Rregulli i ri/ Erion Veliaj: Të pa vaksinuarit s’do lejohen në stadiume, koncerte apo aktivitete në sheshin Skënderbej! Rrini në shtëpi dhe…










“Për të marrë pjesë në koncerte apo aktivitete masive publike në Tiranë duhet të jesh i vaksinuar, për të mos rrezikuar jetën e të tjerëve”!

Kështu deklaroi sot kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj  gjatë vizitës në familjen Trimi në Ndroq, banesa e së cilës u rindërtua pas tërmetit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj foli për një rregulli të ri lidhur me Covid-19 teksa u shpreh se vaksinimi do të jetë kusht për të qenë pjesë e ndeshjeve të futbollit apo koncerteve të ndryshme.

“Nëse doni që Tirana të hapet 100%, pra që të lejohet publiku në ndeshjet e futbollit ose në koncerte, duhet të jesh i vaksinuar. Nëse doni të shkoni në aktivitete te Amfiteatri i Liqenit, në sheshin Skënderbej, apo të ndiqni koncertet e Dua Lipës, Rita Orës, s’ka rëndësi kush vjen, duhet të jeni të vaksinuar.

Nëse nuk vaksinohesh, nuk ke pse e mban peng qytetin që të kthehet në jetën e tij normale. Sepse i bie që 1% e shoqërisë dikton 99% të të tjerëve. Nëse s’do të vaksinohesh, rri ti në shtëpi dhe beso idiotësitë e portaleve”, tha Veliaj.

Veliaj ne Ndroq-1

INAGURIMI
Gjatë një aktiviteti në Ndroq, Veliaj ishte pranë familjes së Muhamed Trimit e cila ka hyrë në shtëpinë e re, të rindërtuar pas tërmetit të 26 nëntorit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shprehu mirënjohjen të gjithë atyre që kanë punuar, edhe në kushte të vështira pandemie dhe temperatura të larta, për të mbaruar në kohë shtëpitë e reja.

“Në Ndroq kemi një paketë me 38 shtëpi, ndërkohë kemi edhe një lagje me 74 shtëpi të tjera. U jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre që e kanë bërë natën ditë për të kapur afatet dhe për t’u siguruar që, brenda verës, shumica e familjeve në Ndroq futen në shtëpitë e reja. Sot këto familje kanë një shtëpi shumë më të fortë se ajo që kishin, dhe që me gjasë do jetë këtu për 100 vitet e ardhshme, me kushte më të mira, me hapësirë më të madhe dhe më komode se ajo që prishi tërmeti”, tha ai.

Ai u shpreh se operacioni i rindërtimit po i afrohet fundit, ndërsa siguroi se krahas shtëpive të reja, është menduar për gjithë infrastrukturën ndihmëse dhe ofrimin e shërbimeve pranë komunitetit.

“Po i afrohemi fundit të operacionit shumë të madh për rindërtimin e shtëpive. Pra, po përfundojmë shtëpitë individuale, plus lagjen e re, e pastaj do të përfundojmë gjithë infrastrukturën arsimore në zonën e luginës së Erzenit, këtu në Ndroq, në Pezë dhe në Vaqarr. I themi lamtumirë krizës që na solli tërmeti, për t’u fokusuar tek gjithë energjia e mirë që na duhet për të promovuar më shumë zonën, për t’u fokusuar më shumë te bujqësia, për t’u fokusuar më shumë që këta fëmijë të kenë arritje të jashtëzakonshme edhe në arsim, në shoqëri, në sport. Tani që ikën, i harrojmë kollaj, por atëherë ishte nevoja që të kishim besim te njeri-tjetri, që do vinin ditë më të mira, do vinin kushte më të mira”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *