Reciprociteti për targat/ Basha: Vendimi i Kosovës nuk cënon asnjë marrëveshje të Brukselit! Gjuha kërcënuese e Beogradit…





basha pd

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar për vendimin e Kosovës që ka ndaluar hyrjen e makinave me targa serbe pa pajisjen me një targë të përkohshme.

Përmes një postimi në Twitter, Basha shkruan se vendimi i Kosovës nuk cënon asnjë marrëveshje të nënshkruar në Bruksel.

Duke iu referuar qëndrimit të Serbisë, Basha shkruan se gjuha kërcënuese e Beogradit i përket një të shkuare që askush nuk e kthen dot më.

Sipas kryedemokratit, qëndrimet e Serbisë zbulojnë qëllimet e vërteta të Vuçiç dhe fshehjen pas fallsitetit të iniciativës së Novi Sadit.

“Gjuha kërcënuese e Beogradit i përket një të shkuare që askush nuk e kthen dot më! Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti. Kjo është e drejtë e patjetërsueshme e Kosovës. Sa më shpejt ta kuptojë këtë Beogradi aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit. Qëndrimet e Beogradit ndaj vendimit legjitim dhe që nuk cënon asnjë marrëveshje të nënshkruar në Bruksel nga qeveria e Republikës së Kosovës, zbulojnë qëllimet e vërteta të Vuçiç dhe fshehjen pas fallsitetit të iniciativës së Novi Sadit” – shkruan Basha.

Më herët për reciprocitetin Kosovë-Serbi ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama i cili përmes një postimi në rrjete sociale shkruante se duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së këtij konflikti në këtë pikë.

Kreu i qeverisë shqiptare shkruan se Kosova duhet të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë ndërsa Bashkimi Europian të ndërmjetësojë.

Vendimi i qeverisë kosovare hyri në fuqi ditën e djeshme (20 shtator) sipas së cilës, mjetet që hyjnë në Kosovë me targa serbe, duhet të pajisen me targa të përkohshme.

Mësohet se pajisja me këto targa bëhet në të gjitha pikat kufitare të Kosovës. Targat duhet të vendosen në vende të dukshme dhe për pajisjen me këto targa duhet paguar taksa prej 5 eurove.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *