në mitingun në Milano jo me brekushe, si jo rrallëherë në Shqipëri e vende të tjera, edhe në takime e vizita zyrtare, por me xhaketë, kravatë, brekë firmato, pantallona…!

Ky urim e kjo dëshirë janë të nxitura nga qëllimi i mirë që kryeministri i tyre i vitit 2024 t’i nderojë, të paktën nga paraqitja e të mos vijë dhe duket në Milano si Haxhi Qamili i vitit 1914. Merret me mend se mes rreth 500 mijë e më shumë emigrantëve shqiptarë në Itali mund të gjenden dhe mblidhen edhe 5 – 10 mijë enveristë dhe edramistë, spiunë të moçëm, udbashistë të hershëm dhe patronazhistë “prodhim i vonë vendi”…! Këtyre, sipas përvojës së Athinës, por me një ndryshim të vetëm-mjetin e udhëtimit, iu shtuan edhe disa qindra partiakë, zyrtarë, pushtetarë, arsimtarë… të të dy gjinive, bosë biznesesh që ushqehen rregullisht me tendera e PPP nga Rama-Veliaj dhe kryebashkiakë të qyteteve të tjerë. Këta “turistë të majtë” mund të kenë shkuar nga Shqipëria me paratë e xhepit apo të buxhetit të shtetit për ta kaluar këtë fundjavë në Milano, pra, për të bërë një rrugë e më shumë se dy punë…!

Po kështu, duke njohur aftësinë publicistike dhe demagogjike të Edi Ramës dhe kurajën vetëkorrigjuese të tij në të shkruar e folur, ai mbajti në Milano, më 26 maj 2024, një fjalim patetik, “historik”, histerik, drogues…! Lum kush ishte përzgjedhur dhe e kaloi “skanerimin” të futej në sallën e madhe të mitingut dhe me veshët e vet “pati fatin dhe lumturinë” ta dëgjonte kryetarin e shumëfishtë Edi Rama, që “të dytë nuk ka ba e nuk ban ma nana”.

Padyshim, shumicës, me përjashtim të atyre pak vetëve që ishin futur për të shkaktuar sherr e shamatë, ndërsa ai ligjëronte edhe më mirë se shoku Enver, ai ua ngriti jo vetëm zemrat dhe mendjet, por edhe brekët e pantallonat, fundet, fustanet… peshë apo lart, sa brohoritmat e tij dhe të tyre, i dëgjuan edhe Giorgia Meloni në Romë, edhe Sali Berisha dhe Altin Dumani në Tiranë; edhe Albin Kurti në Prishtinë; edhe Mitsotakis në Athinë, edhe Vuçiç në Beograd! Bile, edhe Putin në Moskë! Fjalimi i tij i ri për emigrantët shqiptarë në Milano, jo krejt kopje e atij në Athinë, ishte me doza të forta demagogjie artistike, manipulimi krijues, drogimi emocional… dhe “me nivel të lartë interpretimi aktorial”, sa jo vetëm shqiptarëve, por edhe shumë italianëve iu mbush mendja se Edi Rama i parë dhe i fundit është lider unikal, përtej rajonal, global…!

Disa italianë, duke mos e përmbajtur dot zilinë e keqardhjen për veten, që kanë si kryeministre një “copë Giorgia Meloni”, edhe mund t’u kenë thënë njëri-tjetrit ose komshinjve, shokëve, miqve emigrantë shqiptarë: “Lum Shqipëria që e ka!”. Ndërsa shumica e shqiptarëve e emigrantëve në Itali mund t’u jenë përgjigjur me zemërim e dëshpërim ulëritës: “Mjer njerëzit tanë që po e mbajmë mbi kurriz e mbi kokë prej 10 vitesh! Ky po ua nxin jetën dhe Shqipërinë e nuk ka ndërmend vetë me u shporr nga froni, pa ikur edhe shqiptari i fundit emigrant nëpër vendet e Perëndimit e të tjera, deri në ato të Lindjes së Largët, me standarde të larta zhvillimi dhe mirëqenieje…!”

Por, edhe halli e sikleti i Edi Ramës, përmbytur nga breshëri të këqijash nga vendi e nga jashtë, përfshirë ato nga SPAKu në Tiranë, McGonigal në Uashington dhe “Xibraka” në Hanover (Gjermani) duhen mirëkuptuar! Çfarë përrallash mund t’u tregonte e me çfarë “bumesh, rekordesh, suksesesh….” e shifrash mund “t’i drogonte” Edi Rama emigrantët shqiptarë në Itali? Shumica e tyre, falë afërsisë gjeografike, ashtu si ata në Greqi, vijnë shpesh tek prindërit apo shtëpitë e tyre në Shqipëri.

Domethënë e njohin gjendjen e vërtetë të saj ndoshta edhe më mirë se Edi Rama dhe tufa e shoqëruesve të tij, që po t’u llogariten ditët e një viti, ndoshta kanë qenë më shumë nëpër avionë, aeroporte, hotele, salla takimesh dhe konferencash ndërkombëtare dy e shumëpalëshe… Italia vërtetë këto vite është për nga standardet e zhvillimit dhe të mirëqenies më ulët se Zvicra, Austria, Gjermania, Franca…, por gjithsesi është shumë më lart se Shqipëria e këtyre 10 viteve të fundit! Shqipëria e sotme nuk është, siç tha i fundit, “sa me la gojën e me i ba qejfin” Edi Ramës, ministri i jashtëm britanik, David Cameron, “histori suksesi”, por “histori skandalesh, korrupsioni, dështimesh, varfërimi, plakjeje dhe mpakjeje, neodiktaturizimi apo rienverizimi…”!

Pra, Edi Rama foli para 5-10 mijë emigrantëve shqiptarë, jo në shqip, as në italisht, por vetëm në edramisht! Sipas disa gjuhëtarëve pa grada e tituj qeveritarë e “rebelë”, edramishtja është një nga dialektet e shumtë të sorosianishtes. Por, disa gjuhëtarë rrogëtarë dhe bashkëpunëtorë të jashtëm në Akademinë e Shkencave të Skënder Gjinushit janë në mëdyshje disavjeçare për t’iu kundërvënë kësaj teze. Më së shumti, jo për arsye shkencore, por nga frika se mos i mbetet hatëri dhe i flakërohet zemërimi krijuesit të këtij dialekti. Sepse e kanë kuptuar se ky, pasi e krijoi duke i rraskapitur trutë gjatë 8 viteve në opozitë(2005-2013), mezi e përmban dëshirën të zëvendësojë përfundimisht enverishten, të ketë perspektivë e të bëhet gjuhë mbarë globale, me dialekt të vetëm të saj “openballkanishten”!?

Le ta braktisim shprehjen me një dozë humori e të forcojmë dozën e seriozitetit, duke u përpjekur të futemi sa më thellë në trurin e Edi Ramës, figurativisht si një “thesar pafundësisht i pasur”, sa nuk e nxë dot as “shpella e Ali babës…”! Për çfarë mund t’u mburrej si “histori suksesi dhe fitoresh” kryeministri afro 11-vjeçar pjesëmarrësve në mitingun paraelektoral të radhës, atë të Milanos? Për motërzimin e mafies italiane me atë shqiptare e të atij si kryeministër me Giorgia Melonin? Se edhe pas 10 vitesh të atij si kryeministër, pra deri më 26 maj 2024, familjarë e të afërm të shumë emigrantëve pjesëmarrës në atë miting, disa prej tyre në Itali qysh nga korriku 1990, dalin në pension me rreth 15.000 lekë ose 150 euro në muaj, domethënë rreth 5-10 herë më pak se sa në Itali?

Se shumica e çmimeve të artikujve ushqimorë, farmaceutike, kozmetike… në Shqipërinë e tij janë rreth 25-50% më të shtrenjta se në Itali? Se ai ka dy qeveri: një në liri, në Kryeministri e një tjetër nëpër qeli ose në kërkim në arrati…? Se Shqipëria e tij me as dy milionë banorë ka një administratë në rreth 185 mijë veta, plus 30 mijë patronazhistë, domethënë edhe më shumë se Italia me rreth 59 milionë banorë?! Se Shqipëria rilindase është kampione apo nënkampione evropiane për pagat dhe pensionet më të ultë, për korrupsion, kanabizim, për pastrim parash të pista; për inceneratorë dhe rrugë në letra; për kullëzim, ajrin e ndotur; për kafenera, qebabtore, byrektore, farmaci, agjenci të këmbimit valutor… Por, edhe për media dhe drejtësi të varura nga qeveria, domethënë, nga ai si kryeministër ligjërisht e në letër, por me plotpushtetshmëri sulltani, perandori, mbreti, diktatori në të vërtetë apo në jetë…!?

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” <!–

–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts