Raporti për sundimin e Ligjit/ Presidenti Meta apel Qeverisë: Gjendja është shumë e rëndë, kërkon reflektim të menjëhershëm








Presidenti Ilir Meta ka reaguar i shqetësuar dhe me një thirrje për Qeverinë pas raportit të World Justice Project, për “Indeksin e Sundimit të Ligjit 2021”.

ilir meta per zgjedhjet

Sipas Metës, raportet e organizatave ndërkombëtare prestigjioze, “konfirmojnë vit pas viti, se zbatimi i ligjit në Shqipëri po përkeqësohet në mënyrë të ndjeshme”.

Kreu i shtetit nënvizon në postimin e tij në rrjetet sociale se të dhënat e organizatave ndërkombëtare “që tregojnë me vërtetësi realitetin tonë, edhe pse na konfirmojnë prej vitesh përkeqësim të vazhdueshëm, sërish nuk gjejnë reflektim tek ata që kanë përgjegjësi për të ndërmarrë masat respektive”.

“Nëse Parlamenti, Qeveria dhe institucionet e pavarura vazhdojnë të anashkalojnë këtë regres të pandalshëm, atëherë si do të përmirësohet zbatimi i ligjit në vend?
Gjendja është shumë e rëndë dhe kërkon reflektim të menjëhershëm, efektiv dhe të përgjegjshëm”, shkruan Meta.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta

Raportet e organizatave ndërkombëtare prestigjioze, konfirmojnë vit pas viti, se zbatimi i ligjit në Shqipëri po përkeqësohet në mënyrë të ndjeshme.

“Indeksi i Sundimit të Ligjit 2021”, përgatitur nga World Justice Project, është tregues i gjendjes reale ku ndodhet vendi dhe një “thirrje” e fuqishme për të reflektuar dhe marrë masa për të luftuar korrupsionin dhe mundësuar një drejtësi efektive dhe të paanshme për të gjithë.

Ky Raport mat mënyrën e qeverisjes; sa i pavarur është gjyqësori; sa funksionojnë agjencitë audituese dhe sa pavarësi kanë këto organe të kontrollojnë Qeverinë; nëse zyrtarët hetohen dhe dënohen për shkelje; nëse mediat janë të pavarura; nëse zyrtarët zgjidhen sipas rregullave e procedurave të parashikuara nga Kushtetuta.
Konkluzionet e WJP konfirmojnë se Shqipëria ka korrupsionin më të lartë në Europë dhe rajon dhe se asnjë tregues nuk njeh përmirësim, por vetëm rënie të vazhdueshme në krahasim me vendet e tjera.

Sipas këtij Indeksi, nga matja e 4 parimeve universale të Sundimit të Ligjit, ai i llogaridhënies, ligjit të drejtë, qeverisjes së hapur, drejtësisë së paanshme dhe të aksesueshme, rezulton se Shqipëria ka pësuar rënie sa i takon sundimit të ligjit, duke u renditur për vitin 2021, e 83-ta nga 139 shtete, mes Suriname, Algjerisë apo Uzbekistanit.

Është për të ardhur keq, që sa i përket faktorit mbi respektimin e ligjit nga Qeveria, Shqipëria jo vetëm që renditet e 109-ta, por ka arritur të lërë pas, me 0,01 pikë, Afganistanin.

Matja e faktorit të mungesës së korrupsionit (që ka matur tregues mbi rryshfetin, ndikimin e paligjshëm, shpërdorimin e fondeve dhe burimeve publike), e rendit Shqipërinë të 105-ën, pas Ganës, Kolumbisë, Beninit, apo 0,01 pikë më mirë se Zambia, Mozambiku dhe El Salvadori.

Këto të dhëna, për fat të keq, përputhen plotësisht me bindjen dhe perceptimin e përgjithshëm të qytetarëve tanë, të cilët nisur nga kjo situatë e rëndë, kanë humbur shpresën dhe gjithmonë e më shumë po largohen nga vendi, për ta ndërtuar jashtë Shqipërisë të ardhmen e tyre.

Jam thellësisht i shqetësuar për faktin se këto raporte, që tregojnë me vërtetësi realitetin tonë, edhe pse na konfirmojnë prej vitesh përkeqësim të vazhdueshëm, sërish nuk gjejnë reflektim tek ata që kanë përgjegjësi për të ndërmarrë masat respektive.

Nëse Parlamenti, Qeveria dhe institucionet e pavarura vazhdojnë të anashkalojnë këtë regres të pandalshëm, atëherë si do të përmirësohet zbatimi i ligjit në vend?
Gjendja është shumë e rëndë dhe kërkon reflektim të menjëhershëm, efektiv dhe të përgjegjshëm.

245868104_414942353334339_7096640773768114249_n 246114671_414942323334342_3110797299160768235_n 245989689_414942280001013_1749938654154708621_n 243285037_414942246667683_1559456192567865724_n

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *