Rritja e çmimit në Kosovë, Albin Kurti: Në kriza energjetike nuk ka zgjidhje ideale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën, 9 shkurt, se gjatë muajve të dimrit, Kosova ka importuar 40 për qind të energjisë elektrike.

Sipas tij, çmimet e importit kanë qenë deri në shtatë herë më të shtrenjta sesa zakonisht dhe se në “kriza energjetike, sikurse në çdo krizë tjetër, nuk ka zgjidhje ideale”.

“Në ballafaqim me kriza nuk mund të kërkohet një situatë si para saj. Duhet të synohet një mënyrë për tejkalimin sa më shpejtë prej krizës për sa më shumë prej jush”.

Kurti ka thënë se çmimet e importit të energjisë nuk pritet të ulen, andaj ka bërë thirrje për përdorim racional.

Ai i ka bërë këto komente, pasi Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë ka miratuar të martën, 8 shkurt, tarifat e reja për energji elektrike.

Departamenti për Tarifa në ZRRE ka thënë se rritjen e çmimit në fatura do të vërejnë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.

Fillimisht ky institucion kishte propozuar rritje për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat për orë në muaj.

Kurti ka thënë se Qeveria ka rritur shumën e subvencioneve në 100 milionë euro për të lehtësuar situatën.

Sipas tij, subvencionimi i plotë i importit të energjisë është i papërballueshëm për buxhetin e shtetit.

Subvencionet e Qeverisë do të shfrytëzohen për një periudhë njëvjeçare.

“Sipas të dhënave tona, bazuar në shpenzimet e vitit të kaluar, 70.4 për qind e konsumatorëve shtëpiakë, gjatë dimrit, shpenzojnë mesatarisht më pak se 800 kilovat orë në muaj”.

Sipas tij, kjo i bie që kjo kategori do të preket lehtë apo aspak nga rritja e çmimeve të energjisë.

ZRRE ka thënë se 20 për qind e konsumatorëve e tejkalojnë konsumin prej 800 kilovat në orë gjatë muajit.

Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë do të jetë 7 cent, ndërsa ajo e ulët, 3 cent.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me 9 shkurt dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023. Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00.

Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

Për bizneset nuk do të ketë blloqe tarifore.

Muajve të fundit, Kosova është futur në krizë energjetike, si pasojë e krizës së ngjashme që ka përfshirë Evropën.

Kriza në Evropë është thelluar kah mesi i vitit 2021, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.

Kjo ka bërë që Kosovës t’i rriten çmimet e importit.

Kosova nuk mund t’i përballojë e vetme kërkesat – kryesisht për shkak të vjetërsisë së termocentraleve që ka.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.