Rritja e çmimit të naftës, deputetja e LSI: Në Ukrainë shitet me gjysmën e kësaj vlere, shqiptarët po përballen me një tjetër luftë






cmimi

Deputetja e LSI Erisa Xhixho ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimit të naftës në vendin tonë. Xhixho shprehet shqiptarët po përballen me një tjetër luftë, atë për bukën e gojës si pasojë e rritjes së çmimeve.

Ajo thotë se nëse në Shqipëri çmimi i naftës rritet me minuta, kjo nuk ndodh në vendet e rajonit dhe as në Ukrainë ku po luftohet dhe çmimi shitet me gjysmën e çmimit që e blejnë qytetarët shqiptarë.

Xhixho nënvizon se kriza ekonomike e familjeve shqiptare dhe pamundësia e tyre financiare duhet të jetë çështja kryesore sot, duke nënvizuar nevojën e marrjes së masave urgjente.

Statusi i Erisa Xhixhos

Shqiptarët në vend sot po përballen me një luftë tjetër: atë për bukën e gojës, për shkak të rritjes së çmimeve.

Çmimi i karburantit ka shkuar sot 290 lekë dhe gjasat janë që të ngrihet akoma më shumë. Nëse deri dje as nuk përfytyrohej, tani nuk presim të habitemi nëse gjendemi përballë tabelave që e vlerësojnë naftën edhe mbi 300 lekë për litër.

Por kjo rritje duket se është dënim vetëm për qytetarët shqiptarë. Nëse në Shqipëri, çmimi i naftës rritet me minuta, kjo nuk ndodh në vendet e rajonit. Në Ukrainë, atje ku po luftohet, naftën mund ta blesh me gjysmën e çmimit që e blejnë qytetarët shqiptarë.

Është një abuzim kriminal dhe akoma më kriminal është dorëzimi i qeverisë ndaj kësaj rritjeje, që nuk është aspak efekt i luftës në Ukrainë, por pasojë e monopoleve dhe abuzuesve të biznesit në vend. Këtë e konfirmon edhe deklarata e djeshme e Kryeministrit, i cili doli para shqiptarëve për t’u thënë se nuk do të hiqet asnjë taksë për naftën.

Të braktisur nga qeveria, si mund ta përballojnë qytetarët këtë rritje? Si mund ta përballojnë bizneset familjare? Kjo rritje do të godasë konsumin, do të frenojë në mënyrë pashmangshme rritjen ekonomike, do të dëmtojë buxhetin dhe do thellojë varfërinë e skamjen në vend.

Për paralelizëm po ju jap çmimet e naftës ditët e fundit në rajon.

Në vlerë leku, në Mal të Zi, nafta paguhet 1 800 lekë, në Bosnjë 1 720, në Maqedoni 1 450.

Kriza ekonomike e familjeve shqiptare dhe pamundësia e tyre financiare duhet jetë çështja kryesore sot; marrja e masave urgjente jo me propagandë boshe, por me vendime konkrete për t’u ardhur ne ndihmë qytetarëve me stabilizimin e çmimit të naftës dhe produkteve të shportës, me paketa financiare për të lehtësuar sadopak këtë krizë, sidomos për shtresat në nevojë mbi të cilat ajo rëndon më shumë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.