
19:55 21/09/2023
Lufta në Ukrainë ka bërë që mijëra njerëz të humbasin gjymtyrët e tyre, e kështu jeta e tyre ka ndryshuar përgjithmonë. Në media aludohet se janë rreth 25 mijë ukrainas të amputuar si pasojë e luftës, por ende s’ka shifra të verifikuara.
Në një artikull të publikuar nga Sky News, gjenden rrëfime shokuese të disa ushtarëve ukrainas.
Ishte fillimi i majit të vitit të kaluar. Gosha dhe shoku i tij Vasian ishin në një zonë shumë të ekspozuar nga shpërthimet e minave. “Gjaku po rridhte kudo”, kujton Gosha. Ai thotë se iu lut shokut të tij ta vriste sepse tashmë nuk kishte më asnjë arsye për të jetuar, por Vasian nuk e bëri. 16 muaj më vonë, Gosha u gjend në një klinikë të vogël në SHBA.
Gosha

Mike Corcoran, bashkëthemeluesi i kësaj klinike thotë se në 18 muaj luftë në Ukrainë ka pasur 10 herë më shumë njerëz të amputuar se përgjatë 20 viteve luftë në Irak e Afganistan.
Gosha është ushtari i 39-të ukrainas që shkon në Qendrën Mjekësore Ortotike dhe Protetike jashtë Uashington DC. Ai është pajisur me një protezë për krahun dhe do t’i nënshtrohet terapisë disa javore në klinikë. Ekspertët në këtë klinikë kanë dy dekada që merren me ushtarët amerikanë të plagosur, veçanërisht me të amputuarit.

Rripat e ndihmës së parë në fushën e betejës, të quajtur ‘tourniquets’, të projektuara për t’u ngjitur në gjymtyrë sipër plagës për të frenuar gjakderdhjen, shpesh herë vendosen keq nga ushtarët apo civilët dhe kjo i dëmton rëndë qelizat. Për pasojë mjekët më pas detyrohen ta heqin të gjithë krahun ose këmbën, ose ato do të kalben vetvetiu.
Gosha u plagos në betejën për fabrikën e çelikut Azovstal në qytetin lindor të Ukrainës, Mariupol. Rrethimi dy mujor përfundoi më 17 maj 2022 me dorëzimin e ushtarëve të fundit ukrainas, e mes tyre ishte dhe Gosha.
Kishte prej atyre ushtarëve që izoloheshin në dhoma të nëndheshme në mënyrë që të mos i dorëzoheshin armikut. Të shtrirë pranë njëri-tjetrit dhe me krahë të prerë, skena përshkruhet si horrorr i vërtetë prej tyre.
“Ata po i prisnin krahun dikujt. Të gjithë po e shikonin. Në dysheme kishte një çantë plot me krahë dhe këmbë. Djemtë po kalbeshin të gjallë, të gjithë kishin infeksion”, thotë Gosha.
“Vasian është vëllai im”, thotë Gosha teksa shpjegon se bashkë me të u detyruan të hanë mish qeni për të mbijetuar. Një qen Pit Bull i quajtur Sofa ishte gjithçka që gjetën në fabrikat e çelikut.

Ai shton po ashtu se i kishte premtuar Vasias që ai do të ishte kumbari i djalit të tij një ditë. Sot Gosha ka një djalë 5 vjeç, por nuk e ka pagëzuar ende sepse Vasian ndodhet në Ukrainë.
Pavarësisht sfidave të panumërta, Gosha dëshirë të rikthehet në vendlindje dhe të luftojë, madje aspiron të bëhet komandant.
“Askush nuk dëshiron të jetojë në robëri. Rusia do të vazhdojë të terrorizojë, të vrasë, të kapë, të shkatërrojë”, thotë ai.
Gosha kujton se e fitoi lirinë vetëm pas një shkëmbimi të të burgosurve, moment që shënoi nisjen e një udhëtimi disa javor për në Amerikë.
Klinika MCOP nuk paguan për trajtimin e ushtarëve ukrainas dhe protezat kushtojnë shtrenjtë. Një protezë krahu mund të kushtojë 100,000 Euro. Por disa prej tyre janë me fat sepse ka shumë organizata bamirëse si përshembull “United Help Ukraine” dhe “Operation Renew Prosthetics” të cilat shpesh financojnë pajisjet që ushtarëve ju duhen.

Ilia Mykhalchuk është një tjetër ushtar ukrainas i cili ka humbur të dy krahët e tij duke luftuar.
Historia e tij është e tmerrshme. Njëri krah iu hodh në erë dhe tjetri u mbush me copëza metalike pasi një raketë antitank goditi automjetin e tij, në qytetin e Bakhmut. 36-vjeçari më pas u kap nga grupi famëkeq rus Wagner.

Ilia thotë se ushtarët rusë e çuan në bodrumin e një shtëpie dhe ia prenë të dy krahët. Ata as nuk e fashuan, e lanë ashtu. Veç kësaj ai e kujton si tmerr momentin kur teksa krahët e tij kullonin gjak, rusët talleshin me të. Sigurisht ky moment për të ka ngelur traumë. “Nuk më hiqet nga mendja”, thotë ai./tvklan.al
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al