
Të paktën 12 fëmijë kanë humbur jetën deri tani nga hepatiti misterioz dhe më shumë se 450 fëmijë kanë probleme me mëlçinë.
Një përditësim nga shefat e shëndetësisë së BE-së këtë javë bëri me dije se kishte pasur 11 viktima në mbarë botën, por një vdekje e 12-të e dyshuar u njoftua dje në Irlandë.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tha se ka pasur gjithashtu 450 raste të sëmundjes vdekjeprurëse të mëlçisë në nivel global.
Ky numër pritet të jetë më i lartë sepse Mbretëria e Bashkuar mbrëmë njoftoi 13 raste të tjera dhe ekspertët besojnë se raportet e fundit janë vetëm maja e ajsbergut.
Pesë vdekje janë regjistruar në SHBA. Pesë janë konfirmuar gjithashtu në Indonezi dhe një në Palestinë.
Njëzet e një shtete tani kanë zbuluar ‘hepatit të rëndë me origjinë të panjohur’ te fëmijët kryesisht nën moshën 10 vjeç që nga fillimi i prillit. Të paktën 26 të rinj kanë kërkuar transplantim të mëlçisë.
Shkencëtarët janë në mëdyshje se çfarë po e shkakton sëmundjen e pazakontë, por teoria kryesore është se ajo shkaktohet nga një grup virusesh që normalisht shkaktojnë ftohjen e zakonshme.
Shumica e rasteve në mbarë botën janë regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, 176 raste dhe SHBA, 110 raste, por mungesa e mbikëqyrjes në disa vende mund të maskojë shkallën e vërtetë të shpërthimit.
Viruset e zakonshme që shkaktojnë hepatitin: viruset e hepatitit A, B, C dhe E; nuk janë zbuluar në asnjë nga rastet e raportuara në mbarë botën.
(BalkanWeb)
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al