
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku ka shprehur shqetësimin në lidhje me reagimet e ambasadës amerikane dhe asaj britanike për kaosin që ka pushtuar Kuvendin prej javësh.
Në një postim në rrjetet sociale, Çollaku shkruan se situata në Parlament është në interesin e dy personave që duan të mbajnë peng Shqipërinë, njëri që i fshihet drejtësisë dhe tjetri që kërkon t’i ikë përgjegjësisë për situatën ekonomike dhe aferat korruptive ku është zhytur qeveria e tij. Ndër të tjera ai shprehet se kaosi i intereson kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
“PD ndan shqetësimin me partnerët amerikanë dhe britanike, se “mosfunksionimi i përsëritur i ( Parlamentit) vërejtur gjatë muajve të fundit, nuk është në interes të Shqipërisë”.
Siç e kemi deklaruar dhe më parë, situata në Parlament është në interesin e dy personave që duan të mbajnë peng Shqipërinë, njëri që i fshihet drejtësisë dhe tjetri që kërkon t’i ikë përgjegjësisë për situatën ekonomike dhe aferat korruptive ku është zhytur qeveria e tij. Prandaj, në marrëveshje me njëri-tjetrin, në seanca ofrojnë shfaqe të tilla, ndërsa feshurazi shkojnë në komisionet e Lindita Nikollës.
Siç u pa dhe në seancën e fundit, shqiptarët u privuan nga mundësia për të kuptuar se çfarë ndodh me paratë e tyre, si do të përdorën ato në buxhetin e ardhshëm apo çfarë marrëveshje ka bërë Edi Rama për refugjatët.
Edi Ramës nuk i intereson të japë llogari. Edi Ramës dhe Sali Berishës nuk u intereson vetingun në politikë, as hapja e listave dhe as vota e diasporës. Edi Ramës dhe Sali Berishës u intereson kaosi për të mbijetuar në politikë”, shprehet nënkryetari i PD.
(BalkanWeb)
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al