Reagime mbi konkurrencën mes nismave ekonomike të Kinës dhe Indisë

reagime mbi konkurrencen mes nismave ekonomike te kines dhe indise

Pekini muajin e ardhshëm do të organizojë një forum ndërkombëtar për të shënuar 10-vjetorin e Nismës Një Brez Një Rrugë. Para mbajtjes së këtij forumi, Hong Kongu mbajti një takim të kësaj nisme. Gazetarja e Zërit të Amerikës, Cindy Sui pyeti pjesëmarrësit se çfarë mendojnë për një iniciativë të re konkurruese të infrastrukturës për të lidhur Indinë, Lindjen e Mesme dhe Evropën.

Më shumë se 70 vende janë të përfaqësuara në takimin e Nismës Një Brez Një Rrugë në Hong Kong. Në takim po marrin pjesë zyrtarë qeveritarë dhe sipërmarrës, të cilët po përpiqen të tërheqin investime për projekte infrastrukturore.

Ndërsa pjesëmarrësit thonë se janë të përkushtuar ndaj Nismës Një Brez Një Rrugë, ata janë gjithashtu të hapur për të punuar me një iniciativë konkurruese që lidh Indinë, Lindjen e Mesme dhe Evropën.

“Sa më shumë, aq më mirë”, thotë zyrtari nga Nigeria Henry Nduka Awuregu.

Khaled Mohamed Aljassim nga Emiratet e Bashkuara Arabe nuk mendon se vendet do të duhet të detyrohen të zgjedhin mes dy nismave.

Khaled Mohamed Aljassim, pjesëmarrës nga Emiratet e Bashkuara Arabe

“Ne jemi të hapur për çdo vend. Ne nuk zgjedhim”, thotë ai.

Disa pjesëmarrës nga vendet që i janë bashkuar Nismës Një Brez Një Rrugë thonë se konkurrenca nga Nisma e Indisë Korridori Ekonomik Indi-Lindje e Mesme-Evropë Lindore (IMEC) mund të sjellë marrëveshje më të mira për vendet që ndodhen përgjatë projekteve të tyre.

Arturs Zanderson nga Autoriteti Portual i Rigës thotë se vendi i vogël baltik i Letonisë, për shembull, po kërkon investime për ta ndihmuar atë të paguajë për kostot masive të përmirësimit të objekteve të riparimit dhe menaxhimit të anijeve të mëdha të mallrave, por nuk dëshiron të humbasë kontrollin mbi këtë infrastrukturë kyçe. Deri më tani Letonia nuk ka përfituar nga asnjë projekt i Nismës Një Brez Një Rrugë, pjesërisht për shkak të rregullave të forta për investitorët, duke përfshirë krijimin e më shumë vendeve të punës.

“Unë mendoj se është e mrekullueshme. Mendoj se sa më shumë investime, aq më mirë, veçanërisht për ne. Nga pikëpamja ekonomike, konkurrenca dhe qasja në më shumë fonde natyrisht që janë pozitive”, thotë ai.

Deri më tani, afro 1 trilion dollarë investime janë investuar në më shumë se 3000 projekte bashkëpunimi të nisura nga Kina me më shumë se 150 vende dhe mbi 30 organizata ndërkombëtare në mbarë botën.

Disa pjesëmarrës nga vendet e Nismës Një Brez Një Rrugë thonë se do të duhet pak kohë që Nisma e Indisë Korridori Ekonomik Indi-Lindje e Mesme-Evropë Lindore të fitojë terren dhe të bëhet konkurruese.

“Është shumë herët për të thënë diçka për këtë nismë sepse nuk e dimë ende se ku do të shkojë. Nëse miratohet, për realizimin e projekteve të saj do të duhet një kohë e gjatë, madje edhe dekada, ashtu siç ndodhi me ato të Nismës Një Brez Një Rrugë. Kjo nuk është çështje ditësh apo vitesh, por dekadash. Përmes nismës kineze tashmë janë bërë shumë investime në terren, përmes saj janë lidhur rajonet”, thotë Zëvendës Konsulli i Përgjithshëm i Pakistanit, Muhammad Amjad Ahmad.

Pjesëmarrës të tjerë thonë se mund të jetë pak vonë që nisma e Indisë të fillojë tani dhe ajo nuk pritet të ketë shumë ndikim në planet e Kinës.

“Nisma e Kinës ka funksionuar për 10 vjet dhe ka realizuar shumë arritje, kështu që Nisma e Indisë nuk do të jetë një sfidë e madhe”, thotë Samuel Lai nga Federata Ndërkombëtare HK për nismën Një Brez Një Rrugë.

Konkurrenca mund të nënkuptojë se Kina do të duhet të bëjë më shumë për të trajtuar kritikat nga disa vendeve perëndimore dhe organizata mjedisore se disa nga projektet e saj i kanë lënë vendet përfituese me borxhe të rënda dhe kanë dëmtuar mjedisin./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts