MARIGLEN KUME/ Dy ditë pas publikimit të raportit, përmes një postimi në rrjetet sociale thuhet se selia diplomatike ka mbajtur shënimet e duhura dhe nga ana tjetër nxit institucionet shqiptare që të shqyrtojnë me vëmendje raportin dhe rekomandimet në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë më të mira.
“Ne kemi mbajtur shënim Raportin Përfundimtar të ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, i cili ndërtohet mbi bazën e raportit paraprak të 26 prillit. Nxisim të gjitha institucionet përkatëse që të shqyrtojnë raportin përfundimtar dhe rekomandimet e tij për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.
MONITORIMI
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kushtuan vëmendje të veçantë zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Pavarësisht vështirësive të krijuara nga pandemia e shkaktuar nga Covid-19, SHBA solli vëzhguesit e saj për zgjedhjet. Ndërkohë, në maj, muajin pasardhës pas zgjedhjeve, vëzhguesit dolën me një deklaratë mbi gjetjet. “Ndërsa kishte shumë aspekte pozitive të zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë, SHBA vërejti konstatimin e misionit vëzhgues të OSBE-së se partia në pushtet nxori përparësi të konsiderueshme nga detyra e saj, përfshirë përmes kontrollit të administratave lokale dhe keqpërdorimit të burimeve administrative.
Ne gjithashtu vërejmë konstatimin e tyre se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbetën një problem dhe ne përforcojmë shqetësimet mbi rrjedhjet e të dhënave personale të ndjeshme, duke përfshirë preferencat politike të votuesve. SHBA përsërit se zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të vërë para përgjegjësisë çdo individ që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit të Shqipërisë për të votuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne mirëpresim njoftimin e Gjykatës Speciale Antikorrupsion (SPAK) për hetimet e krimeve zgjedhore”, theksohet në deklaratën e Rosenstock-Siller.
“SHBA shpreson në raportin përfundimtar të ODIHR dhe inkurajon Shqipërinë të përdorë këtë raport për të përmirësuar më tej proceset zgjedhore të saj. SHBA do të vazhdojë të punojnë me qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë në demokraci, mbrojtje dhe tregti”, përfundonte deklarata.
© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al