Rikthimi i PD e LSI në Parlament, hiqen telat me gjemba që rrethonin godinën! “Sfidat” që pritet të ulin bashkë maxhorancë-opozitë





MARIGLEN KUME/ Dita e premte shënon rikthimin e opozitës në Parlament pas dy vitesh e gjysmë beteje jashtë institucioneve. Shenjat e para tregojnë se do të kemi një opozitë konstruktive larg protestave masive.

parlament-pd-lsi

Dy vite më parë kur opozita dogji mandatet dhe organizoi një seri protestash me pjesëmarrje të gjerë të gjithë e kujtojmë sesi përgjegjësit e Sigurisë së Institucionit të Parlamentit veç kordonit me forcat e Rendit e rrethuan godinën edhe me tel me gjemba, të cilat qëndruan gjatë edhe pas përfundimit të protestave. Masa shtesë u morën për të siguruar edhe derën hyrëse të selisë së Partisë Demokratike dhe godinës së Parlamentit. Fotot e mësipërme tregojnë dy momente.

Fotoja e parë është shkrepur në seancën e fundit parlamentare të sesionit të kaluar kur opozita, pra PD-ja dhe LSI-ja ishin jashtë Parlamentit. Në atë foto shihen telat me gjemba të vendosura në derën që lidh selinë e PD me Parlamentin. Ato u vendosën në 2019 kur protestuesit hynin nga selia e PD në godinën e parlamentit. Ndërkohë fotoja tjetër është shkrepur dje vetëm dy ditë par mbledhjes së parë të legjislaturës së dhjetë. Pamja është krejt ndryshe.

Telat me gjemba janë hequr dhe dera është gati për t’u rihapur pas dy vitesh e gjysmë për të hyrë Grupi Parlamentar i PD-së. Një nga shenjat e para kjo që mund të mos ketë më protesta dhe Garda e Republikës të mos ndjejë rrezikun për sigurinë e godinës së Parlamentit.

Seanca e parë pritet të ketë atmosferë formale, ku do të nisë procesi i verifikimit të mandateve të ligjvënësve dhe betimit të tyre. Kjo do të jetë seanca e parë, pas së cilës do të thërritet një e dytë, në të cilën do të votohet kryetari i ri i Kuvendit. Lindita Nikolla është e përzgjedhura e socialistëve për të drejtuar Parlamentin në këtë legjislaturë. Procedura saktëson se emri i saj do të duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë, ndërkohë që zgjidhja zhvillohet pa debat dhe me votim të fshehtë. Më pas do të zhvillohet një tjetër seancë e posaçme, ajo e votimit të qeverisë “Rama 3”, që do të paraprihet nga debati parlamentar mbi programin qeverisës.

RIKTHIMI I OPOZITËS DHE SFIDAT

Kjo legjislaturë rikthen opozitën, PD-në dhe LSI-në në Kuvend dy vite pas djegies së mandateve, shkurtin e vitit 2019. Betejat parlamentare projektohen të forta, nisur nga retorikat e ashpra politike nga kampi opozitar. Megjithatë, duket se bashkëpunimi mes maxhorancës dhe opozitës është i pashmangshëm.

Kryedemokrati Lulzim Basha në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Kombëtar të PD-së kritikoi ndryshimet kushtetuese të 2008, duke i cilësuar se nuk referojnë më shqetësimet e shqiptarëve për demokraci. “Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale”, tha Basha në fjalimin e tij.

Në këto kushte kërkohet automatikisht ndërhyrja sërish në Kushtetutën e Shqipërisë. Por, për të realizuar një gjë të tillë duhet patjetër që PDja të bashkëpunojë me Partinë Socialiste dhe të prodhojnë një draft konsensual ndryshimesh. Vetëm në këtë mënyrë drafti mund të miratohet dhe të marri formë ekzekutimi pasi kushtetuta miratohet me shumicë të cilësuar votash.

Ndërkohë, ka edhe një pikë tjetër ku PSja e PD-ja janë të imponuara të bashkëpunojnë. Pas miratimit të ndryshimeve të njëanshme në Kodin Zgjedhor në tetor të 2020, Komisioni i Venecias kërkoi që palët të ulen dhe të ndryshojnë mundësinë që jep Kodi Zgjedhor për kandidimin e kryetarëve të partive në më shumë se 1 zonë. Ndërkohë që, ka edhe shumë pika të tjera që kundërshtohen nga Partia Demokratike. Duke qenë se Kodi Zgjedhor miratohet në Parlament kërkon minimalisht 84 vota duhet patjetër bashkëpunim, pasi PD-ja ka vetëm 59 deputetë, ndërsa PS-ja 74 mandate.

Nga kjo legjislaturë do të zgjidhet edhe Presidenti i ardhshëm i Republikës. Ilir Metës, mandati presidencial i përfundon zyrtarisht në 22 korrik 2022, nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos ta shkarkojë atë më herët. Kryeministri Rama e ka bërë të qartë se ka gjithë vullnetin për t’u ulur në tavolinë me PD-në për zgjedhjet e një Presidenti konsensual.

Ndërkohë, me Lulzim Bashën ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të bashkëpunuar, duke i vendosur kushtin e vetëm që të mos flasë keq te ndërkombëtarët. E me gjithë parashikimet, politika shqiptare ka treguar se prodhon surpriza. E në këtë aspekt, më 10 shtator do nisë stina e madhe e debatit politik, por edhe me shpresën se do të jetë stina e re e ngritjes së madhe ekonomike e shoqërore pas dy goditjeve të mëdha që përjetoi vendi nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia COVID-19.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *