Rrëfimi i rrallë i Roberto Baxhos: Botërori i ’94? Doja të vrisja veten! Sot japin mendime ata që nuk bënin dot dy pasime






Roberto Baxho nuk ishte vetëm një nga lojtarët më të fortë të të gjitha kohërave, ai ishte gjithashtu një nga më të dashurit nga sportdashësit. Idhull i shumëkujt dhe simbol për një brez të tërë, me klasin e tij ai i bëri të gjithë të ëndërronin dhe kjo përtej fanellave që ai mbante.

Në jetën e tij të përditshme sot futbolli ka një rol jashtëzakonisht të largët dhe, në të vërtetë, në një intervistë të gjatë me revistën javore “Venerdi”, ai pranoi se jetonte shumë mirë larg një bote që i dha aq shumë, por gjithashtu i mori shumë në këmbim.

roberto baxho

A keni dëshirë të luani përsëri?

E kam ditur gjithmonë se karriera ime do të kishte një përfundim. Njerëzit habiten me faktin se unë nuk kam dëshirë të luaj apo të vesh përsëri një palë këpucë futbolli. Ja që nuk kam sepse duhet të biem dakord për faktin se secili prej nesh ka këndvështrimin e tij të çështjes.

E keni lënë futbollin 17 vite më parë e që nga ajo kohë jeni dukur pak…

Ka shumë gjëra e shumë njerëz dhe vjen një moment kur nuk varet më nga gjykimi i atyre që të shikojnë. Unë u distancova nga topi, por ka gjëra që lëndojnë, si ndarja nga jeta e Paolo Rosit. Nuk arrij ta pranoj atë dhe vlera e karakterit nuk ka rëndësi, kjo është për shkak të trishtimit dhe hidhërimit. Ai kishte një jetë të re, kishte dy vajza, një familje, edhe ai kishte pasion tokën, e meritonte të kishte kohë. Përkundrazi, nuk shijoi asgjë teksa gjithçka përfundoi.

Nuk dëshironi të bini në sy, por a do të kishit pranuar një rol si komentator televiziv?

Të gjithë atyre që kam rrotull u duket e çuditshme mungesa e interesit nga ana ime, por nuk shijoj thuajse kurrë ndeshje e as nuk argëtohem me to. Nuk më pëlqen të gjykoj të tjerët, ndërkohë që në televizione shoh kolegë që japin mendime prej profesorësh, ndërkohë që kur luanin futboll, nuk bënin dot as tri pasime me duar.

Pata fatin të isha futbollist profesionist, teksa pata edhe më shumë fat që pas futbollit gjeta diçka tjetër që më jepte kënaqësi. Të gërmoj tokën, të punoj me lopatë e të mbjell janë gjëra fantastike, megjithatë di të kuptoj këdo që bën zgjedhje të tjera. Kur u takova me Totin, përpara se të braktiste futbollin, e këshillova që të luante sa më gjatë që të mundej. Edhe Ibrahimoviçi më duket nga jetëgjatët e këtij sporti. Kur dëshiron të dhurosh kënaqësi e ta mohojnë, është normale që të ndihesh keq.

Epo ndryshe nga Toti, ju nuk e përjetuat edhe aq keq largimin…

Ai nuk donte të tërhiqej, ndërsa unë mezi prisja. Largimi më ktheu jetën dhe oksigjenin, sepse po mbytesha. Ndihesha shumë keq, kisha dhimbje fizike e kur u kthehesha në shtëpi nga Bresha, nuk mund të dilja nga makina, ndaj më duhej të thërrisja Andreinën, gruan time, e cila më ndihmonte të kapesha pas tavanit të mjetit për të dalë.

Baxho

Po sot, Baxho preferon të tjera sporte?

Tani preferoj basketbollin, bëj tifo për “Lakers” sepse më pëlqente Shakil O’Nili. Tani dua LeBron Xhejmsin, ndërsa deri pak kohë më parë isha i çmendur për Boltin, për lehtësinë e tij karaibike dhe për muzikalitetin që ata njerëz kanë. Më pëlqen futbolli i grave sepse gratë kanë gjithashtu pasion dhe karakter.

Mes momenteve më të forta në karrierë ishte largimi nga Fiorentina nga ku nuk deshët të largoheshit…

Quhet mirënjohje dhe unë e ndjeva atë për një qytet që më ka pritur për dy vjet ose më saktë tre. Kur isha i dëmtuar e me pantallonat e grisura, Firencja më përkëdheli e më respektoi. Jo vetëm aq. Pasi kthehesha në tre të mëngjesit nga Çezena ku kisha shënuar dy gola për ekipin kombëtar, rruga drejt meje ishte plot me njerëz që donin të më brohorisnin. Si mund ta harroja diçka të tillë?

Unë nuk doja të largohesha nga Fiorentina, isha 23 vjeç, po blija një shtëpi, u zhvendosa, prisnim një fëmijë, pastaj zbulova se pronarët në largim, familja Pontelo, më kishin shitur tek Anjeli. Shkova në Romë dy herë për të biseduar me Çeki Gorin (presidenti që do të blinte Fioren) dhe herën e dytë ai më tha: “Nëse nuk shkon te Juvja, nuk më lejojnë të blej klubin”.

Shpesh jeni komentuar për problemet në komunikim me trajnerët. Sa e vërtetë është?

Unë nuk jam zemëruar kurrë me trajnerët, mendoj se gjithmonë do të ketë njëfarë xhelozie nga ana e tyre, sepse ne kemi këmbët e ata kanë dërrasën e zezë. I vetmi me të cilin shkoja shumë mirë ishte Karleto Maxone, sepse ai ishte një njeri i lirë dhe i aftë e nuk garonte me lojtarët.

Me Sakin çfarë ndodhi?

Nuk më mori në Europianin e 1996-ës për të më treguar se skemat kishin më shumë rëndësi se lojtarët, por nuk shkoi dot as në çerekfinale. Unë nga ana ime nuk ia falja dot vetes penalltinë e gabuar në Botërorin amerikan të 1994-ës. Atë ditë mund të kisha vrarë veten e të mos ndieja asgjë./ PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *