Rreng “djallëzor” Sitit, ja pse Kristiano Ronaldo firmosi te Mançester Junajtid










Kristiano Ronaldo nuk është më një futbollist i Juventusit. Ylli portugez largohet nga Torinoja pas 3 sezonesh dhe 30 minutash të luajtura në të parën e këtij sezoni, në Udine, ku fotografia e fundit që la ishte një gol spektakolar në minutën e 94-t, i cili mund të jepte fitoren 3-2 “in extremis”, por që më pas u anulua me VAR.

ronaldo alegri

Historia e portugezit me “Zonjën e Vjetër” u shkrua më shumë për numrat personal të CR7-ës, sesa për klubin, duke qenë se pavarësisht një shpenzimi prej gati 300 milionë eurosh, sërish në Torino trofeu i Ligës së Kampioneve mbeti një mirazh.

40′ PËR LAMTUMIRËN – Gjithsesi, kudo ku hyn Kristiano Ronaldo është e pamundur që vëmendja, por edhe surprizat të mos mungojnë. Ndonëse prej muajsh kishin nisur zërat për largimin e tij nga Torinoja, vetëm dje erdhi konfirmimi zyrtar, mes një rrëmuje e cila përfshiu mjaft prej klubeve më të mëdha të Europës, por në fund ata që e bënë të tyrin, më saktë e ribënë ishte Mançester Junajtid.

ronaldo

Dita e djeshme ishte një çmenduri e vërtetë, por me aq shumë persona sa ishin vënë në punë gjithçka u zgjidh shumë shpejt. Në orën 9:20 të mëngjesit, Ronaldo u paraqit në “Kontinaza” ku kërkoi menjëherë një takim me trajnerin Alegri dhe me shokët e skuadrës, të cilëve u tregoi hapur dëshirën për t’u larguar nga Juventusi.

Këtë vendim e kishin mësuar edhe drejtuesit pas takimit të së enjtes me menaxherin Zhorzh Mendesh, ndërsa në të njëjtën kohë në aeroportin e Kazeles po bëhej gati avioni i tij privat që do ta dërgonte në Lisbonë, ku ai priste përgjigje mbi skuadrën e re.

KAOSI NË MANÇESTER – Ndërkohë, në Angli të gjithë e prisnin Ronaldon në Mançester, te Siti, ku Pep Guardiola në konferencë në mënyrë të papritur la dyshime mbi mbërritjen e portugezit, ndonëse e gjithë media europiane dhe botërore e kishte të sigurt firmën me “Qytetarët”. “Ronaldo do të zgjedhë vetë ku të shkojë.

Nuk vendos as Juventusi dhe askush tjetër. Vetëm këtë di t’ju them”, ishin fjalët e trajnerit spanjoll, që me sa duket, e dinte se diçka kishte ndryshuar. Dhe pikërisht kjo kishte ndodhur… Mançester Junajtid kishte ndërhyrë në mënyrë surprizë në mes të tratativës dhe këtë e bëri të kuptohej në spondën tjetër të Mançesterit Ole Gunar Solskjaer, trajneri i Junajtidit në konferencën për shtyp: “Nëse ke luajtur me Junajtidin, nuk mund të luash me Sitin. Ronaldo e di mirë se sa shumë e duam këtu dhe e vlerësojmë, prandaj nëse do e di se çfarë duhet të bëjë”.

Ronaldo Ferguson

Pak fjalë, pas së cilave fshihej diçka e madhe… Junajtid i kishte kërkuar ndihmë Sër Aleks Fergusonit, “babait shpirtëror” të Kristiano Ronaldos që të ndryshonte mendim dhe të refuzonte Sitin për të bërë rikthimin në skuadrën që i dhuroi në vitin 2003 skenën madhështore të futbollit dhe e transformoi në lojtarin që të gjithë e njohin sot. Dhe duke parë lidhjen e fortë që CR7 ka pasur gjithmonë dhe ka ende sot me Fergin, situata ndryshoi në mënyrë të çmendur derisa erdhi edhe zyrtarizimi te Mançester Junajtid, rreth orës 18:00.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *