
Nga Genc Burimi
Tani që festa sa freskuese dhe argëtuese e birrës Korça mbaroi me pjesëmarrjen fenomenale te mijëra e mijëra “birrëdashësve”, një bilanc jo në shifra por në vlera gastronomike dhe kulturore që mbart ky qytet kaq i veçantë lindor i Shqipërisë nuk do të ishte i tepërt.
Pata privilegjin të zhytem këtë verë në brendësi dhe në intimitetin e tre “siteve” madhore që kur viziton Korçën nuk duhen anashkaluar për asnjë pretekst.
Ato janë: Fabrika e Birrës Korça e cila brenda kësaj dekade do të ndezë 100 qirinjtë që nga ekzistenca e saj dhe si e tillë përben një monument kulture me vete; Muzeu i ikonave, unikal në llojin e tij jo vetëm ne rajon por ne mbare kontë 14 e në vazhdim, aq mahnitëse dhe domethënëse për përkatësinë e shqiptarëve në kulturën evropiane sa dhe regjimi i Enver Hoxhës nuk guxoi t’i asgjësojë.
Koleksion enciklopedik ikonash, ndërtesë muzeore funksionale, kuratore të apasionuar dhe të përkushtuar, muzeu i ikonave ne Korçë, muze i Kulturës shqiptare me K të madhe meriton të shndërrohet ne një destinacion pelegrinazhi! E së treti, Muzeu Gjon Milli në zemër të qytetit është një homazh sa prekës aq dhe i detyrueshëm për ketë gjigand shqiptaro-amerikan të historisë botërore të fotografisë që ka lindur në Korçë. Një “ikonë” me vete që duhet parë absolutisht, një shqiptar që fotografoi Botën gjysmë shekulli pasi një Marub fotografoi shqiptaret.
Në rreshtat në vazhdim do të fokusohem megjithatë të simbolikja e këtij qyteti, por dhe si vizita qe me ofroi kompromisin më të këndshëm të kombinimit të elementit kulturor me atë gastronomik. Do t’i ndaj këto mbresa me të njëjtin entuziazëm dhe me të njëjtën kënaqësi që pata nga shijimi i nja krikëlli shkumuese me birrë të akullt Korça pas nja ditë të nxehtë dhe aktive vizitash.
Birra Korça një thesar kulturor dhe ekonomik, para atij gastronomik
Kur turma e turisteve vendas e të huaj gëlon plazheve të Rivierës në kulmin e verës, t’i japësh gaz makinës kah Lindjes ekstreme të Shqipërisë dhe Korçës mitike është një përvojë sa e veçantë aq dhe eksituese. Vetë emri Korçë a nuk vjen nga fjala turke “gjorxhe” që do të thotë “shih e shiko”? Pasi mbarova vizitën tek vendi i prodhimit te Birrës Korça, mendova se dhe pagëzimi “shih e shijo” do të kishte qene po aq i përshtatshëm për “Parisin e vogël” të Shqipërisë. Pronari i saj Irfan Hysenbelliu me të drejtë me rekomandonte ta nisja “zbulimin” e Korçës nga fabrika e tij, një krenari sa personale dhe për mbare vendin.
Ashtu si një vepër arti e bëjnë edhe me interesante rrethanat e realizimit te saj po aq sa dhe cilësia e saj, edhe birrës Korça ia shton veçantinë historia e saj.
Ndonëse mbërritja në Korçë u bë me nate, sepse Pogradeci, paradhome e Korçës të tërheq pa kuptuar në liqenin e tij freskues ashtu si sirenat ekuipazhin e Uliksit, a mund t’i rezistojë më pas dëshirës për t’i shkuar deri në fund udhëtimit dhe për të realizuar një vizitë by night të Fabrikës me një guid të shkëlqyer e të apasionuar si Viktor Ljarja?
Pasi duhet nënvizuar që në fillim, Birra Korça para se të jetë një thesar ekonomik është një vepër monumentale. Vizita natën qe magjike. Një kthim, një shekull mbrapa në Korçën e viteve 20 kur një Venecian, Umberto Umberti vendosi të shpalose aty, ndanë rrugës së Mborjes arkitekturën tipike industriale dhe italiane të periudhës se midis dy luftërave botërore.
Guri i parë u hodh më 1928. Pak nga pak mbiu nga hiçi mbi një truall me djerrë se djerrë një kombinat i vërtetë birre me një përsosmëri arkitekturore që dhe një shekull më vonë ruan, falë punës restauruese të ekipeve të Irfan Hysenbelliut, të njëjtën fisnikëri dhe krenari.
Sa më shumë e adhuron objekt që i ka rezistuar kohërave, luftërave, diktaturave dhe çmendurive të tjera njerëzore po aq dhimbje ndjen në shpirt kur kujton kazmën dhe buldozerin e pashoq që Edi Rama i vuri ndërtesës së teatrit Kombëtar në Tiranë. Pasi është e njëjta epoke, e njëjta frymëmarrje dhe arkitekture , ashtu si dhe ish-Kinostudio. Birra Korça është një dekor filmi, është muze në qiell të hapur, një veçanti në një vend si Shqipëria që vuan nga mungesa tragjike e ndërtesave të hershme.
Vetëm për këtë shërbim historik, ai, Irfan Hysenbelliu , që i shpëtoi këto ndërtesa origjinale ne degradim e sipër, i restauroi dhe i vlerësoi si trashëgimi për gjithë shqiptarët meriton mirënjohje të pafund. Notë maksimale për këtë fabrikë me një aspekt muzeu . Por sigurisht investimi i bërë është para se gjithash ekonomik dhe në këtë plan po ashtu hapi i hedhur që i duhuri.
Kjo fabrike, një shekullore nga jashtë, por integralisht moderne nga brenda, është unikale në Shqipëri. Është e vetmja që furnizon vendin me prodhim lokal dhe për me tepër të një cilësisë që s’do ja kishte zilinë asnjë birrë tjetër ndërkombëtare. Pashë impiante ultra ultramoderne që funksionojnë 24/24h, pashë ambiente prodhimi ku higjiena ishte gjëja e parë që të binte në sy, e mbi te gjitha qetësia.
Impresionuese mungesa e zhurmës në raport me sipërfaqen e madhe të fabrikës dhe numrin e shumtë të makinerive. Vizitorit i duket më shume vetja aty në një klinike sesa në një sit industrial që prodhon me kapacitet të plotë ditë dhe nate.
Gjithçka ishte në vendin e vet dhe e akorduar si një orkestër simfonike.
Një harmoni qe duhet ruajtur megjithë nevojën akute të fabrikës për të shtuar linjat e prodhimit dhe për të shumëfishuar rendimentin përballe një bum-i të kërkesës në Shqipëri për birrën në përgjithësi dhe atë Korça në veçanti. Kjo « etje » në rritje u manifestua me se miri dhe tek festa e fundit e Birrës qe po kthehet ne festen e mbare Korçës. Kërkova së fundmi t’i hidhja një sy dhe koleksionit te etiketave të vjetra të Birrës Korça ashtu siç ishin dizajnuar gati përpara 100 vitesh.
Shoqëruesi nuk u kap fare në befasi nga kjo kërkesë në mesnate. Edhe etiketat ishin ruajtur si vepra arti! Ato ishin inkuadruar me përkujdesje dhe ekspozuar për këdo që donte t’i shihte. Çfarë emocionesh! Etiketat e vjetra si emblema arti janë memorja e Fabrikës, por dhe të një Shqipërie të një epoke për të cilën kemi fare pak muzera që të dëshmojnë . Mbrëmja përfundoi vonë te restoranti në qiell të hapur që është në vazhdimin e territorit te fabrikës së birrës, si tek ajo shprehja nga « prodhuesi te konsumatori », në një atmosfere të vërtetë dasme , ku vallet korçaro-kolonjare gërshetoheshin me dolli për suksese për birrën Korça. Dollia ishte speciale. Gjatë vizitës se Fabrikës, isha bërë kurioz për shijen e atij lëngu si musht i bekuar që dilte nga cisternat përpara së të hynte në ciklin e ripërpunimit. Pikërisht, ai produkt primar, që quhet birrë e pa filtruar m’u shërbye si gosti e parë në tryezën e hareshme dhe shijen e saj të pakrahasueshme e kam ende me vete. Në atë moment, një automjet i Policisë së Shtetit do të kalonte aty pranë për t’u rikujtuar muzikantëve dhe valltarëve se mesnata tingëlloi dhe festës me muzikë duhet t’i jepej fundi.
Edi Rama dhe ministrat e tij duhet të vizitojnë “Birra Korça” sepse ajo nuk i perket vetem nje biznesmeni por vendit. “Birra Korça” është jo vetëm ura me tri harqe që lidh të kaluarën me të ardhmen, por dhe një aset ekonomik kombëtar. Me çfarë marke mund të mburret Shqipëria e prodhuesve përveç se “Birra Korça” që krijon unanimitet në të katër anët e vendit?
Kur në Europë udhëheqësit rendin për vizita në qendra prodhimi rrethuar nga pyje mikrofonash e kamerash, në Shqiperi, Shteti jo vetëm qe e injoron « Made in Albania”, por dhe e bombardon enkas me më shume taksa siç ndodhi me skandalin e rritjes se akcizave për birrën shqiptare.
Për një gjë të jemi të sigurt, ata, politikanet, s do jenë një ditë aty dhe s’do kenë arritur të mbushin as harkun kohor të një gjysmë gjenerate kur “Birra Korca” do ta kaloje Shekullin dhe katër gjeneratat .
T’i urojme kësaj sipërmarrje të jashtëzakonshme suksese, begati dhe forcë të vazhdueshme më vetvete sepse nuk është e lehtë në Shqipëri të përballosh sfidën e prodhimit pa pasuar goditje frontale dhe pas shpine nga snajperët e qeverisë. « E pur si move » thoshte Galilei. Ndaj, shqiptarët do të vazhdojnë ta shijojnë për qejf dhe « kombëtarizëm » birrën e tyre , “Birrën Korça!”
(BalkanWeb)
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al